Ne gjithmonë themi se sipërmarrjet sociale motivohen për të zgjidhur probleme të caktuara në komunitet, dhe se e bëjnë këtë duke shitur me sukses shërbimet dhe produktet e tyre në treg.

Dina Rakin

Një mik më telefonoi nga mesi i prillit të vitit të kaluar, në kulmin e mbylljes në karantinë: ‘Dina, kjo është e tmerrshme! Njerëzit janë në hall të madh, veçanërisht tani që nuk mund të dalin jashtë. Ne punojmë edhe në fshat, kështu që është më e lehtë për njerëzit sepse mund të dalin në kopshtet e tyre, por, ju e dini, këto janë familje rurale, të vjetra, ata kanë nevojë për ndihmë. Unë kam njerëz që dalin në fushë, por nuk fle sepse nuk di si t’i mbroj punëtorët e mi, si t’u ofroj atyre pajisje, dhe në anën tjetër, si t’u ofroj shërbime njerëzve. Çfarë kohe e vështirë!’

Mika drejton një sipërmarrje sociale e cila ofron shërbime të ndryshme për komunitetin, dhe punon po ashtu për integrimin e personave që kanë vështirësi të hyjnë në tregun e punës. Kur flasim për sipërmarrjen sociale si sektor i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë merret me zhvillimin e komuniteteve lokale përmes pjesëmarrjes në treg, ne shpesh e neglizhojmë këtë aspekt të organizimit të brendshëm të një kompanie: kushtet e punës, marrëdhëniet e punës, të drejtat e punës. Ne i shpërfillim ata që përkrahin sipërmarrjen sociale, ata që i mundësojnë këto sipërmarrje sociale të shkojnë tek të gjithë ata që kanë nevojë të integrohen në shoqëri në mënyra të ndryshme.

Më kujtohet një studim për unionet sociale në Itali që trajton pikërisht këtë çështje. Ata anketuan punonjësit dhe vullnetarët në këtë lloj sipërmarrjeje sociale me qëllim për të përcaktuar arsyet dhe motivet për angazhimin e njerëzve në këto kompani, si dhe për të vlerësuar kënaqësinë brenda unioneve sociale. Një nga arsyet kryesore pse njerëzit ishin më të gatshëm të punonin në këtë sektor është se standardet dhe kushtet e punës fokusohen me të vërtetë tek individi. Punonjësit dhe vullnetarët, por edhe të gjithë të tjerët që kanë lidhje me unionin social, ndiejnë se i përkasin komunitetit në të cilën punojnë, sepse baza e aktiviteteve të unionit (si të brendshme, ashtu edhe të jashtme) ka të bëjë me përshtatjen e këtyre aktiviteteve për njerëzit, sensibilitetet, aftësitë dhe nevojat e tyre.

Kjo u konfirmua nga sjellja e sipërmarrjeve sociale në Evropë që nga kriza financiare e vitit 2008. Sektori i vetëm që ka shfaqur rezistencë dhe ka vazhduar të rritet gjatë krizës, në fakt, ka qenë sipërmarrja sociale. Kjo rritje është matur nga rritja e numrit të të punësuarve, nga numri në rritje i sipërmarrjeve sociale, e për rrjedhojë edhe nga numri në rritje i personave që përfitojnë prej shërbimeve të tyre. Ndërsa Italia përjetoi një ulje të ndjeshme të numrit të të punësuarve në vitin 2009, numri i të punësuarve në kooperativat sociale u rrit me 2.7 për qind. Në Spanjë, tremujori i fundit i vitit 2011 regjistroi papunësinë më të madhe në ekonominë e 5 milionë njerëzve, megjithatë kooperativat ishin ato që rritën numrin e të punësuarve me 7.2 për qind.

Këto statistika nga sektori intrigues, një fenomen i pakapshëm, tërhoqën vëmendjen e aktorëve të ndryshëm. Kjo është arsyeja pse ka përkufizime, kritere dhe matje të ndryshme për të na ndihmuar të kuptojmë sektorin brenda kuadrit tradicional, para së gjithash: si ta rregullojmë atë nga ana ligjore, si të ndihmojmë zhvillimin e tij dhe si të parandalohet abuzimi. Këto janë përpjekje për të siguruar që paratë që ne investojmë të kenë një ndikim dhe rezultat të qartë në shoqëri. Por a nuk janë qasjet tradicionale ndaj atyre ekonomike që janë provuar si më të dëmshme për njerëzimin? Vlerat ​që po krijojnë ekonomitë në mbarë botën, pavarësisht nga të gjitha paralajmërimet, bazohen tek lakmia, konkurrenca, egoizmi, gjenerimi i nevojave falso dhe artificiale, tjetërsimi i mëtejshëm i njerëzve.

Ne gjithmonë themi se sipërmarrjet sociale motivohen për të zgjidhur probleme të caktuara në komunitet, dhe se e bëjnë këtë duke shitur me sukses shërbimet dhe produktet e tyre në treg. Fokusi në gjetjen e zgjidhjeve është arsyeja pse u kthehemi atyre në momente të tërmeteve globale – duket se këmbëngulja është diçka e mbinatyrshme. Asgjë nga kjo nuk është e mbinatyrshme. Thjesht është fakti se të gjitha organizatat brenda një ekonomie sociale e bazojnë punën e tyre në dy vlera ​​dhe parime: solidariteti dhe bashkëpunimi.

Nga mesi i marsit të këtij viti fola sërish me Mikan, këtë herë për pasojat e krizës. Një fjali që do ta mbaj mend dhe do të vazhdoj ta përsëris kur të pyetem për sektorin e sipërmarrjeve sociale në Serbi: “Dina, qëllimi ynë ishte ruajtja e vendeve të punës dhe sigurimi i përkrahjes për përdoruesit tanë. Ia arritëm. Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.”

 

Dina Rakin, drejtoreshë e Koalicionit për Zhvillimin e Ekonomisë së Solidaritetit