Sipas burimeve nga zyra e Kryeministrit Krivokapiç, Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç përdori ndikimin e tij për të penguar mbajtjen e procesionit në gjunjë, siç ishte njoftuar më parë.

Brano Mandiç

Qeveria e Malit të Zi sot do të mbajë sesionin e parë të procesionit liturgjik, që do të nisë në qendër të Podgoricës dhe do të përfundojë në lagjen Doljan, në rrënojat e kishës vendase që nga koha e perandorit Justinian.

Kryeministri Zdravko Krivokapiç pritet të drejtojë procesionin qeveritar, ndërsa dymbëdhjetë ministrat do vendosen dyshe në rreshtin e lutjes.

Tema e sesionit është gjendja aktuale ekonomike dhe sezoni i ardhshëm turistik. Shoferëve të automjeteve dhe karrocave me kuaj u është kërkuar t’i hapin rrugën qeverisë gjatë sesionit të parë ‘botëror’ të procesionit liturgjik.

“Kjo do të jetë marka jonë, le të merret vesh se Mali i Zi ka një trup të shëndetshëm si dhe një shpirt të shëndetshëm. Ne shitëm një milion e gjysmë euro në vlerë limuzina nga epoka e Gjukanoviçit, por nuk është mjaftueshëm. Duhet të ecim përpara, shpirtërisht, dhe në këmbë!” Shkruajti Krivokapiç në twiter.

Sipas burimeve nga zyra e Kryeministrit Krivokapiç, Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç përdori ndikimin e tij për të penguar mbajtjen e procesionit në gjunjë, siç ishte njoftuar më parë.  Krivokapiç deklaron haptazi se gjunjëzimi në dyshe ose gjunjëzimi i dyfishtë, vërtet do t’i lidhte shpirtërisht Ministrat dhe do t’i ngrinte në lartësinë e marrjes së vendimeve serioze.

Statuti i Qeverisë përcakton se nëse ndonjërit prej ministrave i shfaqet ndonjë vizion gjatë sesionit liturgjik, procesioni do të ndalet dhe do të formojë një rreth lutjesh. Nëse vetë Kryeministrit i shfaqet një vizion, Statuti kërkon që vendi të shënohet dhe të regjistrohet si pronë shtetërore.

Koha e zgjedhur nga qeveria malazeze për sesionin e procesionit liturgjik nuk është ideale, pasi Kisha Ortodokse Serbe po vendos për njohjen kanonike të së ashtuquajturës “auto – procesion”. Krijohet përshtypja se Qeveria po bëhet palë dhe po bashkohet kundër të ashtuquajturve Krijues të Rinj që përshëndesin auto -procesionin, me kusht që të përdoret karburant pa plumb.

“Ne nuk ndërhyjmë në çështjet e kishës dhe as nuk jemi nën ndikimin e klerit. I lutemi Zotit të na besojë, ashtu siç i besojmë ne Atij’, tha Krivokapiç në një bisedë jozyrtare me gazetarët e Radio Mali i Shenjtë.

Procesioni i Podgoricës do të jetë mundësi për të testuar pajisjet e prokuruara nga Qeveria, me qëllim zbardhjen e plotë dhe mbajtjen e duhur të notave zyrtare. Është një spektrometër elektromagnetik rus që mat valë të padukshme që dyshohet se ndodhin çdo herë që dikush shqipton titullin e plotë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sporteve.

Një ekspert jo-partiak me së paku dy vjet përvojë në ushtri do ta marrë pajisjen e shtrenjtë, të quajtur gjerësisht SecretOpticum, të cilën Krivokapiç do ta përdorë për të përcaktuar modelet e lutjeve jo-verbale gjatë marrjes së vendimimeve nga ana e tij.

Në fund të ditës së punës Krivokapiç dhe ministrat do të kryejnë liturgjinë në manastirin Zlatica në Doljan ndërsa Abazoviç, si anëtari i vetëm i ekipit që i përket fesë islame, do të koordinojë leximin e të dhënave të para të SecretOpticum dhe do t’u drejtohet gazetarëve në rezidencën e manastirit.

Në qoftë se menaxhimi i procesionit del me sukses, dhe SecretOpticum del se është një investim i mirë, qeveria planifikon të hapë negociatat me Kishën mbi të drejtën e autorit dhe formimin e një institucioni të përbashkët studimor, i cili do të kishte për qëllim tregun politik ndërkombëtar.

 

Brano Mandiç, gazetar dhe shkrimtar, një nga editorialistët më të lexuar në Malin e Zi