Lista e mbështetësve të “Operacionit Çlirimi” është e gjatë dhe në të mund të gjenden, si njerëz që janë jashtë politikës dhe mbështetës të një krahu të caktuar politik. Ne kemi të njëjtin qëllim; kërkesat tona janë të njëjta dhe kanë rëndësi kombëtare … Dekriminalizimi dhe legalizimi e kanabisit.

Davor Popivoda            Ognen Uzunovski

 Kohët e fundit, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për krijimin e një grupi pune që do të merret me ndryshimin e ligjit për lëndët narkotike, kështu që më në fund çështja aktuale e dekriminalizimit dhe legalizimit të kanabisit duhet të votohet në kuvend pas rregullimit të të gjitha çështjeve të rëndësishme.

Nisma u paraqit përmes lëvizjes “Operacioni Çlirimi” (Operacija Osloboduvanje), qëllimi kryesor i së cilës është dekriminalizimi i mbajtjes dhe kultivimit të kanabisit për përdorim personal, dhe më pas legalizimi i plotë i kultivimit, shitjes dhe konsumimit të kanabisit, përmes një kornize ligjore të mirë përcaktuar.  Baza e “Operacionit Çlirimi” është OJQ-ja ZNAM (Agjenda Kombëtare e Gjelbër e Maqedonisë) e themeluar në maj të vitit 2017 dhe që gëzon mbështetjen e mijëra njerëzve nga të gjitha sferat e jetës si dhe të OJQ-ve dhe shoqatave të tjera qytetare.

Është e domosdoshme që të rrisim numrin e rasteve shëndetësore për të cilat mund të përdoret kanabisi sipas mjekësisë së bazuar në prova, për t’u siguruar që ilaçet me bazë kanabisi mund të këshillohen jo vetëm nga publiku por edhe nga mjekët, por gjithashtu të jetë mundësia e zgjedhjes personale – pacienti të cilit i është përshkruar terapi me kanabis të jetë në gjendje ta rrisë dhe ta përdorë kanabisin në formën që i përshtatet atij. Ne gjithashtu kërkojmë: hapjen e të ashtuquajturave “klube shoqërore” ku kanabisi do të shitet dhe konsumohet në mënyrë të ligjshme; Përfaqësues të OJQ-ve të përfshihen në Agjencinë e Kanabisit; krijimin e një fondi të veçantë – shitja e ligjshme e kanabisit do të gjenerojë shuma të mëdha që do të hyjnë në buxhet, dhe një pjesë e taksës që do të gjenerohet në buxhet nga shitja e kanabisit do të rialokohet në atë Fond, për të ndihmuar në trajtimin e sëmundjeve të rralla si dhe në ndihmë të grupeve të margjinalizuara.

Me dekriminalizimin, të gjithë do të mund të mbajnë dhe të rrisin kanabis për përdorim personal, dhe me legalizimin, ata do të mund ta blejnë nëse vendosin që nuk duan ose nëse nuk janë në gjendje ta rrisin vetë.  Është një proces që do të kërkojë shumë debate dhe ekspertizë. Ka shumë shembuj në botë se si mund të rregullohet. Këto janë përvoja pozitive që duhet të studiohen dhe të mos kopjohen ose zbatohen në mënyrë të verbër.  Çdo vend është i ndryshëm. Përfaqësuesit e qeverisë dhe opozitës, sektorit joqeveritar, ekspertë të shëndetësisë dhe ligjit – janë thelbësorë në hartimin e një kornize ligjore të saktë që do të zbatohet, dhe nëpërmjet së cilës do të zbatohet procesi i dekriminalizimit dhe legalizimit.

Duke rregulluar këto çështje, ne jemi të bindur se do të krijohen qindra, në mos mijëra vende pune, një shumë e konsiderueshme parash do të gjenerohet në Buxhet dhe Fond, dhe do të krijohet një mundësi për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dhe kështu, shteti do të hapet. Pa dyshim, Maqedonia do të jetë në hartën turistike, dhe ky është një fitim për shumë sektorë dhe industri.  Kjo do të sillte një goditje serioze ndaj klaneve kriminale që fitojnë miliona euro në vit nga shitja e paligjshme e kanabisit, të cilën ata më pas e përdorin për ryshfet dhe korrupsion me policinë, gjyqësorin dhe institucionet shtetërore, si dhe autoritetet lokale.

Lista e mbështetësve të “Operacionit Çlirimi” është e gjatë dhe në të mund të gjenden, si njerëz që janë jashtë politikës dhe mbështetës të një krahu të caktuar politik. Ne kemi të njëjtin qëllim; kërkesat tona janë të njëjta dhe kanë rëndësi kombëtare … Dekriminalizimi dhe legalizimi janë ato që i duhen Maqedonisë!

 

Davor Popivoda – avokat dhe, Ognen Uzunovski, Shoqata ZNAM