Në këto kohë kur seriozisht është duke u kërcënuar e ardhmja e njerëzimit, popujt dhe qeveritë e vendeve të Ballkanit Perendimor nuk mund të mbajnë qendrim asnjanës (neutral), e as të rrijnë duarkryq si spektatorë.

Astrit Istrefi

 Agresioni rus kundër Ukraines është një moment përcaktues në histori. Bota nuk është më siç ka qenë para këtij agresioni, i cili, siç dëshmohet, do të ketë pasoja marramendëse për planetin tonë.

Agresioni rus kundër Ukraines duhet ndalur. Putin duhet mposhtur.

Një moment përcaktues si ky kërkon veprim të unifikuar, vendimtar dhe urgjent pasi hezitimi dhe paqartësia më e vogël do të jetë një gabim dhe dështim historik dhe në fund do të inkurajojë Putin dhe “satelitet” e tij (proxies).

Votimi i paprecedent në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me datë 2 mars është tregues i padiskutueshëm që agresioni rus kundër Ukraines është denuar nga e gjithe bota, dhe se ky agresion është kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen, lirinë dhe demokracinë kudo në botë. Prandaj është denuar nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO; nga shumica dermuese e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara; nga organizata e kompani shumë-kombëshe dhe shumë-miliardëshe, institucione botërore të sportit, kultures, artit; si dhe nga media, organizata jo-qeveritare dhe qytetare.

Por, kush do të mendonte që pas lufrave të përgjakshme të shekullit të kaluar, bota nuk ka nxjerrur mësimet e duhura për t’i parandaluar krimet ç’njerëzore, gjenocidin dhe shkatërrimin masiv, si dhe per t’a mbrojtur e avancuar paqen, lirinë dhe demokracinë në botë, si vlera dhe aspirata thelbësore për njerëzimin.

Popujt e vendeve te Ballkanit Perendimor i kanë të freskëta në memorjen e tyre pasojat tragjike si rezultat i luftërave shkatërruese të viteve të 90’ta. Pasojat e tyre edhe sot pas gati tre dekadave i vuajnë skajshmërisht.

Jemi dëshmitar që disa politikanë dhe përfaqësues qeverish në vendet e Ballkanit Perendimor, përmes veprimeve që shkojnë në kundërshtim me vlerat dhe aspiratat e popujve të tyre, nuk reshtin së bëri thirrje për luftë. Të tillët deshirojnë të sigurohen që epoka e errët e luftrave të përgjakshme në rajon jo vetëm të mbetët e pashlyeshme, por edhe që luftrat e reja të jenë pothuajse të pashmangshme. Përpjekjet e tyre të vazhdueshme janë rritur sidomos që nga agresioni rus kundër Ukraines, pasojat e së ciles do të jenë të mëdha edhe në rajonin e trazuar të Ballkanit Perendimor i cili është veçanërisht i ekspozuar ndaj ndikimeve të huaja keqdashëse (malign), dhe i cenueshëm nga efektet e këtyre zhvillimeve globale.

Në këto kohë kur seriozisht është duke u kërcënuar e ardhmja e njerëzimit, popujt dhe qeveritë e vendeve të Ballkanit Perendimor nuk mund të mbajnë qendrim asnjanës (neutral), e as të rrijnë duarkryq si spektatorë. Sot, me shumë se kurrë në historinë tonë të re kërkohet vendosmeri dhe përkushtim i palekundur për t’i denuar politikanët të cilet mbjellin përçarje dhe bëjnë thirrje për luftë në rajon. Kërkohet unitet, solidaritet dhe  bashkëpunim për t’i mbrojtur dhe avancuar vlerat dhe aspiratat e popujve të Ballkanit Perendimor. Kërkohet veprim i koordinuar për t’a parandaluar përseritjen e tragjedive të kaluara të cilat kanë lënë vrragë të thella në popujt e rajonit. Kërkohet të jemi në anën e duhur, jo të kundërt, të historisë. Paqja e qendrueshme, liria dhe demokracia nuk kanë alternativë.

 

Astrit Istrefi, Drejtor Ekzekutiv në The Balkan Forum