Edhe pse shpesh duket si klishe, është  vetëm rinia e gjithëpërfshirja e saj , ajo që mundet të lëvizë rrotën e historisë, e që mund ta çojë Shqipërinë në Europë, e njëkohësisht të sjellë Europën në Shqipëri.

 Edona Haklaj

‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’…

Ky mund të jetë tog-fjalëshi më i dëgjuar në të paktën 30 vite,  në një vend si Shqipëria, ku Europa në dekada është parë si një ëndërr, hera-herës e afërt, e hera-herës e largët.

Në protesta e tubime, në biseda kafenesh a diskutime të rëndësishme, shprehja e mësipërme vijon të jetë prezente. Prezente, shpesh si një slogan shoqërues, shpesh si  krenari a arritje që po i afrohemi Europës, e jo pak herë dhe si një dilemë, nëse ne jemi gati për t’iu afruar a bashkëngjitur terrenit europian. Mjafton të pyesësh të rinjtë sot, për domethënien që ka për ta Europa, a thënë më mirë rrugëtimi drejt integrimit europian.                Përgjigjia në asnjërin rast nuk do të jetë e njejtë,  madje mund të marrësh mbrapsht dhe heshtje. Megjithatë, në këto kampe të ndara përgjigjesh e mendimesh, lehtësisht mund të vësh re dëshirën e tyre të brendshme, dhe shpresën që një ditë të arrihet ai rrugëtim, rrugëtimi i nisur nga prindërit dekada më parë , e që për tu arritur, i ka kaluar stafetën brezit tjetër, të rinjve. Në fakt, mes përgjegjësive që brezat i  kalojnë njëri- tjetrit, nuk mungon as pesimizmi e zhgënjimi. Nuk mungojnë as dilemat e as skepticizmi. Janë skeptikë nëse vendi i tyre do bëhet, skeptikë për arritjen e demokracisë apo rënien e saj, e skeptikë nëse do të ketë një finale të shumëpritur të rrugëtimit europian.  Në kryqëzimin e këtyre dilemave, janë po këta të rinj, që nuk e shmangin dot realitetin e vendit ku jetojnë, e që sytë i kthejnë nga Europa, shpesh për t’iu gjetur zgjidhje, e në raste të tjera për ta parë si zgjedhje. Janë po këta të rinj, që kërkojnë të angazhohen brenda ose jashtë vendit, si një formë ndërveprimi, me synim dhënien jetë  zhvillimit të vendit të tyre. Janë po këta të rinj, që eksperiencën e fituar vendeve e institucioneve europiane, kërkojnë ta sjellin në Shqipëri, si një dhënie dore për dëmokratizimin e vendit. Janë po këta të rinj, që tanimë nuk mjaftohen vetëm me fjalën, duan vepra. Janë të rinj që nuk mjaftohen më premtimet, por duan veprime. Janë të rinj, që qëllimin e kanë të njëjtë, pavarësisht angazhimit apo jo: Një Shqipëri Europiane, një shtet demokratik e ligjor, një shoqëri ku mund te jetohet e punohet, e ku kontributi i profesionistëve është hapi kyç, në rrugëtimin e trenit europian. Mbase destinacioni nuk është i afërt, mbase  mundet të vijë dhe më shpejt nga çfarë mendohet. E sigurt është vetëm një gjë: Nuk ka të ri që nuk e dëshiron integrimin në Bashkimin Europian.

Edhe pse shpesh duket si klishe, por është  vetëm rinia e gjithëpërfshirja e saj , ajo që mundet të lëvizë rrotën e historisë, e që mund ta çojë Shqipërinë në Europë, e njëkohësisht të sjellë Europën në Shqipëri. Kontekstet politike a historike , që e ndjekin zhvillimin e një vendi, nuk mund të mos ndikojnë në bindjet që populli formon, por siç ka thënë Çurçill: ‘Kush është optimist e sheh mundësinë pikërisht në kohë të vështira’

 

Edona Haklaj, është Ambasadore e të rinjve për Ballkanin Perëndimor, program i BE-së