Studimet e fundit tregojnë se rreth 70% e të rinjve e kanë menduar të largohen përgjithmonë nga Mali i Zi. Në Mal të Zi, si kudo në rajon, të rinjtë janë gjithnjë e më pak të gatshëm të presin për kohët më të mira që do të vijnë.

Edin Koljenovic

Në dekadat e shkuara, rajoni i Ballkanit Perëndimor është përballur dhe ende përballet me probleme demografike. Kjo dëshmohet nga fakti se numri i njerëzve që i përkasin popullsisë në moshë pune në Ballkanin Perëndimor është ulur me gati gjysmë milioni gjatë pesë viteve të fundit. Kjo jo vetëm për shkak të shifrave negative në lidhje me shtimin natyror të popullsisë, por gjithashtu dhe për shkak të shumë faktorëve të tjerë – kryesisht politikë dhe ekonomikë – që ju dhanë formë tendencave të përmendura më lart dhe, veçanërisht, prirja e të rinjve për tu larguar nga zona jonë.

Mali i Zi ka bërë progres për sa u përket negociatave të pranimit në BE, por duket se ky progres nuk ka sjellë ende ndonjë rezultat të prekshëm që do të ishte i dukshëm për qytetarët, veçanërisht për brezin e ri.  Përkundrazi, studimi i fundit i bërë nga Fondacioni Westminster për Ballkanin Perëndimor tregoi se rreth 70% e të rinjve e kanë menduar të largohen nga Mali i Zi.

Pyetja pse të rinjtë po largohen nga Mali i Zi dhe nga rajoni në tërësi është shumë komplekse, por çfarë është i dukshëm është fakti që të rinjtë, gjithnjë e më pak duan të presin që të vijnë kohë më të mira.  Ata zgjedhin të largohen thjesht për të vënë në shfrytëzim aftësitë e tyre, veçanërisht në këto kohë mundësish të mëdha dhe lidhjesh me vendet më të zhvilluara. Sigurisht, ky nxitim për t’u larguar nuk mund t’i atribuohet vetëm faktit që të rinjtë janë “të padurueshëm”, por përkundrazi ata shohin nga përvoja se shumë breza kanë “pritur” dhe nuk i kanë “përjetuar” këto kohë më të mira.

Largimi i të rinjve është një problem i cili, për fat të keq, rrezikon thelbin e vetë shtetit, domethënë, themelet dhe të ardhmen e tij. Duke mos bërë reagimin e duhur, ne thjesht po tregojmë se nuk e kuptojmë si duhet shprehjen ‘të rinjtë janë e ardhmja’.  Me largimin e të rinjve nga rajoni, vendet tona humbasin potencialin e tyre themelor të zhvillimit, ata humbin substancën e tyre prodhuese.  E thënë thjeshtë, pa të rinj – nuk kemi të ardhme.

Megjithatë, nëse hedhim një vështrim se si janë gjërat sot, do të shohim se ka shumë tema të tjera në fokus të cilat, për fat të keq, marrin një sasi të madhe energjie e cila në të kundërt mund të ishte forcë krijuese.   Është interesante të theksohet se të rinjtë nuk largohen vetëm për shkak të gjendjes ekonomike, megjithëse sigurisht që është një nga arsyet kryesore.  Të rinjtë largohen gjithashtu për shkak të ndjenjës së pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë – ligjore, politike dhe shoqërore në përgjithësi.

Ajo që e rëndon më tej Malin e Zi janë tensionet në rritje në skenën social-politike gjatë viteve të fundit, të cilat sigurisht kanë një ndikim të rëndësishëm tek të rinjtë. Kapja nga retorika e ndarjes, nacionalizmave dhe kthimit të së kaluarës, dhe veçanërisht konflikteve të së kaluarës, në një mënyrë që inkurajon përçarjen, ka pasur një ndikim të madh tek të rinjtë. Një nga pasojat është refuzimi i tyre për të vazhduar të jenë pjesë e keqkuptimeve të Ballkanit Perëndimor, kështu që ata në mënyrë të qartë dhe gjithnjë e më shumë po vendosin të largohen.

U takon të gjithë aktorëve socialë të kuptojnë se ne duhet ta trajtojmë këtë problem me gjithë zemër dhe sa më hapur, sepse koha nuk është në anën tonë në këtë rast.   Një mënyrë do të ishte të investonin te të rinjtë duke siguruar sa më shumë mundësi për zhvillimin e tyre personal dhe profesional, veçanërisht për t’i inkurajuar ata të rriten si anëtarë proaktivë dhe të përgjegjshëm në komunitet. Një aspekt veçanërisht i rëndësishëm është dhënia e mundësisë të rinjve për të lëvizur në rajon, për mësimin, krijimin e lidhjeve dhe dialogun ndërkulturor rajonal. Në këtë mënyrë ne mund të punojmë për krijimin e brezave të ardhshëm që do të kenë një vizion të qartë për një Ballkan Perëndimor që jeton në paqe, është bashkëpunues, i besueshëm dhe së fundi, ka stabilitet dhe prosperitet ekonomik.  Vetëm një rajon i tillë do të ishte një rajon më i mirë për të rinjtë, dhe ky ndryshim fillon me vetë ata.

 

Edin Koljenoviç, Drejtor i Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO), Dega Vendore e Malit të Zi