Punoni me veten, zgjeroni kufijtë, bëhuni ndryshimi në komunitetin tuaj, në mënyrë që të mos keni nevojë të lëvizni nëpër vende të ndryshme. 

Anisa Mahmutovic

 Më pyesin pse e ngre kaq shumë zërin rreth qëndrimit në Bosnjë Hercegovinë – një e diplomuar në Master, që sapo ka filluar punë të përkohshme në një organizatë të madhe mediatike?

Nuk jap shumë shpjegime – ‘Unë dua të rri këtu – dhe çfarë pastaj?’

Nuk mund të vazhdoj tu tregoj njerëzve se si kam qenë në Gjermaninë ‘e artë’ dhe Austrinë ‘socialiste’, që kam parë njerëz, liqene të bukura dhe qytete plot me njerëz.  Kam parë vendasit ‘mikpritës’ që mezi presin të na quajnë ‘Ausländer’ (të huaj).

Unë përfaqësoj Bosnjë Hercegovinën në kongreset ndërkombëtare dhe jam krenare kur them emrin e vendit tim, më bëhet zemra sa Majevica (vargmal në Bosnjë Hercegovinë). Dhe, kur jam në Bosnjë Hercegovinë, në Sarajevë, them se jam nga Sapna. Sikur Sapna ime të ishte ndonjë gjë e madhe. Atje, unë jam një qytetare e padëshiruar për politikanët dhe shpresa e fundit e një njeriu të zakonshëm kur i kërcënohen të drejtat nga ata që nuk kanë asgjë tjetër përveç shkollës së natës në CV-në e tyre.

Jam këtu për të luftuar në vendin tim dhe për njerëzit e mi, me arsim dhe guxim përkrah bashkëmoshatarëve dhe kolegëve të mi. Tranzicioni na ka lënë me zyrtarë të pashkolluar dhe snobë me makina të shtrenjta, të cilët duhet t’i bëjmë të shkojnë nga kanë ardhur.

Edhe sisteme më të mira kanë rënë për shkak të korrupsionit dhe krimit, dhe po kështu mund të ndodhë dhe me tonin – edhe nesër, nëse do të dilnim në rrugë dhe ti nxirrnim nga institucionet të gjithë ata që kanë bërë shkelje dhe të caktonim të rinj, të cilëve nuk u rëndon kaluara dhe që nuk e kanë mësuar ende korrupsionin, manipulimin e tenderave dhe vjedhjen e zgjedhjeve.

Gjërat do të jenë më mirë kur të mos i dërgojmë më adoleshentët tanë në vendet e tjera që ata thjesht të rrisin fëmijë, por ti mësojmë të bëjnë diçka në vendin e tyre, gjë për të cilën do të jemi krenarë.

Mos pranoni të jetoni në prag të varfërisë, ndërkohë që lideri juaj shpirtëror-politik  bën miliona.

Ju nuk i detyroheni atij apo ndonjë ministri, kryeministrit apo ndonjë drejtori për asgjë. Mos harroni, ata janë punësuar nga ju.

Ju mendoni se po e shkruaj këtë nga ndonjë shtëpi e rehatshme. Jo!

Këtë po e shkruan një vajzë e cila ishte arsimuar nga prindërit e saj me rrogën e ditës dhe të ardhurat nga ndonjë prodhim bujqësor pa asnjë shenjë të ardhurash të rregullta. Një fëmijë, shanset e të cilit për arsim ishin zero, sepse nuk vij nga ndonjë qytet i madh, nuk kisha para dhe as prindërit e mi nuk kishin pozicione të rëndësishme.

Ata punuan në arat e të tjerëve dhe në arat e tyre, dhe unë fillova të bëja punë me kohë të pjesshme kur fillova studimet dhe fillova të ndërtoja jetën.

Gjithashtu po ju shkruaj si e vetmja e diplomuar në Master për Komunikim në komunën time, për të cilën nuk kishte punë aty, e as nuk do të ketë në të ardhmen. Si një gazetare e re që bëra lajme investigative rreth prokurimeve publike dhe u morën masa ndaj meje nga institucionet përkatëse.

Siç mund ta shihni, gjithçka mund të jetë përveçse një gjë e këndshme, por kjo është arsyeja pse e di se çfarë do t’i them vajzës time kur të lindë.

Prandaj jam këtu, për t’ju thënë se do të jetë më e lehtë për ju, sepse njerëz si unë gjenden në rrugën tuaj.

Unë bëj një jetë të denjë me punën time, natyrisht me disa borxhe, por gjithsesi ato janë më pak sesa në Gjermani.

Po shkruaj për t’ju thënë se, nëse dikush si unë, me një prejardhje shoqërore jo dhe aq të mirë dhe që vjen nga provinca, mundi të bëhet gjithçka që jam sot, edhe ju mundeni, thjesht duhet të qëndroni, të shtrëngoni dhëmbët dhe të luftoni për veten dhe për familjen tuaj të ardhshme.

Punoni me veten, zgjeroni kufijtë, bëhuni ndryshimi në komunitetin tuaj, në mënyrë që të mos keni nevojë të lëvizni nëpër vende të ndryshme.

Sepse edhe nëse nuk doni t’ja dini për shtetin, do doni t’ja dini për nënën dhe babanë tuaj të cilët një ditë nuk do të jenë me ju dhe ju nuk do mund t’i përqafoni nëpërmjet një video komunikimi.

 

Anisa Mahmutovic, korrespodente për Agjencinë Federale të Gazetarisë