Është padyshim e mundur që politika ta blejë, përdorë, porosisë humorin, por kjo mund të ndodhë vetëm me konsensusin e artistit, i cili duke dalë nga natyra e tij rebele pranon të konformohet.

Altin Basha

Historia e humorit është e lidhur pazgjidhshmërisht me politikën.

Nga veprat e pavdekshme të Aristofanit e deri tek memet e sotme në rrjetet sociale marrëdhënia mes tyre i ngjan një raporti dashuri urrejtje.

Do të mjaftonte vepra KALORËSIT e Aristofanit që publiku të kuptonte natyrën manipuluese të politikës apo filmi DIKTATORI IMADH i Çaplinit për të kuptuar ekstremet ku mund të çojë deliri i pushtetit. Në tërësi satira dhe humori i kanë shërbyer artistëve dhe shoqërisë si një mjet mjaft efikas për t’u çliruar nga  frika prej tiranisë.

Humori e ka përdorur politikën si lëndë të parë. Nga ana tjetër politika, duke ja njohur fuqinë e ka joshur gjithmonë humorin duke u përpjekur ta shndërrojë në mjet propagande ose marketingu.

Po si mundet dy produkte të aktivitetit njerezor që në pamje të parë duken të papajtueshme  të flirtojnë me njëra tjetrën?

Fuqia e politikës të jep mundësinë të mbash në grusht një shoqeri të tërë, por kjo gjë ironikisht nuk mund të dominojë forcën e humorit dhe satirës.

Prandaj politika e blen humorin ose e përdor me dhunë si p.sh. në rastet e diktaturave kur satirizoheshin kundërshtarët politike: ballistët që hanin pula, revizionistët që kishin dy fytyra, imperialistët që ishin të shëmtuar dhe grabitqarë, kinezët që ishin të gjithë hileqarë.

Jo vetëm në diktatura, por edhe në demokracitë e zhvilluara kemi mjaft raste kur liderët politikë kanë dalë në aktivitete publike me imituesit e tyre (Geoge Bush, Barak Obama) dhe kanë pranuar publikisht ridikulizimin që humoristët i kanë bërë atyre. Në eksperiencën tonë lokale në fillimet e demokracisë në vitet 90 kemi raste kur humoristi është kërkcënuar me jetë sepse ka imitiuar liderin siç ka ndodhur në Shqipëri në vitet 90 kur tallja me Sali Berishen ishte një blasfemi shoqërore.

Politikanë pragmatistë si kryeministri Edi Rama, për ta amortizuar goditjen publike të humorit e bëjnë aleat. Duke rishpërndarë dhe promovuar humorin që bëhet me të Rama krijon përshtypjen se nuk e ka problem goditjen satirike dhe krijon iluzionin se tallja me figurën e kryeministrit është një marrveshje zotërinjsh.

Është padyshim e mundur që politika ta blejë, përdorë, porosisë humorin, por kjo mund të ndodhë vetëm me konsensusin e artistit, i cili duke dalë nga natyra e tij rebele pranon të konformohet. Kjo ndodh më shpesh në shoqëritë totalitare, por edhe në demokracitë autoritare. Së fundmi fenomeni i memeve komike është bërë një mjet  efikas satire politike për shkak se është shumë lakonik. Në erën e rrjeteve sociale memet komike kanë një përhapje dhe impakt të jashtëzakonshëm tek publiku. Ato janë një version modern i karikaturës  me një karakteristikë të veçantë, nuk kanë nevojë për aftësi piktorike, por mjafton gjetja e një apo dy fjalive si koment i fotografisë dhe tallja është e  garantuar. Aq i fortë është bërë impakti i memeve sa që kundërshtarët politikë shpesh pajtojnë skuadra krijuesish për ta përdorur forcën e tyre si goditje ndaj kundërshtarit.

Ndonëse në disfavor force, humori ka mundesinë të bëjë ndëshkimin apo ekzekutimin publik të politikës. Ai ka aftesinë ta shfryjë ose rrënojë imazhin butaforik të saj. Shpesh shoqëria ndihet e pafuqishme që ta shthurrë rrjetën  e interesave, manipulimit, korruptimit apo keqperdorimit të pushtetit dhe humori është mjeti të cilin artistët përdorin si  kundërpërgjigje. Tek humori politik shoqëria gjen hakmarrjen e munguar. Siç shpjeguam më lart humori mund të deformohet nga politika, por kjo betejë historike mes tyre si në duelin e Davidit vs Goliath në fund të fundit ka vetëm një fitues.

 

Altin Basha (regjisor) është pedagog i mjeshtërisë së aktorit në Universitetin e Arteve, Tiranë. Është një nga themeluesit e skenës së pavarur teatrore shqiptare.  Themeloi dhe drejtoi për 17 vjet kabaretin më të njohur televiziv PORTOKALLI  i cili është një pike referimi për satirën e fortë politike në Shqipëri.