Bashkëpunimi rajonal duhet të përfshijë qytetarët, duhet t’u drejtohet qytetarëve dhe ata duhet të vendosen në qendër.

 Aleksandra Tomanic

 Fondi Europian për Ballkanin mbush 15 vjet këtë vit dhe ka përjetuar të gjitha kohërat e trazuara të bashkëpunimit rajonal. Falë themeluesve dhe financuesve të saj që qëndruan të përkushtuar që nga fillimi, EFB pati fleksibilitetin për të ndryshuar, për të qenë inovativ, për të pasur sukses, për t’u përshtatur – të gjitha me synimin për të përmirësuar bashkimin rajonal.

Duke parë rezultatet, shifrat janë mbresëlënëse – 95 think tank të mbështetur, rreth 180 hulumtues të mbështetur, mbi 50 misione avokuese, 120 dokumente politikash, shumë më tepër se 130 projekte të mbështetura, partneritete që kanë krijuar Grupin Këshillues për Politikat e Ballkanit në Europë (BiEPAG) dhe Iniciativa për Demokraci të Angazhuar (EDI), partneritete që kanë ngritur një fushatë rajonale që ia doli të arrijë miliona qytetarë në të gjithë rajonin dhe ngriti ndërgjegjësimin për ndotjen e ajrit, programe kryesore që kanë krijuar një nga asetet më të rëndësishme të EFB – pothuajse 500 alumni në rrjetin BeeEFB,…

Pavarësisht këtyre shifrave që janë suksesi ynë organizativ, duke parë rajonin që ne e quajmë “jonë”, tabloja është më pak rozë. Rajoni i “Ballkanit Perëndimor” nuk është zhvilluar në drejtimin që të gjithë kishim shpresuar. “Vendet tregojnë elemente të qarta të kapjes së shtetit…” për të folur me fjalët e Komisionit Europian. Kur në nivel kombëtar mungon zbatimi i ligjeve, anulohen procedurat parlamentare, shtyhen zgjedhjet me vite apo zgjedhjet e parakohshme bëhen normalitet… si kemi besuar se do të mbahen premtimet e radhës? A do të përmbushen marrëveshjet rajonale? Shtetet në të gjithë rajonin janë të kapur dhe po ashtu edhe bashkëpunimi rajonal.

Pyetja kryesore për bashkëpunimin rajonal ndoshta është – sa kemi lëvizur realisht në thelb në dekadat e fundit? Pas shumicës së takimeve të nivelit të lartë, fotografia e familjes ishte rezultati më konkret i atyre takimeve. Aktualisht nuk jemi as të sigurt se e kemi ruajtur këtë rezultat. Edhe në iniciativat thjesht ekonomike, si Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM), “progresi është shumë i kufizuar”. Fushat e tjera, që mbulojnë të ashtuquajturat reforma të dhimbshme për nacionalistët dhe autokratët, janë edhe më keq. Edhe nisma si librat e përbashkët të historisë të shkruara nga dhjetëra mësues të shquar të historisë të rajonit, projekte të tilla (edhe pse histori, por vendimtare për të ardhmen) u mirëpritën, por mbështetja mbeti e pastër, kryesisht përballë homologëve të BE-së.

Bashkëpunimi rajonal mbi të gjitha duhet t’u shërbejë qytetarëve të rajonit. Sapo qytetarët të fillojnë të ndjejnë rezultatet ose përfitimet e atij bashkëpunimi, do të jetë krejtësisht e parëndësishme se në cilin format janë materializuar këto përfitime. Shumë kohë dhe energji kaluan për të diskutuar forma, në vend që të jepnin substancë.

Bashkëpunimi rajonal duhet të përfshijë qytetarët, duhet t’u drejtohet qytetarëve dhe ata duhet të vendosen në qendër. Shumica e problemeve me të cilat ballafaqohet çdo ditë ndahen mes të gjithë qytetarëve të rajonit. Shumë probleme të shekullit të 21-të mund të trajtohen vetëm në një nivel (të paktën) rajonal – duke filluar nga përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike, tranzicioni i energjisë, migrimi, … ne të gjithë duhet të kërkojmë që problemet e shekullit të 21-të të fillojnë të trajtohen seriozisht në vend që të merren me problemet e liderëve politikë të shekullit të 19-të të vënë përballë nesh.

Bashkëpunimi rajonal është një mjet. Solidariteti rajonal një domosdoshmëri.

 

Aleksandra Tomanic, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Europian për Ballkanin