Ne vazhdojmë të shohim shkelje të të drejtave të njeriut të komunitetit Rom, dhunë ndaj fëmijëve Romë në shkolla, diskriminim në institucione të ndryshme publike, përfshij sistemin e kujdesit shëndetësor, gjë që është veçanërisht shqetësuese në një kohë kur bota po përballet me një pandemi.

 Daut Qulangji

 Pandemia e korona virusit ka ndikuar në jetën e përditshme të të gjithëve, megjithatë, duket se tani për tani në Kosovë gjendja është më e vështirë për Romët, të cilët zakonisht janë të margjinalizuar, të rënduar nga varfëria dhe përballen me sfida të shumta.

Kushtet e vështira të jetesës së komunitetit Rom në Kosovë janë ndërlikuar më tej nga pandemia, dhe për momentin shumë familje po përballen me mungesën e gjërave bazë të jetesës, gjë që e bën situatën alarmante.

Informacioni nga terreni tregon qartë se komuniteti rom në Kosovë po përballet me vështirësi të shumta në të gjitha sferat e jetës.  Problemet më të mëdha që pasqyrohen në jetën e përditshme kanë të bëjnë me shëndetin, arsimin dhe punësimin, ku kuotat e parashikuara nga ligji kur bëhet fjalë për punësimin e komuniteteve të pakicave ende nuk respektohen.

Problemet e strehimit, përfshij vështirësitë për sa i përket mbrojtjes sociale, është provuar se, më shumë se kurrë, janë barrë për jetën e romëve.   Një numër i madh i tyre jetojnë në kushte të këqija sanitare, ata nuk kanë furnizim me ujë të pijshëm ose higjienë elementare.  Ata shpesh jetojnë në shtëpi pa infrastrukturën bazë.

Prandaj, masat parandaluese bazë kundër COVID – 19, si p.sh., larja e duarve me ujë të nxehtë, janë të pamundura për ta.  Aksesi i pabarabartë në kujdesin shëndetësor primar tani është një problem përveç përjashtimit dhe veçimit shoqëror që ekzistonin dhe më parë.

Shkalla e ulët e punësimit të romëve të margjinalizuar pësoi rënie të mëtejshme gjatë krizës së Koronës.   Masat sociale të miratuara nga shteti zbatohen vetëm për njerëzit që kanë humbur punën e tyre zyrtare dhe të rregullt, dhe kjo nuk ka ndihmuar në lehtësimin e pozicionit të Romëve sepse ata ishin të papunë edhe para krizës.

Paketa e ndihmës fiskale të Qeverisë së Kosovës nuk i mbulonte sa duhej nevojat e komuniteteve të ndryshme, veçanërisht të Romëve.  Shumë besojnë se ky është rezultat i mungesës së informacionit real rreth gjërave, por edhe burokracia e panevojshme që ka prekur një numër të madh njerëzish, duke mos u lënë mundësi atyre të aplikojnë për paketat e ndihmës.

Duke kaluar te klasat online, studentët e komunitetit rom nuk mund të merrnin pjesë siç duhej në procesin e edukimit për shkak të mungesës së internetit dhe telefonave inteligjentë … Disa OJQ kanë ndërmarrë iniciativa për të dhuruar telefona inteligjentë dhe laptop-ë për fëmijët që nuk kanë mundësi, në mënyrë që ata të mund ti bashkohen mësimit në distancë.

Problemi i qasjes në internet e ka bërë vaksinimin të pamundur edhe për shumë romë, sepse ata nuk mund të aplikonin në mënyrë elektronike siç ishte planifikuar.

Pandemia pati efekt negativ edhe në ekonomi.  Të varfrit u bënë edhe më të varfër.  Izolimi dhe kufizimi i lëvizjes i kanë goditur më së shumti romët, pasi shumica mbijetojnë duke ricikluar materiale të cilat i kërkojnë nga një vend në tjetrin, nga një kazan në tjetrin.

Ne vazhdojmë të shohim shkelje të të drejtave të njeriut të komunitetit Rom, dhunë ndaj fëmijëve Romë në shkolla, diskriminim në institucione të ndryshme publike, përfshij sistemin e kujdesit shëndetësor, gjë që është veçanërisht shqetësuese në një kohë kur bota po përballet me një pandemi.

Për këtë arsye është e rëndësishme të flasim hapur dhe publikisht rreth diskriminimit dhe të dëgjojmë zërin e romëve. Kjo është edhe arsyeja pse arsimi i fëmijëve romë është i rëndësishëm, sepse siç ka thënë Nelson Mandela dikur, ‘arsimi është arma më e fortë që mund të përdorni për të ndryshuar botën’.

 

Daut Qulangji, aktivist rom, redaktor, gazetar në radio dhe televizion prej një kohë të gjatë