Viti i Covid ka qenë vit i angazhimit vullnetar, individual dhe në grup, që tregon potencialin për fuqizimin demokratik dhe përfshirjen sociale në Kosovë.

Anamari Repiç

E gjitha filloi me mbylljen e parë, kur fqinjët tanë, të moshuarit, të sëmurët, qëndronin në dritaret e tyre, duke pritur në heshtje. Fqinjët erdhën në ndihmë, duke blerë ushqime, ilaçe. Nga ana tjetër, rrobaqepëset erdhën në ndihmë, duke qepur maska mbrojtëse. Më pas, këtë praktike e vazhduan dhjetëra nisma frymëzuese vullnetare në Kosovë.

Të moshuarit, ata që izoloheshin pas infektimit, gratë shtatzëna, komunitetet e largëta e të pambrojtura, kishin nevojë për ndihmë. Solidariteti filloi në lagje, në punë, në rrugë. Të gjithë rreth e rrotull nesh. Vullnetarët pritën, kryen, vizituan, ndihmuan individualisht apo përmes veprimeve të organizuara, si në fshat ashtu edhe në qytete.

Ne pamë veprime vullnetare tek të gjitha komunitetet në Kosovë. Dërgimi i ushqimeve dhe gjërave të tjera të nevojshme u organizua nga Kryqi i Kuq në fillim të pandemisë, ku një numër i madh qytetarësh dolën vullnetarë për të ndihmuar. Gjatë mbylljes, studentët e mjekësisë në Prishtinë erdhën në ndihmë të mjekëve dhe vizituan qytetarët e izoluar.

Një profesor në Universitetin e Prishtinës inicioi prodhimin e maskave mbrojtëse duke përdorur printera 3D për punonjësit mjekësor. Qendra e Inovacionit në Graçanicë bëri mbrojtëse fytyre për punonjësit mjekësorë, ndërsa anëtarë të organizatave rinore nga komunitetet serbe vizituan qytetarët e moshuar, duke u ofruar ndihmë. Afër Prizrenit, rinia boshnjake ka ndihmuar me furnizime dhe ndihmave të tjera. Në Gjilan vullnetarët e Gjilanit kanë pastruar oborret e spitalit, ndërsa psikologët në Prishtinë kanë ofruar ndihmë për shëndetin mendor përmes një call center-i.

Kriza e koronavirusit provoi edhe një herë se individi modern, ndonëse shpesh i gjykuar për egoizmin e tij dhe mungesën e dhembshurisë, është më shumë se i gatshëm të tregojë dhembshurinë dhe dëshirën për të ndihmuar kur i jepet mundësia për një veprim vullnetar të organizuar – të gjithë me qëllim që të kontribuojnë për të mirën e përbashkët.

Ne kemi parë se ky nuk është kryesisht një aktivitet rinor – të gjithë mund të jemi vullnetarë. Njerëzit kanë treguar se mund të organizohen më shpejt përmes internetit se më parë, mund të ofrojnë forcën e tyre, por edhe njohuritë dhe ekspertizën e tyre. Megjithëse ka patur interes në rritje për vullnetarizmin, është ende një numër i vogël qytetarësh.

Përveç sensit të përgjegjësisë sociale, vullnetarizmi na ndihmon të fitojmë përvojën dhe aftësitë e nevojshme, si për punë, ashtu edhe për jetën në përgjithësi. Viti i kaluar duhet të shërbejë si motivim për të vazhduar çdo ditë punën vullnetare në disa fusha të tjera – mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ndihmën ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta, vullnetarizmin në biblioteka, etj.

Vullnetarizmi është veçanërisht i rëndësishëm për komunitetet multi-etnike si Kosova. Ndihma ndaj të tjerëve nuk njeh barriera, dhe mund të çojë në bashkëpunim. Ajo ka potencialin për të forcuar një kulturë solidariteti dhe bashkëveprimit në një shoqëri në të cilën marrëdhëniet ndër-etnike mbeten të brishta. Një politikë e përmirësuar e vullnetarizmit në Kosovë mund të rrisë pjesëmarrjen e qytetarëve nga prejardhje dhe komunitete të ndryshme etnike, duke kontribuar në interesin e përgjithshëm publik.

Vullnetarizmi na ndihmon të kuptojmë se duke ndihmuar të tjerët ne po ndihmojnë vetveten, sepse ata që ndihmojnë dhe ata që kanë nevojë për ndihmë nuk janë vetëm. Lidhja midis individit dhe komunitetit bëhet pjesë e një rrjeti solidariteti gjithnjë në zgjerim.

 

Anamari Repiç, gazetare, eksperte në media dhe komunikim; trajnere e gazetarisë, etikës së medias dhe aftësive mediatike