Në vitin 2015, Qeveria e Republikës së Kosovës kishte hartuar Strategjinë Shtetërore për Sigurinë Kibernetike, mirëpo e njëjta ka skaduar në vitin 2019, dhe që nga atëherë nuk është rishikuar dhe përditësuar.

Arian Sheremeti

Sot, adoptimi i shpejtë i teknologjive digjitale po i ndihmon kompanitë kosovare për të përmirësuar ofertën e tyre duke i plotësuar pritshmëritë e reja dhe kërkesat e vazhdueshme të klientëve të tyre.  Falë teknologjive inovative, bizneset në Kosovë kanë mundësi ti automatizojnë proceset e tyre të biznesit më shpejt dhe më mirë sesa asnjëherë më parë duke ju mundësuar të jenë sa më konkurrues në treg.

Iniciativat e vazhdueshme për të digjitalizuar biznesin mund t’i kenë ndihmuar kompanitë kosovare të rriten shpejt dhe të eksportojnë produktet e tyre edhe jashtë Kosovës. Mirëpo, derisa mbështetja në teknologjinë digjitale është rritur për të zhvilluar biznesin, pothuajse pa u vërejtur po aq është rritur edhe rreziku nga kriminelët kibernetikë.

Së fundi një kompani kosovare në industrinë e përpunimit të drurit me pesëdhjetë të punësuar ishte viktimë e një sulmi kibernetik që shkaktoj paralizimin e plotë të veprimtarisë së saj për disa ditë rresht.  Për rimëkëmbje të sistemeve të informacionit u desh të angazhohen ekspert të fushës kibernetike, dhe e gjithë kjo rezultojë në vonesat e dërgesave ndërkombëtare dhe humbjet e tjera financiare që pësoj kjo kompani si rezultat i sulmit kibernetik.

Kompania në fjalë përgjatë gjithë kohës ishte përqendruar në përmirësimin e ofertës të produkteve të saj që eksporton jashtë Kosovës dhe përmirësimin e kualitetit të tyre përmes automatizimit dhe digjitalizimit të proceseve e punës, dhe asnjëherë nuk kishte menduar që një ditë operacionet e saj mund të kanosen nga sulmet kibernetike.  Rasti i kompanisë në fjalë nuk është rast i izoluar dhe lehtë mund të përsëritet edhe tek kompanitë e tjera nëse rreziku nga krimi kibernetik nuk merret seriozisht.  Sulmet kibernetike si ky dëshmojnë që asnjë biznes nuk është i sigurt, pavarësisht nga madhësia, industria, apo vendi ku veprojnë ato.

Kohët e fundit nëpër vende të ndryshme kemi parë se kriminelët kibernetikë nuk kanë në shënjestër vetëm sektorin privat, mirëpo edhe atë publik. Në fakt në disa raste, sulmet kibernetike ndaj institucioneve publike janë edhe më atraktive për kriminelët kibernetik për shkak se këto institucione janë më të ngathëta në përvetësimin dhe implementimin e teknologjive dhe veglave të sigurisë kibernetike si pasojë e buxhetit të limituar për siguri të informacionit, dhe sfidave të tjera, si mbajta në punë e kuadrove të trajnuar në fushën përkatëse të sigurisë të informacionit, etj.

Në vitin 2015, Qeveria e Republikës së Kosovës kishte hartuar Strategjinë Shtetërore për Sigurinë Kibernetike, mirëpo e njëjta ka skaduar në vitin 2019, dhe që nga atëherë nuk është rishikuar dhe përditësuar.  Ndërsa projektligji për Sigurinë Kibernetike (Ministria e Punëve të Brendshme) është ende në konsultim publik, edhe pse do të duhej të kishte përfunduar në muajin gusht të vitit 2020.  Së fundit Ministria e Ekonomisë ka angazhuar ekspertë nga Austrian Development Agency (ADA) për asistencë teknike rreth hartimit të një projektligji tjetër mbi Sigurinë e Rrjeteve dhe Sistemeve të Informacionit.  Edhe pse ka pasur lëvizje pozitive nga ana e ligjvënësve kosovar në këtë drejtim, nuk duhet harruar që sulmet kibernetike janë rritur me një ritëm tepër të shpejtë.  Këto sulme përbëjnë kërcënim të vazhdueshëm për infrastrukturën kritike dhe në përgjithësi kërcënim për sigurinë kombëtare.  Prandaj, ligjvënësit do të duhej të punonin së bashku dhe më rritëm më të shpejt për të ofruar një mjedis digjital më të sigurt përmes instrumenteve ligjore si ligjeve, rregulloreve, direktivave, etj.

 

Arian Sheremeti ka mbi 10 vite përvojë ndërkombëtare në projektimin dhe menaxhimin e zgjidhjeve komplekse të sistemeve për siguri të informacionit