Pikërisht për shkak të së kaluarës së Bosnjë-Hercegovinës, njollës europiane, të gjithë aktorët relevantë në skenën politike dhe publike duhet të qëndrojnë të bashkuar për t’iu kundërvënë kërcënimeve të reja.

Adis Deljkovic

Skenat e tankeve dhe automjeteve të blinduara, sulmet e artilerisë në ndërtesat e larta civile, fëmijët që qajnë në krahët e nënave të frikësuara në bodrume, rreshtat e refugjatëve – duket se nuk mund të shkundin askënd jashtë Ukrainës më fort se ata që e përjetuan dhe I mbijetuan, si populli i Bosnjës dhe Hercegovinës në vitet ’90.

Menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës, u bë e qartë se shkeljet e konventave ndërkombëtare, rregullave humanitare dhe ligjeve të Kombeve të Bashkuara, gjithashtu të shkelura pafundësisht në tokën boshnjake, ishin në lojë.

Një uverturë e ngjashme që i parapriu ngjarjeve në Ukrainë është një kujtesë e pamëshirshme e një kohe që nuk do të harrohet kurrë.

Befasia dhe mosbesimi pas sulmit të 24 shkurtit, ndonëse u përfol dhe madje u shpall me muaj të tërë, i ngjante habisë në fytyrat e banorëve të Sarajevës në maj 1992, gati 30 vjet më parë, në zemër të së njëjtës Europë.

Sot, kryesisht për shkak të një kuptimi të thellë të situatës në të cilën ndodhen ukrainasit, ka një solidaritet të fortë në B&H, por kjo është lënë në hije nga frika se lufta e ndezur në Europën Lindore nuk do të mbetet e kufizuar në atë rajon.

Plagët këtu janë shumë të dhimbshme, edhe 30 vjet më vonë, duke e bërë të pamundur vëzhgimin e ngjarjeve në Ukrainë me të njëjtat sy si ato në Paris, Londër apo Vjenë…

Fërkimet në skenën e brendshme politike të B&H janë afër një pike vlimi, kështu që pushtimi rus i Ukrainës ka nxitur më tej frikën e vjetër se populli i saj do të paguajë përsëri çmimin e naivitetit, duke besuar në njoftimet e mbështetjes nga komuniteti ndërkombëtar, që rezultuan të ishin premtime boshe.

Historitë e ndarjeve, klasifikimeve dhe pozicionimeve janë sërish në lojë, histori që rrallë përfundojnë mirë këtu. Askujt nuk i pëlqen të dëgjojë se efektet e kësaj lufte në fazat e ardhshme do të luajnë një rol në ndryshimet gjeopolitike dhe në strukturën e marrëdhënieve ndërkombëtare, por mbi të gjitha do të ndikojnë në të ardhmen e Europës.

Dhe për Bosnjën dhe Hercegovinën, Bashkimi Europian dhe drejtimi euroatlantik mbeten në plan të parë, veçanërisht në një kohë kur është më se e qartë se ka disa që janë të gatshëm të mbështesin distancimin e një vendi të pavarur nga synimi i tij.

Lufta në Ukrainë nuk duhet të lëkundë aspiratat e shteteve të lira dhe të banorëve të saj. Prandaj, Europa duhet të përshpejtojë urgjentisht aktivitetet e procesit të zgjerimit.

Pikërisht për shkak të së kaluarës së Bosnjë-Hercegovinës, njollës europiane, të gjithë aktorët relevantë në skenën politike dhe publike duhet të qëndrojnë të bashkuar për t’iu kundërvënë kërcënimeve të reja.

Shumë prej atyre që kanë çuar në luftë B&H, gjë që na bën t’i shohim ndryshe ngjarjet në Ukrainë, aktualisht janë të shtrirë në birucat e tyre.

A mund të jenë këto ndjekje penale para gjykatave ndërkombëtare të drejtësisë një paralajmërim për ata që po sulmojnë Mariupol, Kharkiv, Odessa, Kiev…?

Përveç dënimeve, sanksioneve dhe pritjes së refugjatëve, është i nevojshëm një reagim më vendimtar i BE-së, i cili jo shumë kohë më parë dështoi në B&H.

Sepse ky vend, ndoshta më shumë se kushdo tjetër në tokën evropiane, dëshiron që kjo histori e tmerrshme, e cila këtë herë zhvillohet në shekullin e 21-të para syve të Europës dhe botës, të marrë fund sa më shpejt, si dhe frikërat që në mënyrë të pashmangshme lindin në Ballkan kur kërcitja e armëve u shndërrua në një marshim të përgjakshëm.

 

Adis Deljković, redaktore e departamentit të politikës së jashtme të BHT1 dhe redaktore dhe drejtuese e emisionit të përjavshëm “Global”