Kur Ceca ishte ende një Velickoviç dhe Vuk Drashkoviç ishte në opozitë, kuptova se shteti i së drejtës është si Grali i Shenjtë për të cilën duhet të luftosh, ta kërkosh dhe të besosh se ekziston, pavarësisht se sa herë realiteti dëshmon se je në një mision të pamundur.

Zoran Kesic

 Disa thonë se e kanë parë atë, se ka ekzistuar me të vërtetë dikur.

Disa aventurierë betohen se kanë vizituar toka të largëta ku ishte shumë real.

Të tjerët tundnin kokën kur dëgjojnë këto histori dhe i deklarojnë ato përralla, supersticion, politikë, zbavitje për masat.

Nuk po flas për zanat, shtrigat, përbindëshat e Loch Nessit, dhe krijesa të tjera imagjinare. Sigurisht, po flas për shtetin e së drejtës.

Në gati katër dekada e gjysëm të ekzistencës time, më shumë kam hasur të drejtën e sundimit sesa sundimin e ligjit. Dhe është një e drejtë e pakufizuar për të qeverisur, në çdo mënyrë që i shkon për shtat sundimtarit në çdo moment të caktuar; pa kufizime, kontrolle, sanksione apo, mos e dhëntë Zoti, institucione që do të kontrollojnë, do të frenojnë dhe do drejtojnë atë rregull drejt respektimit të…

Çfarë saktësisht?

Të drejtave? Kushtetutës? Ligjit? Etikës? Moralit? Mirësjelljes bazë?

Së bashku me sundimin mistik të ligjit, këto koncepte mund të gjenden gjithnjë e më shumë në libra me ilustrime të bukura që ua lexojmë fëmijëve kur i vëmë në gjumë dhe jo në shoqërinë tonë dhe në jetën tonë të përditshme.

(Nuk e kisha seriozisht dhe jo, nuk ua lexoj Kushtetutën fëmijëve në darkë, se do të shohin në ëndërr Koshtunicën apo shumë më keq)

Unë kam hasur të drejtën për të qeverisur ashtu siç ka dëshiruar sundimtari gjatë ditëve të ndjeshme të rinisë sime. Kur Ceca ishte ende një Velickoviç dhe Vuk Drashkoviç ishte në opozitë, kuptova se shteti i së drejtës është si Grali i Shenjtë për të cilën duhet të luftosh, ta kërkosh dhe të besosh se ekziston, pavarësisht se sa herë realiteti dëshmon se je në një mision të pamundur

Realiteti i këtyre përpjekjeve të mia heroike zakonisht shfaqej në formën e një kordoni policor që të hidhej sipër, gjë që zakonisht do të më bënte ta harroja kërkimin e ndershëm për sundimin e ligjit dhe të kërkoja një vend për t’u fshehur.

Askush nuk mund të ma marrë të drejtën time për patur frikë nga policia, qoftë atëherë apo sot – veçanërisht pasi kam kaluar dekada të tëra nën ndjesinë se jam fajtor për diçka në secilën mënyrë, dhe që do të përfundoja keq nëse më kapnin.

Më ndodh shpesh që nisem për qendrën e votimit, hedh votën time, dhe shteti ma vjedh votën time – e ha atë, e humbet, ose thjesht e zhduk.

Pastaj unë dal në rrugë për të kërkuar shtet ligjor, dhe në të njëjtën mbrëmje, në vend që të më cilësojnë një luftëtar trim për të vërtetën dhe drejtësinë, televizioni kombëtar më quan tradhëtar, një mercenar të huaj, një forcë e kaosit dhe çmendurisë, ose pak më butë – një person të vështirë.

E kam kuptuar që kam të drejtë votë, por nuk kam të drejtë të pres që vota ime do të numërohet. Është vetëm faji im që rrethova përgjigjen e gabuar. Kurrë nuk kam dalë mirë në kuize.

Edhe pse nuk kishte shtet ligjor, në ato vite, dikush pak më i vjetër se unë kishte të drejtë të mobilizohej, dhe të dërgohej në njërën nga luftërat në të cilat nuk ishte përfshirë Serbia.

Eshtë interesante, se pas lufte ata shpesh do të humbnin të gjitha të drejtat që duhet të kishin veteranët në kohë paqeje.

Qytetarët e varfër dhe të uritur kishin të drejtë të investonin kursimet e tyre modeste në një nga bankat e jashtëzakonshme piramidale që premtonin norma të larta interesi.

Këto ishin premtime boshe për të mos thënë më tepër, dhe bankat u mbyllën sapo përfituan nga njerëzit, dhe pronarët e tyre u burgosën direkt më vonë.

Pas ndryshimit të qeverisë, ne kemi pritur që në Serbi të vinte shteti ligjor. Ne mirëpritëm edhe Rolling Stones, ndaj si mund të mos kemi shtet ligjor.

Për fat të keq, ashtu si grupet e mëdha që ndonjëherë dalin vetëm në fillim për të luajtur, për të marrë paratë, dhe për të ikur përpara sesa admiruesit e pakënaqur të kuptojnë se ata janë mashtruar, po kështu edhe shteti ligjor, i cili herë pas here shfaqet, dhe zhduket shpejt. Kemi filluar të kuptojmë se edhe këto ‘të rinjtë’ nuk do të na japin privilegjin që të jetojmë në një vend normal, të rregullt.

Dhe së fundi, në këtë fazë të fundit të mungesës sonë të shtetit ligjor, që po ndodh për gati dhjetë vjet, ne kemi arritur një situatë prekëse, të ashtuquajtur “retro”, e njohur për disa si “Unë i dua vitet nëntëdhjetë” në të cilat unë jam sërish një tradhëtar, një mercenar i huaj, një shërbëtor i ambasadave, ​​dhe ndonjëherë (më së shumti kur është hëna e plotë) një Satanist.

Jam i vetëdijshëm se me siguri nuk do ta arrijmë kurrë atë Gralin e Shenjtë të shtetit ligjor këtu, por nëse mendoni se këto janë fjalët e një disfatisti, një personi të dëshpëruar, një njeriu që ka humbur shpresën – ju gaboheni.

Përpjekja është emri im i dytë.

Sa më i paarritshëm qëllimit, aq më e madhe këmbëngulja ime.

Flaka e lirisë po digjet në shtetin e kapur.

Ajo flakë është në gjoksin tim.

Unë dal në rrugë dhe kërkoj me vendosmëri vendosjen e menjëhershme të shtetit ligjor.

Ose këtë, ose do të shkaktoj kaos total.

Uau, policia!

Më mirë po shkoj në shtëpi të mbaroj këtë shkrim, është pak ftohtë megjithëse është mars.