Të gjithë punonjësve mjekësorë, faleminderit që ngriheni çdo ditë dhe nuk hiqni dorë, sepse nëse ju hiqni dorë nga ne, nuk do të ketë vërtetë asgjë në këtë sistem jo-ekzistues të kujdesit shëndetësor.

Dragoslava Barzut

 

Javën e kaluar, kisha një dhimbje stomaku e cila nuk u largua as të nesërmen, as të pasnesërmen, dhe ishte veçanërisht e keqe gjatë natës; u mundova dhe m’u desh të bëja diçka. Si fillim, thirra qendrën shëndetësore në lagjen time (Karaburma) për të bërë një takim me një mjek të përgjithshëm. Sigurisht, nuk u befasova kur infermierja më tha që doktori im ishte me raport mjekësor (po, mjekët gjithashtu kanë të drejtën e raportit mjekësor!). Sidoqoftë, u habita që dikush iu përgjigj telefonit. Mbaj mend një kohë kur ai opsion nuk ishte i disponueshëm. Gruaja ishte e sjellshme, ajo më pyeti se çfarë më kishte ndodhur dhe më tha të shkoja të shikoja mjekun në detyrë atë ditë, ajo më caktoi një ekzaminim dhe më ofroi një orar të saktë për takimin tim. Brenda gjysmë ore isha në dhomën e pritjes, duke pritur që të thirrej emri im.

Kishte rreth njëzet persona të tjerë që prisnin takimet e tyre, disa me gjendje shumë serioze. Një zotëri i moshës së mesme humbi ndjenjat. Brenda gjysmë ore ata më thirrën emrin, hyra në një zyrë të vogël me një ngrohës uji mbi lavaman dhe një peshqir të gjelbër ulliri me shkronja P.B të shkruara. Mjeku që m’u afrua ishte shumë i ri, aq i ri sa ndihesha shumë e plakur. Kurrë nuk isha ekzaminuar nga mjekë aq të rinj sa gjatë atyre ditëve. Pas një bisede të shkurtër, arritëm në përfundimin se ai duhet të më referonte për një ekzaminim në gastroenterologji. Heshti për disa minuta, klikoi në kompjuterin e tij shpejt dhe pastaj foli me vete: nuk jam i sigurt se ku duhet t’ju dërgoj, nuk ka asgjë, Zvezdara gjithashtu u bë një qendër Covid sot …

Unë nuk thashë asgjë, nuk ofrova opsionin për të paguar vetë kontrollin, sepse nuk i kam aq para. Ai mendoi për këtë dhe më në fund vendosi të më shkruante një shënim për qendrën klinike, Departamenti i Kirurgjisë. Ishte e premte, mbijetova fundjavën, dhe të hënën u paraqita në qendrën klinike. Mbërrita atje në orën 9, thirra sportelin ku mora emrin e mjekut dhe një takim. Ishte plot me njerëz – njerëzit, që ishin padyshim në dhimbje, ishin shumë nervozë, dhe ata që i shoqëronin ishin edhe më nervozë. E lashë një zonjë të moshuar të sjellë nga nusja e saj të dilte para meje. Punonjësi mjekësor pas banakut e pyeti nusen e saj:

– Dhe ku është burri juaj?

– Ai është duke pritur në makinë.

Në orën një e gjysmë më thirrën. Edhe mua më kishte sjelle dikush, partneri im, por ne nuk e komunikuam atë, dhe askush nuk na pyeti.

Një çift i martuar që po priste me ne më parë hyri së bashku – burri pyeti nëse mund të hynte brenda me të? – Sigurisht që mundeni. Partneri im nuk kërkoi asgjë. Unë u ekzaminova nga një mjek, të dy, një vajzë dhe një djalë i ri; ata ishin edhe më të rinj se mjeku i përgjithshëm nga Karaburma. Tepër të rinj, të kujdesshëm dhe të butë. Ata më pyetën nëse mund të bëja kolonoskopi diku? Sinqerisht u thashë se ishin shumë para, kështu që nëse ka mundësi … Ata gjetën një zgjidhje. Këta janë njerëzit që dua të duartrokas. Të gjithë punonjësve mjekësorë, faleminderit që ngriheni çdo ditë dhe nuk hiqni dorë, sepse nëse ju hiqni dorë nga ne, nuk do të ketë vërtetë asgjë në këtë sistem jo-ekzistues të kujdesit shëndetësor… Le të kujdesemi për njëri -tjetrin dhe të jemi mirënjohës për aq kohë sa kemi akoma diçka për të qenë mirënjohës.

 

Dragoslava Barzut, Nisma Civile