Kriza shëndetësore dhe ekonomike ka treguar se është i nevojshëm komunikimi i vazhdueshëm 24 orë, në mënyrë aktive midis vendeve të rajonit.  Ky komunikim duhet të koordinohet nga një vend, i cili do të ketë funksionin e inkurajimit të bashkëpunimit midis 6 vendeve të rajonit.

Branko Azeski

Në një periudhë prej gati një viti e gjysmë, kur bota u gjend mes krizës më të madhe shëndetësore dhe ekonomike, ekonomia maqedonase ka treguar qëndrueshmëri.    Ka pasoja negative, por ka edhe përpjekje të mëdha për mbijetesë.  Recesionet, bllokimi i korridoreve, anulimi i porosive, pamundësia për të importuar lëndë të parë, mbyllja e plotë e transportit dhe lëvizjes, kjo ishte panorama në muajt e parë të krizës së Covid-19-ës. Kompanitë janë përballur me shumë dilema, shumë pyetje që duhet të marrin përgjigje.  E gjitha kjo ishte e re për kompanitë, por edhe për Dhomën. Krizë me përmasa të papara.   Por kjo nuk na befasoi, na inkurajoi që të jemi më të përgatitur dhe të gjejmë pajisjet e duhura për të qenë në shërbim të kompanive, tani, menjëherë, gjatë gjithë kohës.

Dhoma Ekonomike e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë një sërë hapash në interes të funksionimit të biznesit, duke u përpjekur të plotësojë nevojat gjatë krizës së Covid-19 dhe të sigurojë qarkullimin e qetë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit dhe, sigurisht, të njerëzve.

1.

Më pak se një muaj pas fillimit të krizës, në mes të prillit 2020, me iniciativën e sektorit të biznesit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, hynë në veprim korridoret “e gjelbra”.    CEFTA fillimisht miratoi një listë të mallrave ose artikujve kryesorë të rëndësishëm, transporti i shpejtë i të cilave është vlerësuar si thelbësor në krizën aktuale shëndetësore (produkte ushqimore dhe mjekësore dhe pajisje që janë në listën e Organizatës Botërore të Doganave).

2.

Ne morëm pjesë në mënyrë aktive në punën e Këshillit Ekonomik të Qeverisë, ku, së bashku me përfaqësuesit e ekonomisë, sektorit financiar, MANU-t, komuniteteve universitare dhe opozitës, ndërmorëm propozime, masa, dhamë udhëzime dhe rekomandime për krijimin e një pakete masash, me qëllim parandalimin e një dëmi dhe ndikimi dramatik në sektorin ekonomik dhe financiar, si dhe në standardin e qytetarëve.

3.

Së bashku me Dhomën e Tregtisë së Serbisë, në kuadër të aksionit të koordinuar nga Forumi i Investimeve të Dhomës, ne organizuam vaksinimin për më shumë se 2,500 biznesmenë në vend. CIF-i dhe dhomat e tregtisë së rajonit në kuadër të zbatimit të vazhdueshëm të motos “Një rajon, një ekonomi”, treguan se vetëm me përpjekje të përbashkëta rajoni mund ti kapërcejë pasojat e pandemisë dhe të punojë për një rimëkëmbje të shpejtë ekonomike.

4.

Gjendja e përgjithshme e ekonomisë është ende nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Covid-19-ës dhe pasigurisë së madhe, si dhe vlerësohet se pasojat e kësaj të keqeje do të zgjasin të paktën edhe për 10 vjet. Komuniteti i biznesit ka parashikuar gjithashtu ndërprerje të mëdha të likuiditetit, furnizimit dhe shitjeve. Ne bëmë apel për të qenë të përgatitur për atë që pritet të vijë dhe, momenti kyç do të jetë kur ndihma shtetërore të fillojë të ulet gradualisht.   Atëherë, kompanitë e suksesshme do të kenë nevojë për mbështetje, dhe janë rreth 300-500 të tilla që janë në gjendje të ecin përpara. Do duhet të krijohet një fond i veçantë për ta, por në kushte të veçanta – duke përdorur teknologji të reja dhe zgjidhje inovative për investime.

Kriza e kovidit ka nxjerrë në pah dobësitë e sistemit dhe ka treguar qartë se arsimi dhe shëndeti duhet të jenë elementë kyç të zhvillimit. Pa njerëz të shëndetshëm dhe të arsimuar, nuk ka progres të ekonomisë dhe shtetit.  Dhe pikërisht kjo krizë e koronës ka treguar se dobësitë tona më të mëdha janë në këto dy fusha.  Mbrojtja dhe siguria, të cilat kanë pasur përparësi deri tani, duhet të bëhen funksione normale të shtetit.

5.

Kriza shëndetësore dhe ekonomike ka treguar se është i nevojshëm komunikimi i vazhdueshëm 24 orë, në mënyrë aktive midis vendeve të rajonit. Ai do të koordinohet nga një vend, i cili do të ketë funksionin e inkurajimit të bashkëpunimit midis 6 vendeve të rajonit, por gjithashtu do të punojë për harmonizimin e proceseve dhe krijimin e një tregu të përbashkët rajonal në Ballkanin Perëndimor, siç parashikohet në konceptin e katër lirive në të cilat bazohet tregu i përbashkët i BE-së (lëvizja e lirë e personave, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit).  Procesi parashikon një bashkëpunim të zgjeruar në fushën e digjitalizimit, investimeve, inovacionit dhe industrisë dhe mund të jetë një forcë nxitëse që do t’i japë një shtysë të re konkurrencës së kompanive në rajon në periudhën pas-pandemike.

 

Branko Azeski, Kryetar i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut