Nëse ‘humnera’ mes vendimeve gjyqësore dhe ‘pritshmërisë’ së viktimave vazhdon të mbetet, ne nuk do të përjetojmë kurrë vitet e katarsisit, në të cilat drejtësia dhe kënaqësia që vjen prej saj hapin rrugën e pajtimit.

Dino Mustafic

Sapo kam përfunduar një dramë të bazuar në romanin e Tvrtko Kulenovic ‘Historia e Natyrshme e një Sëmundjeje’, që hapet me një fjali të bukur dhe të dhimbshme njëkohësisht: ‘Kur biem në gjumë, ne kalojmë në një ëndërr nga e cila zgjohemi. Kur të vdesim, ne kalojmë në një ëndërr nga e cila nuk do të zgjohemi kurrë. Edhe kur kemi lindur, kemi hyrë në një ëndërr nga e cila nuk jemi zgjuar kurrë.’

Së fundmi i thamë lamtumirë një njeriu që ishte ndoshta i fundit që ishte i yni dhe i takonte njëlloj si Beogradit po aq edhe Zagrebit, Sarajevës apo Splitit, Mostarit si edhe Rijekës. Ai shihej si i yni gjithkund sepse ai ishte vetja dhe kishte pjesën e tij në fushën e muzikës dhe artit. Largimi i një prej më të mirëve, siç ishte Djordje Balasevic, bashkoi të gjitha qytetet e një vendi të shkuar, një që i këndonte vargjet e tij si një betim, një fakt identifikues i brezit. Ishte njëlloj si largimi i Mira Furelan, një diva e filmit dhe teatrit ish-jugosllav, – ne i kujtojmë rolet e saj dhe gjestin fisnik qytetar për t’iu kundërvënë nacionalizmit që shkatërroi të gjitha vlerat shoqërore.

Kjo ndodh zakonisht kur të mëdhenjtë na lënë – ata të cilëve iu mveshim emocionet e përbashkëta të nostalgjisë për vlerat e bashkimit që kanë kohë që nuk janë më, dhe besimin se mund të kishim bërë më shumë së bashku në të mirë dhe në keq, në jetë dhe vdekje. Tridhjetë vjet kanë kaluar, dhe vdekja mbetet e vetmja hapësirë për kujtimin e ish atdheut. Artistët, shkrimtarët dhe anëtarët e komuniteteve të ndryshme akademike mund të luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e pajtimit të pasluftës. Është e qartë se gjuha artistike e emocioneve mund t’i afrojë më shumë perspektivat tona për çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Për fat të keq, shkenca sociale e historisë përdoret ende si një mjet për ta forcuar atë që është kombëtare. Shkrimi i historisë në fqinjësinë tonë karakterizohet nga pafajësia jonë e organizuar dhe fajësia e Tyre e orkestruar. Askush nuk ka qenë autor i krimit dhe të gjithë kanë qenë viktima.

Historia vazhdon të jetë një mjet për përhapjen dhe forcimin e identiteteve kombëtare. Kultura e kujtesës është jashtëzakonisht e rëndësishme për të ardhmen e fqinjësisë sonë sepse hap mundësinë për tu përballur me të kaluarën tonë, duke ri- shqyrtuar nga ana morale rolin që institucionet dhe individët kanë luajtur gjatë dhunës dhe terrorit të viteve 1990-të. Mohimi dhe gënjeshtat e institucionalizuara në funksion të një agjende politike, fuqizuan pushtetin dhe pozicionin e atyre individëve dhe grupeve të cilët nuk duan pajtimin dhe besimin. Kjo është arsyeja pse po presim, dhe shohim fëmijë të rinj në bllok që kanë luftuar kundër indiferencës për vite me rradhë. Midis tyre janë një numër artistësh që kanë një rol kryesor në kthimin e besimit dhe për pasojë, pajtimin. Është e qartë se ne nuk mund ta harrojmë atë që ka ndodhur, por është gjithashtu e qartë se duhet të falim. E vetmja mënyrë që kjo të mund të ndodhë është që çdo fjalë të shkruhet, çdo lot të peshohet, dhe çdo viktimë të kujtohet. Ne duhet të kultivojmë një kulturë dhembshurie dhe keqardhjeje, dhe të sigurohemi që brezat e ardhshëm nuk do t’i përsërisin asnjëherë mizoritë ndaj atyre me kombësi dhe besime fetare të ndryshme.

Nëse ‘humnera’ mes vendimeve gjyqësore dhe ‘pritshmërisë’ së viktimave vazhdon të mbetet, ne nuk do të përjetojmë kurrë vitet e katarsisit, në të cilat drejtësia dhe kënaqësia që vjen prej saj hapin rrugën e pajtimit.

Të mëdhenjtë na kanë lënë një trashëgimi të punës dhe bukurisë së tyre, si gjatë jetës, ashtu edhe në vdekje, e cila thyen zinxhirin e transmetimit ndër-brezor të dhunës dhe urrejtjes.

 

Dino Mustafic, drejtor i mirënjohur i shumë pjesëve teatrore dhe filmave në Bosnjë-Hercegovinë; ai ka punuar me teatrot më të mëdhenj në rajon dhe versioni i tij i Natës së Helverit mbetet pjesa më me shumë çmime ndërkombëtare në teatrin e Bosnjë Hercegovinës.