Në vitim 2016, Rrjeti i Grave të Kosovës lancoi raportin e parë të bërë ndonjëherë në Kosovë, i cili vlerëson se rreth 48.5% e kosovarëve kanë përjetuar ngacmim seksual, ndërsa poashtu vlerësohet se rreth 64% e grave në Kosovë kanë përjetuar ngacmim seksual gjatë gjithë jetës së tyre.

Adelina Berisha

Në dhjetorin e vitit 2014 në Kosovë u organizua reagimi i parë në rrugë “Take Back the Night” ku të rinjë e të reja, aktivistet për të drejtat e grave u mblodhën së bashku dhe përmes marshit e brohorimave protestuan kundër ngacmimit seksual. Ngjarja u organizua nga Rrjeti i Grave të Kosovës në kuadër të takimeve që RrGK kishte me vajzat kosovare të cilat u shprehën se ngacmimi seksual ishte njëri prej problemeve më të mëdha që po cenonte sigurinë e tyre. Deri më atëherë, ngacmimi seksual si formë e dhunës ndaj grave ishte një temë tabu për shoqërinë kosovare dhe për të flitej vetëm mes shoqeve vajza të cilat shprehnin shqëtësimet e tyre për përjetimet e ngacmimit seksual që ato i kishin përjetuar. Në hapësira publike, nuk flitej fare për këtë problem që po prekte jetërat e grave dhe vajzave në Kosovë.

Në vitim 2016, RrGK lancoi raportin e parë të bërë ndonjëherë në Kosovë, i cili vlerëson se rreth 48.5% e kosovarëve kanë përjetuar ngacmim seksual, ndërsa poashtu vlerësohet se rreth 64% e grave në Kosovë kanë përjetuar ngacmim seksual gjatë gjithë jetës së tyre. Në përgjithësi gratë dhe vajzat të anketuara nga RrGK, janë shprehur se nuk e kanë raportuar ngacmimin seksual tek asnje institucion. Ne 2015, RrGK gjeti se vetëm  4.1% e të gjithë respondentëve i kanë raportuar rastet e ngacmimit seksual tek autoritetet ose njihnin dikë që kishte vepruar kështu. Kultura e “fajësimit të viktimës”, në rastet kur ka ngacmim seksual, është e përhapur gjerësisht, ku 74% e kosovarëve besojnë se “gratë u shkaktojnë vetë probleme vetes, duke u veshur dhe sjellë në mënyrë provokative.” Pothuaj një e treta e kosovarëve besojnë se njerëzit i ngacmojnë të tjerët kur janë të tërhequr prej tyre dhe se kjo sjellje është “në rregull”. Më shumë burra (35.4%) sesa gra (26.9%) kanë prirje të pajtohen me mendimin se kjo sjellje nuk përbën problem (është “në rregull”). Më tej, si tek burrat, ashtu edhe tek gratë, ekziston një besim i përhapur që “të rejave iu pëlqen kur i ngacmojnë” (40.5%).

Shumë pak qytetarë kanë treguar njohuri për atë se cka nënkupton ngacmimi seksual. Kjo ndoshta për faktin se deri në vitin 2019, ngacmimi seksual nuk ishte vepër penale. Në legjislacionin kosovarë, në procedurat civile, ngacmimi seksual përkufizohet në Ligjin për Barazinë Gjinore dhe Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi. Nga viti 2019, ngacmimi seksual është vepër penale, në nenin 183 i cili e definon ngacmimin seksual si “Ngacmimi seksual nënkupton cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues’, ndërsa denimi për ngacmim seksual është duke filluar nga denimet me gjobë deri në denimet me 5 vjetë burgim.

Ngacmimi seksual le pasoja të ndryshme për viktimat, pasoja emociononale duke filluar nga ndjenja e fajit, humbja e vetbesimin, ndjenja e frikës. Ngacmimi seksual ndikon edhe në qasjen e grave në sferë publike, duke ndikuar që kjo qasje të jetë e minimizuar dhe e rrezikshsme për gratë. Ncamimi seksual ka ndikuar që shumë gra të humbin punën apo interesimin për tu punësuar nga frika e përjetimeve të ngacmimit seksual si dhe mungesa e politikave që luftojnë ngacmimin seksual tek institucionet publike por edhe ato private, e që do të lehtësonin raportimin e ngacmimit seksual për viktimat.

Nga shtatori i vitit që lam pas, Kosova është zotuar ta zbatoj Konventën e Stambollit, duke e bërë pjesë të Kushtetutës. Kjo konventë, mes tjerash, kërkon nga shtetet që të parandalojë dhunën ndaj grave, përfshirë këtu edhe ngacmimin seksual.

 

Adelina Berisha, Menaxhere e programit kundër dhunës me bazë gjinore Rrjeti i Grave të Kosovës