Ky është një nga momentet e kthjellimit, kur njerëzit kujtohen për strehimin te nacionalizmi. Përcillen kujtimet e vlerave, por edhe sesi nacionalizmi na bashkon në kohë paqeje apo kur përballë shfaqen armiq të paparashikuar, si në rastin e pandemisë së Covid-19.

Ben Andoni

Teksa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin pafund në paradhomat e Brukselit procedurën e anëtarësimit, në thelb një burokraci e hidhur, Evropa ka rastin ta shohë në realitet parabolën e Kafkës te “Portat e Ligjit”. Nëse jo te rasti i Shqipërisë, e cila lëshoi shumë nga krenaritë 1për hir të integrimit, fqinjët lindorë të saj negociuan deri me identitetin.

Kjo duket sikur nuk i jep as edhe një lloj shansi ndryshe nacionalizmit në Shqipëri. Ata, pak nacionalistë patetikë, që ngrenë të ashtuquajturën “Shqipëri e Madhe”, duken sikur kanë dalë nga tekste historie, kur vendi s’ishte formësuar si shtet; ashtu si politikanët kur mundohen të kërcënojnë me pamundësinë. Kjo e fundit, kur përdoret para Brukselit i bën politikanët sot të pabesueshëm, qoftë edhe para qytetarëve. Tek e fundit, një qeveri si kjo e Shqipërisë, që ta gëzojë mandatin e tretë duhet të ketë sigurinë e drejtimit, bash atë besueshmëri që vjen nga poshtë. Pikërisht, bashkësia e njerëzve me unitetin dhe identitetin e tyre historik i jep legjitimitet punës së një qeverie. Veçse s’mund të jetë aspak rasti i Shqipërisë, e cila fatkeqësisht përcjell një ndarje të thellë të së Majtëve dhe të Djathtëve. Për më tepër, ndarja është kaq e madhe saqë qyteti dhe ligjet që bëhen aty pothuaj janë të paperceptueshëm në zonat rurale. Elektorati, që sot paradoksalisht e mban dhe e ushqen këtë elitë politike, nuk ka të qartë në shumë raste se kur e delegon votën për përfaqësuesin e vet, ajo shkëputet dhe nuk e përfaqëson më. Tashmë i takon identitetit të kryetarëve të partive, që me sistemin zgjedhor në vend, qeverisin. Dhe sot…” interesat fraksionale formojnë parti qëllimi i të cilave nuk është më të qeverisin në interes së të gjithëve, por të plaçkitin për hir të grupit”, shkruan Roger Scruton në esenë “The Need for Nations”.

Ky është një nga momentet e kthjellimit, kur njerëzit kujtohen për strehimin te nacionalizmi. Përcillen kujtimet e vlerave, por edhe sesi nacionalizmi na bashkon në kohë paqeje apo kur përballë shfaqen armiq të paparashikuar, si në rastin e pandemisë së Covid-19. Shqipëria dhe vendet e vogla përballë pandemisë panë solidaritetin e munguar ose se çfarë do të thoshte të lëshojë pé në dëm të nacionalizmi për hir të vlerave të përbashkëta, që u zhdukën sikur të mos ekzistonin kurrë. Dhe, qeveria shqiptare njësoj si shumë syresh, ua kërkoi sakrificën bash qytetarëve pa u thënë se ajo duhet për vlerat e Evropës dhe ca më shumë për Brukselin, ftohtësia e të cilit sot u është futur në asht shqiptarëve. Identiteti na ruajti kur u lidh me nacionalizmin.

Kushdo që përball sfidën sot i thërret ndjenjës kombëtare, ku brenda lodrojnë masat e empatisë së përgjithshme njerëzore të sakrificës për hir të të tjerëve, bash atë zakon mental, që demokracitë shoqërore normalisht nuk e inkurajojnë.

E gjithë kjo sjellje e dyzuar, ku nacionalizmit i shfaqemi dhe i tërhiqemi ka brenda atë rrezik të madh për pjesët tona të pambrojtura të shoqërisë, para të cilëve kalojmë aq indiferëntë apo atë që John Ralston Saul e quajti “nacionalizëm pozitiv” – i cili në të vërtetë lidhet me shqetësimet e njerëzve të një vendi për identitetet kombëtare dhe tregon bash përpjekjet që bëjnë subjektet shoqërore të margjinalizuara për t’u përshtatur në rregulla , të cilat na kërkojnë t’i kemi sipas kanoneve të Brukselit, por që zemra na thotë se është më mirë t’u shkojmë atyre të nacionalizmit pozitiv, kur jetonim dhe integroheshim realisht së bashku.

Kjo është mbase e mira e nacionalizmit, që mesa duket do t’i qasemi sërish në këtë kohë…madje edhe pafrikën e Brukselit.

 

Ben Andoni ka shkruar për një pjesë të madhe të gazetave të përditshme dhe ka drejtuar një pjesë të tyre. Sot, është i angazhuar me analiza politike dhe ato rajonale