Prokurorët që kanë trajtuar rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit shpesh kanë dështuar sepse kanë ngritur aktakuza jo të plota ose kanë bërë gabime procedurale gjatë hetimit të rasteve.

Dr. Arbëresha Loxha

Ndër treguesit thelbësor të demokracisë janë ndarja e pushteteve, transparenca, llogaridhënia, liria a mediave, garantimi dhe avansimi i të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe parandalimi i korrupsionit etj.

Kosova vazhdon të vlerësohet se është në një fazë të hershme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pavarësisht nismave dhe disa rasteve specifike që synojnë të tregojnë efikasitet ndaj këtij fenomeni, numri më i madh i rasteve të korrupsionit përfundojnë me aktgjykime liruese dhe refuzuese dhe vetëm një përqindje tejet e ulët përfundojnë më aktgjykim dënues. Por, edhe në rastet kur dënohen zyrtarët e përshirë në vepra korruptive, dënimet ndaj tyre janë tejet të ulta si dhe të njëjtit në të shumtën e rasteve nuk janë profile të larta zyrtare.
Kësisoj, tashmë është krijuar bindja që profilet e larta zyrtare mbesin të pandëshkuara pavarësisht ngritjes së aktakuzave.

Disa nga arsyet për dështim të aktakuzave në rastet kur për korrupsion akuzohen personat e profilit të lartë janë: ndikimi i tyre në gjyqësor, mosndërmarrja adekuate e veprimeve hetimore, moscaktimi me kohë i seancave gjyqësore, dështimi i seancave për shkak të mungesës së gjyqtarëve, prokurorëve, të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre, kthimi i shpeshtë i rasteve të rigjykim, parashkrimi i ndjekjes penale për të akuzuarit, ndër të tjera. Një faktor tjetër  janë mangësitë e aktakuzave. Mangësitë kryesisht lidhen me kualifikimin joadekuat të veprës penale, mungesa e përcaktimit të palës së dëmtuar dhe dëmit të shkaktuar, mungesa e ekspertizave financiare e cila lidhet direkt me precizimin e dëmit të shkaktuar si dhe mospërshkrimi i qartë i gjendjes faktike.

Të gjitha këto që u thanë më lartë derivojnë edhe nga mungesa e mbikqyrjes adekuate karshi trajtimit të këtyre rasteve, nga ana e Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial dhe Institucionit të Prokurorit të Shtetit, pavarësisht hartimit të strategjive që synojnë gjykimin e këtyre lëndëve brenda një kohe të arsyeshme.

Si përpjekje pozitive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit vlen të theksohen dy nga operacionet më të mëdha të Policisë së Kosovës të njohura si “Subvencionet” dhe “Brezovica”, ku dyshohen një numër i madh i zyrtarëve publik për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare. Po ashtu, aksionet kundër kontrabandës në veri të Kosovës të ndërmarra këtë vit kanë rezultuar me një numër të konsiderueshëm arrestimesh dhe sekuestrim të pasurisë. Përkundër këtyre veprimeve të ndërmarra, sfiduese mbetet mungesa e sanksioneve dhe politika e ulët ndëshkuese ndaj të dyshuarve, si dhe vlera e ulët e pasurisë që konfiskohet me vendim të gjykatës. Kjo vie kryesisht nga mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit. Çështjet e korrupsionit vazhdojnë të jenë subjekt i ankesave (apelimeve) të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejon që rastet të parashkruhen pa u trajtuar nga gjykata. Gjithashtu, prokurorët që kanë trajtuar rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit shpesh kanë dështuar sepse kanë ngritur aktakuza jo të plota ose kanë bërë gabime procedurale gjatë hetimit të rasteve. Andaj pa adresim adekuat të të gjitha mangësive dhe sfidave të lartëcekura, progresi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të mbetet minimal.

 

Dr. Arbëresha Loxha is the Executive Director and a Senior Research Fellow at GLPS