Open Balkans është ende një nisëm gjysëm rajonale. Pa arritur që të përfshijë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor suksesi i saj do të jetë shumë i kufizuar dhe madje mund të bëhet pengesë për marrëdhënie të mira dypalëshe brenda rajonit.

 Alba Cela

Ballkani i Hapur, iniciativa e themeluar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut ishte në qendër të vëmendjes publike sërisht së fundmi. Fillimisht deklarata përkrahëse dhe tendencioze e Ministrit të Jashtëm rus, Lavrov, i dha municion kritikëve të Open Balkans. Ata nxituan të argumentojnë se përkrahja e Rusisë konfirmon pronësinë e Serbisë dhe shkon kundër interesave euro-atlantikë të rajonit. Disa ditë më vonë, pjesmarrja e Shteteve të Bashkuara të Amëerikës në Samitin e Open Balkans në Ohër tregoi dhe njëherë interesin dhe mbështetjen e administratëts Biden, në vijim të asaj Trump, për këtë nisëm.

Ballkani i Hapur, u prezantua publikisht në 2019. Prej fillimit ka gjeneruar shumë debat dhe ka ndikuar në marrëdhëniet dypalëshe në rajon midis vendeve që e përkrahin e bëjnë pjesë në të dhe atyre që nuk i janë bashkuar. Impakti më i madh negativ është në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës të pozicionuara në dy krahe të kundërta në këtë aspekt.

Kosova, po dhe aktorë të tjerë kritikë, e cilësojnë Open Balkans si një projekt të Serbisë për të maksimizuar përfitimet e veta si dhe për ti hapur rrugë influencave të treta, Rusisë në vecanti, në rajon.

Pozicioni i Bashkimit Evropian ka qenë mjaft fluid. Komisioni Evropian ka theksuar se duhet të vijohet me angazhimet e ndërmarra në kuadër të procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal, po ndërkohë Komisioneri Varhelyi ka qenë disa herë prezent dhe mbështetës në takimet e OB.

A fitojnë të gjithë?

Për rreth tre vitet e para të ekzistencës, Ballkani i hapur ngeli në nivelin e mbledhjeve dhe fotografive, me një mungesë të theksuar transparence mbi dakordësimin e politikave. Në dhjetor të 2021 u arritën marrëveshjet e para të mirëfillta midis tre qeverive që u publikuan më vonë. Tashmë me mbledhjen e fundit është arritur marrëveshja e katërt si dhe janë firmosur tre memorandume bashkëpunimi, të cilat janë më shumë në nivelin simbolik. Në tërësi është ende herët të shihen efektet mirëfillta në ekonomi. Lëvizja e lirë ka pasur si plus vetëm faktin që qytetarët e Shqipërisë mund të hyjnë tashmë në Serbi vetëm me karta identiteti, një përfitim i vogël.

Ekspertët janë të ndarë në gjykimin e përfitimeve dhe dëmeve që ekonomitë do të kenë nga kjo nisëm. Disa e gjykojnë faktin që Serbia është ekonomia më e madhe dhe më konkurruese në rajon si një parakusht që nisma do të favorizojë atë në kurriz të vendeve të tjera. Megjithatë ekonomitë e tregut në një botë të ndërlidhur funksionojnë përherë në trysninë e njëra tjetrës dhe pasja e një avantazhi krahasues është domosdoshmëri. Kështu që fakti se dikush tjetër është më i mirë nuk e pengon tregtinë globale përkundrazi.

Përfitimet e tjera në lëvizjen e krahut të punës dhe kapitalit financiar janë të vështira për tu parashikuar. Fakti është se të tre këto vende ashtu si dhe tre vendet e tjera të rajonit vektorin e lëvizjes e kanë nga vetja drejt Bashkimit Evropian. Pra nuk ka pasur interes që të rinjtë të shkojnë të kërkojnë punë në vendet fqinje po lëvizja ka qenë gjithnjë drejt Gjermanisë, Anglisë, etj.

Deri tani Open Balkans nuk i ka kapërcyer në ambicie ato që mund të ishin arritur me një angazhim të plotë të të gjitha palëve në procesin e Berlinit dhe të kronizave si RCC, CEFTA, etj. Zgjedhja për tu angazhuar për ti arritur të njëjtat qëllime (4 liritë themelore) nën një ‘çadër’ tjetër duket si zgjedhje për protagonizëm politik personal nga ana e themeluesve.

Mbi të gjitha Open Balkans është ende një nisëm gjysëm rajonale. Pa arritur që të përfshijë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor suksesi i saj do të jetë shumë i kufizuar dhe madje mund të bëhet pengesë për marrëdhënie të mira dypalëshe brenda rajonit.

 

Alba Cela eshte Drejtore Ekzekutive e Institutit Shqiptar te Studimeve Nderkombetare dhe zv-kryeredaktore e botimit ‘Tirana Observatory’