Vendet të cilat janë duke u zhvilluar siç është rasti i shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndërmarrësitë të cilët sjellin inovacione në treg ofrojnë një kontribut kyç në procesin e zhvillimit ekonomik.

Adelina Hasani

Ndërmarrësia inovative ka një rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë. Kur niveli i papunësisë është i lartë dhe ekonomia ka stagnuar ndërmarrësia duke zhvilluar produkte inovative mund të ndihmojë ekonominë dhe të ulë papunësinë. Prandaj, vendet të cilat janë duke u zhvilluar siç është rasti i shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndërmarrësitë të cilët sjellin inovacione në treg ofrojnë një kontribut kyç në procesin e zhvillimit ekonomik.

Ekonomia e Kosovës është ende shumë e varur nga hyrjet e remitancës dhe aktivitetet e donatorëve. Për më tepër, pandemia Covid -19 ka goditur rëndë ekonominë e Kosovës. Sipas të dhënave të ASK-së, qysh në fillim të pandemisë, shkalla punësimit ka rënë nga 29.1% në 24.1%, dhe shkalla e papunësisë është rritur nga 25% në 27.2%. Sipas një hulumtimi të Institutit GAP, 198 mijë punëkërkues/e janë regjistruar në shtatë muajt e parë të pandemisë Covid – 19, shumica nga punëkërkuesit/et i përkisnin grupmoshës 25-39 vjeç.

Përderisa niveli i lartë i papunësisë dhe efektet e pandemisë Covid-19 kanë shkaktuar krizë të rënd ekonomike, ndërmarrësia inovative shihet si një incentivë për rritjen e punësimit dhe fuqizimit ekonomik sidomos tek të rinjtë. Në Kosovë ekzistojnë disa shembuj se si ndërmarrjet inovative kanë arritur të futen në sektorin e biznesit. Një shembull unik i ndërmarrësisë inovative është “SPECTRA” në Prizren. Një kompani inovative, multidisiplinar që operon në fushat e Arkitekturës së Qëndrueshme, Teknologjisë së Informacionit, Ekonomisë Qarkore dhe Edukimit, që është themeluar në kohën e pandemisë nga dy gra të reja Premisa Arapi dhe Primesa Arapi. Premisa dhe Primesa janë dy motra që studimet e tyre i kanë përfunduar jashtë vendit dhe janë kthyer në Kosovë me idenë për të hapur një biznes që është inovativë, por që në fokus ka mbrojtjen e ambientit. Përmes ofrimit të shërbimeve të tyre ato rrisin ndërgjegjësimin tek konsumatorët se si duhet të mbrohet ambienti. Ideja fillestare e SPECRTA ka qenë ndërtimi i një baze kombëtare për zhvillim të qëndrueshme, digjitalizimin e praktikave të përditshme dhe prodhimit që është miqësor ndaj mjedisit. Përmes fushës së Arkitekturës së Qëndrueshme, SPECTRA ofron shërbime për arkitekturë të gjelbër / dizajn ekologjik, llogaritjen e efiçiencës së energjisë në ndërtesat ekzistuese dhe ato të planifikuara, dhe të gjitha materialet e prodhimit që i ofrojnë klientëve të tyre janë të riciklueshme. Ndërkaq përmes kurseve të edukimit, SPECTRA ofron orientim dhe planifikim të karrierës. Kështu ato ka arritur që rreth vetes të mbledhin shumë profesionistë të fushave të ndryshme duke instaluar një formë tjetër të biznesit që ofron disa shërbime në të njëjtën kohë, kontribuon në zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik dhe promovon zgjidhje efikase për mbrojtjen e energjisë. Ky shembull tregon se si një biznes me disa ide inovative mund të shfaqet si një alternativë në tregun e punës.

Përtej problemeve të shumta me të cilat ballafaqohen bizneset në Kosovë – sidomos gjatë periudhës së pandemisë- ndërmarrësia inovative luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Për më tepër, ajo mund të jetë edhe një hap i rëndësishëm për parandalimin e largimit të të rinjve dhe njerëzve të arsimuar nga vendi, duke krijuar hapësira inovative për ta ushtruar profesionin e tyre. Prandaj është shumë e rëndësishme që të ndërtohen politika institucionale të qëndrueshme që mbështesin idetë inovative.

 

Adelina Hasani is a human rights activist and gender expert