Raporti i “Nations in Transit” i Freedom House për vitin 2022 e klasifikon Shqipërinë si një “regjim hibrid” ndërsa vendi nuk arrin më shumë se 45.8% të sistemit të përgjithshëm të pikëzimit për shtyllat e demokracisë.

Elvin Luku

Shqipëria vlerësohet si një demokraci hibride, ndërsa indikatorët e saj veçanërisht sa i takon lirisë së medias janë në rënie, pas sulmit me armë ndaj televizionit kombëtar Top Channel, i konsideruar si një ndër më të rëndët në tre dekadat e fundit.

Raporti i Nations in Transit” i Freedom House për vitin 2022 e klasifikon Shqipërinë si një “regjim hibrid” ndërsa vendi nuk arrin më shumë se 45.8% të sistemit të përgjithshëm të pikëzimit për shtyllat e demokracisë.

Përgjatë vitit 2022 dhe fillimit të 2023-shit, media është përballur me sulme me armë, konfiskim, goditje të gazetarëve dhe agresion verbal. Në orët e para të mëngjesit të 26 marsit, nga njw makinw në ecje e sipër, u qwllua me breshëri kallashnikovi në drejtim të godinës së televizionit Top Channel, duke vrarë dhe rojen e tij. Prokuroria e Tiranës dhe policia po vijojnë hetimet, ndërsa ngjarja e rëndë solli reagimin e drejtuesve më të lartë të klasës politike, selive diplomatike, organizatave ndërkombëtare dhe vetë komunitetit të gazetarëve të cilët kërkuan zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorëve.

Por ndërsa sektori mediatik ka bërë regres, hetimet e institucioneve të reja të drejtësisë kanë shënuar ecuri, në një sërë çështjesh për korrupsion dhe krim të organizuar. Nga fundi i 2021 e deri më tani dy ish-ministra të rëndësishëm të qeverisë Rama, ai i Brendshëm, Saimir Tahiri, është dënuar për shpërdorim detyre ndërsa Lefter Koka është lënë në burg i akuzuar për korrupsion për të ashtuquajturin “skemën e inceneratorëve”. Për të njëjtën çështje SPAK po zhvillon hetime dhe për ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, ndaj të cilit janë ushtruar kontrolle edhe në apartamentet në pronësi. Sa i takon reformës në drejtësi, vijon procesi i vettingut, për largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve me probleme në deklarimin e pasurisë, performancën profesionale dhe pastërtinë e figurës. Sipas raportimeve, prej nisjes së reformës në vitin 2016 e deri në fund të vitit 2022 “janë hetuar 556 magjistratë dhe zyrtarë të tjerë të drejtësisë. Nga këto vetëm 37 % e tyre e kanë kaluar vetingun, 43% janë shkarkuar ndërsa 18% të tjerë kanë dhënë dorëheqjen”.

Situata politike mbetet e tensionuar ndërsa partia më e madhe opozitare është përballur me një proces gjyqësor administrativ për pronësinë e vulës, duke pamundësuar regjistrimin për zgjedhjet lokale të 14-Majit, me logon e saj historike. Pasi Gjykata Administrative e Apelit vendosi rikthimin e çështjes në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, PDSH e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, i shpallur zyrtarisht “non grata” nga DASH, u regjistrua në zgjedhjet lokale, nën logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, me Partinë e Lirisë së ish-Presidentit Meta dhe dy parti të tjera.

Nga ana tjetër, qeveria Rama u trondit nga “skandali McGonigal”, në të cilin ish drejtuesi i lartë i FBI-së Charles McGonigal, u arrestua dhe po hetohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndër të tjera se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh të pa raportuara në Shqipëri, përfshi dhe me kryeministrin Rama. Çështja shkaktoi një sërë protestash nga opozita, përfaqësues të të cilëve akuzuan kryeministrin Rama se ka korruptuar zyrtarin e lartë të FBI-së.

Mbetet për tu parë ndikimi që “skandali McGonigal” do të ketë në elektorat, por ajo që vlen të nënvizohet është se, edhe njëherë, Shqipëria, një vend me demokraci hibride për të cilin DASH ka shpenzuar miliona dollarë për të luftuar korrupsionin, përmendej në një dosje hetimore ku një prej drejtuesve më të lartë të FBI-së, po hetohet ndër të tjera edhe për korrupsion.

 

Elvin Luku, Eshtë pedagog pranë Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës si dhe Drejtor i Qendrës Shqiptare MediaLook