Shpresoj që të gjithë eprorët arrogantë, abuzuesit, sherifët e neveritshëm lokalë, monstrat në pozita pushteti që mund të veprojnë neveritshëm dhe të shpëtojnë pa u dëmtuar, po dridhen tani, duke i thënë vetes se viktimat e tyre më para heshtin sesa bërtasin për ndihmë.

Zoran Kesic

Ndonjëherë shoh në ëndërr sikur kohë më parë kam vrarë një person. Kam vrarë dikë fshehtaz, dhe asnjeri nuk e di për këtë vrasje, as unë nuk e dija deri pak më parë. Ia kisha arritur ta shtypja këtë gjë të tmerrshme kaq thellë, sa e kisha harruar; Vazhdova të jetoj jetën time të një njeriu të zakonshëm, një personi që kurrë nuk ka vrarë njeri. Deri tani, kur në ëndërr u kujtova ‘prit një sekond, e kam vrarë këtë djalë dikur’.

Ky ndërgjegjësim shoqërohet me faj dhe frikë. Nuk e di se nga çfarë kam më shumë frikë – që gjithmonë do të jem i ndërgjegjësuar se kam kryer një krim, apo se dikush mund të zbulojë që jam një vrasës. Më pas u zgjova dhe jam disi i lehtësuar që nuk kam vrarë njeri. Për momentin.

Mund të vazhdoj të jetoj një jetë me probleme të rëndomta, pyetje, dhe faj sezonal si ky i momentit ‘Kam shtuar kaq shumë peshë, si do të dal para kamerave të TV dhe shikuesve të mi’.  Pyes veten, veçanërisht këto ditë, si ndjehen ata që i kujtojnë vetes (në ëndërr apo gjatë kohës kur janë zgjuar) se njëherë kanë mëkatuar rëndë.

Si zgjohen gjithë ata ‘Xhaxhallarë’, që kanë parë në ëndërr se kanë abuzuar dhe përdhunuar, dhe kanë gjithë ditën përpara për ndërgjegjësim – duke e ditur që nuk ishte ‘thjesht një ëndërr’.

Po sikur gazeta e sotme e mëngjesit të kishte foton time në të? Ai mendon me vete.
Po sikur ‘ajo e imja’ të flaës hapur si Milena dhe Iva?

Po sikur policia të hyjë me forcë në apartamentin tim ndërsa po ha mëngjes?

Mëngjes, dreke, dhe vakte të këndshme në të ardhmen.
Dhe flini mirë nëse mundni.

Jetoni me frikë, ju bastardë!

Sepse dollapet ku keni fshehur skeletet tuaja nuk mund të mbyllen më; ato kanë filluar të derdhen, dhe të gjithë do të shohin çfarë keni bërë.

Çfarë dite e gëzueshme do të jetë kjo për drejtësinë, çfarë simfonie lozonjare dhe gati e harruar për skeletet.

Veçse nuk do të jetë.

Nuk ka asgjë të gëzueshme rreth saj, veçanërisht për viktimat.

Më rastis që e njoh një. Unë i shkrova asaj, i thashë se ajo nuk duhet të kishte as më të voglin dyshim nëse duhej të kishte folur, zbuluar, bërtitur. Dhe i thashë që pas kësaj, të gjithë do t’i respektonin dhe admironin edhe më shumë ato.

Sepse mund të imagjinoj edhe skenarin në të cilin viktima nuk flet.

Duke i thënë vetes që nuk ishte aq keq, e justifikon, shqetësohet për gjëra të tjera – ajo gjen gëzim, bie në dashuri, lufton me demonët e tjerë, koha kalon, ajo harron.

Ndaj, është e admirueshme dhe e respektueshme të gërmosh të kaluarën.

Duke na treguar ne të gjithëve sekretin më të thellë, dhe më të fshehtin.

Duke na lënë ne të gjykojmë, vlerësojmë, këshillojmë, të presim më shumë detaje, të dërgojmë një mesazh mbështetës…

Ose mbase pyesim veten ‘pse ka heshtur’, dyshojmë, tallemi, poshtërojmë…

Ndarja e eksperiencës me të gjithë ne meriton admirim dhe respekt.
Dhe është përgjegjësia jonë të fuqizojmë viktimat.

Fakti që nuk kemi vrarë njeri, si unë, nuk na bën qytetarë të mirë, por mbase qytetarë të cilët (për fat) nuk kanë patur në dorë një armë të mprehtë, të ftohtë apo një pajisje eksplozive në një moment të caktuar.

Ne bëhemi qytetarë të mirë kur bashkohemi dhe japim mbështetje pa kushte për denoncuesit e guximshëm.

Jo vetëm në këtë rastin aktual ‘të aktrimit’.

Shpresoj që të gjithë eprorët arrogantë, ata që detyrojnë të tjerët, abuzuesit, sherifët e neveritshëm lokalë, monstrat në pozita pushteti që mund të veprojnë neveritshëm dhe të shpëtojnë pa u dëmtuar, po dridhen tani, duke i thënë vetes se viktimat e tyre para heshtin sesa bërtasin për ndihmë.

Sa persona do të flenë sonte dhe do të ëndërrojnë që dikush dikur i vrau ata?

Asnjeri nuk e di për këtë vrasje, dhe as ata nuk e dinin deri së fundmi, sepse e kanë mbajtur të fshehur.

Ata jetojnë jetën e njerëzve të zakonshëm, dhe janë vrarë një herë.

Epo, mirëmëngjes o njerëz!
Nëse keni diçka që dëshironi të na thoni, ne do t’ju dëgjojmë me kënaqësi dhe do bërtasin në anën tuaj.

Dhe kuptoni që turpi, frika, dhe gjykimi nuk kanë vend në shtëpinë tuaj.

Ata janë të zënë me të gjithë ‘Xhaxhallarët’ të cilët po përpëliten këto ditë, duke u përpjekur të bllokojnë dollapët e tyre të vjetër, të shkatërruar dhe të tejmbushur.