Zaev po largohet dhe me këtë lëvizje ai po bën një manovër të fundit të dëshpëruar në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e BE-së dhe për t’i kujtuar asaj se, nëse Këshilli Europian në dhjetor sërish nuk arrin të realizojë premtimin e fillimit të negociatave, energjia pro-europiane e shoqërisë maqedonase mund të humbet në mënyrë të pakthyeshme nga horizonti maqedonas.

Borjan Jovanovski

 

Pas katër vitesh si lider i opozitës dhe katër vite të tjera si kryeministër, Zoran Zaev po tërhiqet nga politika. Filloi me shumë entuziazëm, i shtyrë nga ideali i BE-së dhe përfundon si viktimë e po atij entuziazmi që tani, tetë vjet më vonë, duket si naivitet infantil. Në gjysmën e parë të karrierës së tij politike si opozitar, ai kaloi një thriller politik në të cilin ishte objektivi kryesor i qeverisë së korruptuar dhe autokratike të kryeministrit të atëhershëm Nikolla Gruevski. Ai arriti t’i shpëtojë një atentati ndaj tij, ndërsa familja e tij, përfshirë fëmijët e tij, u ngacmuan nga metodat brutale që regjimi i Gruevskit nuk hezitoi t’i përdorë për të mbajtur pushtetin. Në gjysmën e dytë ai mori drejtimin e vendit, i cili në raportet e KE-së shënohej si – i kapur. Në katër vitet që ishte kryeministër, ai kaloi në katër procese zgjedhore dhe një referendum për ndryshimin e emrit të vendit, i cili zgjidhi mosmarrëveshjen 30-vjeçare me Greqinë. Një problem që të gjithë paraardhësit e dinin se duhej zgjidhur, por askush nuk kishte guximin politik ta bënte, sepse ishte më e leverdishme të llogariteshin peripecitë ditore politike që siguruan një karrierë të gjatë politike në kurriz të interesave të shtetit. Në një proces jashtëzakonisht dramatik të ndryshimit të emrit kushtetues, ai arriti të bindë gati 700 mijë qytetarë për të mbështetur këtë proces jopopullor. Askush, duke përfshirë edhe mua si autor të këtij teksti, nuk u ndje rehat duke votuar që vendi ynë të pranonte mbiemrin Veri, por të gjithë ne e kaluam atë petë të madhe në fyt, duke besuar në të gjitha premtimet që na erdhën nga e gjithë Europa se, pas ndryshimit të emrit do të bëheshim anëtar i NATO-s dhe do të fillonim negociatat për anëtarësim në BE.

Ky do të ishte realizimi i dy përcaktimeve strategjike kyçe dhe sigurimi i forcës së vetme kohezive në një shoqëri multietnike, multikonfesionale, shumëgjuhëshe siç është ajo maqedonase. U arrit anëtarësimi në NATO dhe Maqedonia arriti të dilte nga lista e vendeve të Ballkanit me pasiguri për integritetin e saj territorial. Qëllimi i dytë i madh, procesi i negociatave, mjeti më i fuqishëm dhe ndoshta i vetmi mjet me të cilin një shoqëri e tillë e traumatizuar mund të dilte nga 30 vjet tranzicion dhe të hynte në procesin e transformimit, mbeti vetëm një dëshirë dhe synim i bukur dhe një kujtim i një kohë kur ideja e një Maqedonie europiane kishte fuqi reale për t’i çuar proceset në drejtimin e duhur. Sot, në rrethanat aktuale, Raporti i Progresit i publikuar rregullisht nga KE, i cili dikur ishte një mjet i fuqishëm për korrigjimin e politikave të gabuara, është kthyer në një lajm margjinal të cilit i kushtohet pak vëmendje.

Zaev po largohet dhe me këtë lëvizje ai po bën një manovër të fundit të dëshpëruar në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e BE-së dhe për t’i kujtuar asaj se, nëse Këshilli Europian në dhjetor sërish nuk arrin të realizojë premtimin e fillimit të negociatave, energjia pro-europiane e shoqërisë maqedonase mund të humbet në mënyrë të pakthyeshme nga horizonti maqedonas dhe, në vend të një burimi të fortë motivimi për reforma, mund të kthehet në një moçal ku të gjendet terren pjellor për demagogjinë dhe populizmin, objektivi kryesor i të cilit janë pikërisht vlerat europiane.

 

Borjan Jovanovski, gazetar i njohur me dekada përvojë pune në hapësirën mediatike