Lumenjtë e futur në tuba betoni janë një metaforë tragjike e të gjitha burimeve të shoqërisë sonë, të pushtuara për përfitimin dhe pasurimin e një grushti manjatësh.

Anes Podic

 Ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk vjen nga nevojat tona strategjike për energji elektrike, por nga qëllimi për të kënaqur investitorët – kryesisht të lidhur fort me autoritetet dhe qarqet partiake.

HEC-et janë të vegjël vetëm për sa i përket kostos që kanë për pronarët e tyre – një investim fillestar, zakonisht i siguruar nga një akumulim i paqartë i pasurisë në luftë dhe gjatë tranzicionit post-socialist. Sapo zgjidhet kjo çështje, pronarët kanë një biznes pa rrezik, si dhe me kosto minimale mirëmbajtjeje dhe pune – mezi ka në punë një punëtor për hidrocentral. Për herë të parë në dymbëdhjetë vite në Federatën e Bosnjë Hercegovinës dhe pesëmbëdhjetë në Republikën e Serbisë, shteti garanton blerjen e gjithë energjisë elektrike të prodhuar – me një çmim stimulues. Fermerët dhe prodhuesit bujqësorë nuk i kanë pasur këto mundësi.

Të gjitha HEC-et (108 në gjendje pune në vitin 2020) prodhuan 341,02 GWh – vetëm 2.2% të energjisë elektrike së përgjithshme të prodhuar në Bosnjë Hercegovinë. Ne prodhojmë më shumë energji elektrike sesa konsumojmë: një total prej 15,391 Gwh (2020) ndërsa konsumi është në 11,330 GWh. Në vitin 2020 eksporti neto i energjisë elektrike nga Bosnjë Hercegovina arriti në 4,047 Gwh – pothuajse 12 herë më shumë se prodhimi i përgjithshëm i HEC-eve. Ajo eksportohet me çmime shumë më të ulëta se çmimi që shteti u paguan pronarëve të HEC-eve.

Shuma e tarifave të koncesionit që marrin nga komunat shpesh është më e ulët se shuma totale qe marrin kryetarët e komunave për përfaqësimin vjetor. Koncesioneve të dhëna për 3-5 dekada zakonisht u mbaron afati në kohën kur hidrocentralet duhet t’i nënshtrohen një riparimi të përgjithshëm. Kush do ta mbajë barrën e këtij riparimi? Nëse nuk mbështeten me një çmim stimulues blerjeje, biznesmenët mund të vendosin t’i japin fund sipërmarrjes së tyre dhe ta lënë komunitetin lokal me një lumë gjysmë të vdekur dhe makineri të papërdorshme.

Vektorët e të gjitha forcave kalimtare të shoqërisë tonë kryqëzohen pikërisht në problemin e HEC-eve. Lidhja e ngushtë e bizneseve të errëta të pasluftës me elitat politike; rrjetet e ndikimeve partiake dhe interesave private nga të cilat ndikohet ekonomia e vendit; privatizimi i të gjitha të mirave shoqërore, përfshij institucionet shtetërore; duke i përjashtuar plotësisht njerëzit nga vendimmarrja për të tashmen dhe të ardhmen e tyre.

Bëhet fjalë për kapitalizmin rentier – një e mirë natyrore e pushtuar dhe shfrytëzimi i saj, duke e mbështetur me pasurinë e përbashkët, e cila, nëpërmjet stimulimit të energjisë së rinovueshme, kalon nga fondet publike në llogari private. Ndërkohë, komunitetet lokale po humbin burimin e jetës – ujin, pikat turistike dhe atë pak bukuri që mund të shijojnë falas. Bukuri që u përket të gjithëve dhe, si pasojë, askujt.

Lumenjtë e futur në tuba betoni janë një metaforë tragjike e të gjitha burimeve të shoqërisë sonë – të pushtuara për përfitimin dhe pasurimin e një grushti manjatësh. Dhe kështu, gjigandët tanë të industrisë u copëtuan dhe u kthyen në parcela ndërtimi për elitën e pas luftës. Institucionet shtetërore u bënë kanale për marrjen e të mirave shoqërore dhe vlerës që njerëzit krijojnë përmes punës së palodhur. Kështu u bëmë pronë e dikujt – skllevër të pronarëve lokalë, punë e lirë për ata që janë jashtë këtij rrethi.

Kjo është arsyeja pse lufta për lumenjtë e Bosnjë Hercegovinës dhe ujit në përgjithësi, është një luftë për ruajtjen e natyrës – por jo vetëm kaq. Është gjithashtu një luftë për të drejtën e komunitetit –  ku komuniteti janë paraardhësit tanë, ne sot dhe ata që do të vijnë pas nesh – për të mirat dhe burimet që u përkasin të gjithëve së bashku dhe askujt individualisht. Lufta për lumenjtë është një luftë për autonominë e vjedhur të komunitetit – lirinë e tij për të vendosur vetë.

Lufta për lumenjtë dhe ujin është luftë për një shoqëri solidare dhe të barabartë e cila, – përkundër gjithçkaje, akoma mund të jetë – shihet më së miri në frontin e madh të Gardianëve të Lumenjve në të gjithë Bosnjë Hercegovinën dhe më gjerë.

 

Anes Podic, Themelues i Eco Action (Eko Akcija), një organizatë që merret me çështje që lidhen me ekologjinë dhe drejtësinë shoqërore që në vitin 2009. Aktivist në luftën për lumenjtë, ajrin e pastër, ujin e pijshëm dhe pyjet e Bosnjë Hercegovinës.