Interesimi për t’u informuara për vendet fqinje, sidomos tek gjeneratat e reja, pothuajse nuk ekziston.  Si pasojë e mungesës së informimit, edhe pse jetojnë në fqinjësi, qytetarët e këtyre vendeve kanë paragjykime ndaj vendeve në fqinjësi dhe qytetarëve të tyre.

Bekim Blakaj

 Në mënyrë që të krijohen kushte për marrëdhënie të mira fqinjësore është shumë e rëndësishme që të vendoset bashkëpunimi në të gjitha sferat e jetës. Megjithatë, është e një rëndësie të posaçme që të ketë bashkëpunim në sferën e informimit mbi zhvillimet dhe ngjarjet në vendet fqinje. Në mungesë të një bashkëpunimi në fushën e informimit atëherë qytetarët e dy ose më shumë vendeve fqinje do kenë deficit të informatave mbi ngjarjet dhe zhvillimet në vendet fqinje e në këtë mënyrë mund të krijojnë një ide të pasaktë mbi gjithçka që ka të bëjë me shtetin fqinj, e ndoshta mund të krijohen edhe paragjykime dhe stereotipe ndaj qytetarëve dhe shoqërisë të vendit fqinj. Kjo situatë nuk e inkurajon bashkëpunim dhe zhvillimin e marrëdhënieve të shëndosha në mes të njerëzve të vendeve të ndryshme.

Për aq sa kam mundur të lexoj dhe informohem, mendoj se bashkëpunimi rajonal në kontekstin e informimit në rajonin e ish – Jugosllavisë, konkretisht në mes të B dhe H, Serbisë dhe Kroacisë është në nivel shumë të mirë. Qytetarët e këtyre vendeve kanë qasje të pakufizuara në lajmet në lidhje me zhvillimet në të tri këto vende. Sigurisht, këtu kanë kontribuuar edhe shtëpitë mediatike, sidomos televizionet që janë të shtrira në të tri vendet, siç është N1, por edhe televizionet tjera dhe portalet. Bashkëpunim rajonal në mes të këtyre vendeve në shkëmbimin e informacioneve e lehtëson shumë edhe gjuha e përbashkët, prandaj qytetarët e këtyre vendeve kanë interesim dhe mundësi të marrin të gjitha informacionet me rëndësi, qoftë nga politika, jeta kulturore, sportive etj.  Situata është pothuajse identike, ndoshta edhe në një nivel më të lartë, kur bëhet fjalë për informimin e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, për zhvillimet në njërin dhe vendin tjetër. Sigurisht, në këtë ndikojnë edhe platformat e ndryshme kabllovike që i u ofrojnë qytetarëve të dy vendeve qasje të pakufizuar në informacione.

Për fat të keq situata është krejtësisht ndryshe kur bëhet fjalë për qarkullimin e informacioneve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nga njëra anë dhe Serbisë, B dhe H dhe Kroacisë nga ana tjetër. Qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë nuk kanë shumë mundësi të marrin informacione të sakta dhe të detajuara mbi ngjarjet dhe zhvillimet politike, shoqërore, kulturore, sportive etj. në Serbi, B dhe H dhe Kroaci. Situatën më tutje e vështirëson barriera gjuhësore, ku tanimë shumica e qytetarëve të Kosovës nuk e kuptojnë gjuhën serbokroate/boshnjake. Kosovarët më në moshë e që e kuptojnë këtë gjuhë nuk kanë shkathtësi të kërkojnë informacionet përmes internetit. Televizionet nacionale në Kosovë dhe Shqipëri rrallë transmetojnë ndonjë lajm nga këto tri vende, dhe kur e bëjnë zakonisht bëhet fjalë për lajme politike dhe jo për ngjarje të natyrave tjera. Mendoj se situata nuk ndryshon as në drejtimin tjetër, qytetarët  e Serbisë, B dhe H dhe Kroacisë nuk kanë shumë mundësi të informohen mbi ngjarjet dhe zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri. Kjo situate është e njëjtë që pothuajse 20 vite dhe si e tillë ka ndikuar që edhe interesimi për t’u informuara për vendet fqinje, sidomos tek gjeneratat e reja, pothuajse nuk ekziston.  Si pasojë e mungesës së informimit, edhe pse jetojnë në fqinjësi, qytetarët e këtyre vendeve kanë paragjykime ndaj vendeve në fqinjësi dhe qytetarëve të tyre, sikurse të jetonin në kontinente të ndryshme. Kjo situatë nuk ofron optimizëm për një të ardhme të përbashkët dhe në fqinjësi të mirë.

 

Bekim Blakaj punon në Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë si drejtor ekzekutiv