Në vitin 2016 aleatët e NATO-s njohën hapësirën kibernetike si një fushë operacionale të re të cilën NATO duhet të mbroj po aq sa duhet ta mbroj edhe hapësirën ajrore, tokësore, dhe detare.

Arian Sheremeti

Statistikat në nivel botëror tregojnë për rritje alarmante të sulmeve kibernetike dhe sipas trendëve ato nuk do të ngadalësohen.

Përshkallëzimet e tensioneve gjeopolitike gjithnjë e më shumë po përfundojnë me sulme të organizuara kibernetike të sponsorizuara nga shtetet e ndryshme. Për këtë arsye, në vitin 2016 aleatët e NATO-s njohën hapësirën kibernetike si një fushë operacionale të re të cilën NATO duhet të mbroj po aq sa duhet ta mbroj edhe hapësirën ajrore, tokësore, dhe detare.

Lufta kibernetike (ang. Cyber warfare) mund të përkufizohet si një sulm kibernetik ose seri sulmesh që si objektiv kanë një shtet. Këto sulme kanë për qëllim të shkaktojnë kaos në infrastrukturën qeveritare, civile, dhe të ndërpresin sistemet kritike, duke rezultuar në dëme të mëdha dhe madje edhe humbje jetësh.

Meqenëse po jetojmë në një realitet të ri ku rreziqe nga sulmet kibernetike vazhdimisht po evoluojnë, atëherë për të zbutur rreziqet e sigurisë kibernetike me të cilat përballen qytetarët, bizneset, shtetet dhe infrastruktura kritike e tyre, qeveritë duhet sa më shpejt të ndërmarrin veprime konkrete për të zhvilluar strategji kombëtare gjithëpërfshirëse të mbrojtjes së sigurisë kibernetike.

Ndër vite, shumë shtete kanë zhvilluar strategji kombëtare të mbrojtjes së sigurisë kibernetike. Mirëpo nëse studiohen dhe krahasohen strategjitë kombëtare të top-10 shteteve (që deri në një masë janë treguar të suksesshme dhe gjithëpërfshirëse), atëherë vërehen pesë elemente të përbashkëta, dhe ato janë:

  1. Themelimi i agjencisë kombëtare për sigurinë kibernetike – Krijimi i një entiteti të vetëm që ka përgjegjësinë e përgjithshme për të përcaktuar dhe drejtuar axhendën e sigurisë kibernetike të të gjithë vendit.
  2. Hartimi i programit kombëtar për mbrojtjen e infrastrukturës kritike – Agjencia kombëtare për sigurinë kibernetike duhet të punon me rregullatorët e çdo sektori kritik për të përgatitur kriteret e mbrojtjes të sigurisë kibernetike për sektorët që cilësohen pjesë e infrastrukturës kritike.
  3. Hartimi i planit kombëtar për reagim dhe rikuperimi ndaj incidenteve – Sulmet kibernetike janë të pashmangshme, kështu që çdo qeveri duhet të zhvillojë apo vazhdimisht të përditësoj planet e reagimit ndaj incidenteve dhe planet e rikuperimi për të zbutur efektet e incidenteve kibernetike.
  4. Miratimi i ligjeve që kanë të bëjnë me krimet kibernetike – Qeveritë duhet sa më shpejtë të hartojnë apo përditësojnë kornizën ligjore dhe të harmonizojnë ligjet që ndërlidhen me siguri kibernetike. Një opsion i mirë gjatë zhvillimit të ligjeve kombëtare për sigurinë kibernetike është të përqafohen udhëzimet e përcaktuara nga Konventa e Budapestit – një traktat ndërkombëtar që rregullon ligjet kibernetike për të cilin janë rënë dakord më shumë se 65 vende.
  5. Ndërtimi i një ekosistemi vibrant të sigurisë kibernetike – Edhe pse një shtet mund të ketë strategji gjithëpërfshirëse, në të njëjtën kohë është e pamundur që një entitet i vetëm (si Agjencia Kombëtare për Siguri Kibernetike) të realizoj të gjitha objektivat e strategjisë të saj. Prandaj, partneriteti në mes të palëve të interesit që përfshijnë sektorin privat, sektorin publik, institucionet akademike, si dhe palët e të tjera si vendore, ashtu edhe ndërkombëtarë janë thelbësore për të luftuar rreziqet e sigurisë kibernetike të një vendi.

Përtej qeverive, përtej kufijve, dhe përtej dallimeve që mund të kemi, epoka dixhitale na lidh të gjithëve. Andaj, siguria e të gjithë përdoruesve, mirëqenia e shoqërive, si dhe e ekonomive në mbarë botën varet nga përpjekja e përbashkët për të zbutur rreziqet kibernetike kërcënuese që çdo ditë po minojnë rendin botëror.

 

Arian Sheremeti  është i specializuar në zhvillimin dhe implementimin e strategjive për siguri të informacionit duke siguruar dhe mbrojtur asetet nga rreziqet e sulmeve kibernetike