“Kushdo që nuk mbanë mend të kaluarën është i dënuar ta rijetoj atë”, andaj lutemi që, ah, kjo të mos ndodhë por të përpiqemi ta bëjmë këtë vend sa më të mirë përditë e më shumë!

Alketa Gashi Fazliu

Jam rritur në Kosovën e paraluftës. Vajza ime e dytë sot është fiks në moshën kur nëna e saj ka kaluar fëmijërinë në Prizrenin e bukur, por me bukuri të cënuar nga mungesa e lirisë dhe e të drejtave të njeriut të nëpërkëmbura aso kohe!

Si fëmijë në vitet e 90-ta, mbaj ende gjallë kujtimin e protestave për dinjitetin e shkelur në çdo rrugicë shqiptare, arsimin e gjymtë të mbajtur shtëpizave e bodrumeve vetëm e vetëm të mos ndalohej fjala shqipe, të mos përdhoseshim përpjekjet për mendimin ndryshe, fjalën e lirë… thjesht për lirinë!

Isha rreth 13 vjeç kur gjithçka në Kosovë ndryshoi në qershor 1999 me hyrjen në vend të aleatëve ndërkombëtarë!

Sot, kur kthej kokën pas dhe ballafaqohem edhe në mendimet me sytë hapur për atë të kaluar, druaj në e kuptojmë vërtetë rëndësinë e asaj që kemi kaluar dhe rritjen e zhvillimin në çdo sektor! Më lindin pyetje të shumta: A po i respektojmë vërtetë përpjekjet për liri? A po e ndërtojmë si duhet shtetin tonë modern? A po bëhemi ne ata për të cilët Kosova vërtetë ka nevojë?

Unë ballafaqohem për çdo ditë me të kaluarën, por çdo ditë e më shumë këtë ballafaqim e shoh nga këndvështrimi i kontributit sot për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Kosova më e mirë në të ardhmen, rajoni më i mirë në të ardhmen bëhet realitet kur gjithsecili, pavarësisht gjinisë, prejardhjes etnike, besimit fetar, mendimit, nuk përballet me paragjykim, dhunë apo më keq.

Unë punoj si gazetare në TV, një medium ky shumë i fuqishëm jo vetëm për të informuar, por sidomos për të edukuar qytetarët. Këtë rol e kam marrë përsipër me shumë përgjegjësi, duke e ditur peshën e fjalës së shqiptuar dhe të shkruar. Prandaj dhe është mision i imi professional dhe personal që këtë fuqi që ma jep media ta vë në shërbim të emancipimit shoqëror, t’i kontribuoj edukimit për paqe, praktikave të shëndosha të ballafaqimit me të kaluarën në funksion të ndërtimit të së ardhmes së mirë për të gjithë ne, qytetarët e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor.

Kjo është e vetmja rrugë që ne, si shoqëri, të tejkalojmë dhunën dhe traumat e së kaluarës, për të ndërtuar jo vetëm urat e paqes, por për të krijuar një realitet progresiv.

Çfarë mund të bëjë secili nga ne që e të na shërbejë për t’u bërë e më të mirë? Kjo është dilema! Por është kaq e thjeshtë… t’ua rrëfejmë brezave që po vijnë të kaluarën jo si kronologji, jo si harresë, jo si legjenda, por as si filmat e animuar të Disney. T’i shohim të vërtetat në sy, sado të dhimbshme dhe të papranueshme që janë, të ndjejmë vuajtjen e atyre që i përjetuan, të llogarisim dëmet dhe këto informata të bazuara në fakte dhe jo paragjykime t’i vëmë në shërbimin tone, që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më. !

“Kushdo që nuk mbanë mend të kaluarën është i dënuar ta rijetoj atë”, andaj lutemi që, ah, kjo të mos ndodhë por të përpiqemi ta bëjmë këtë vend sa më të mirë përditë e më shumë!

 

Alketa Gashi Fazliu- Gazetare, publiciste, shkrimtare, redaktore në RTK