Njëzet e pesë (25) + arsye pse largohen të rinjtë

Voja Zanetic

  1. Sepse vendi ku duan të shkojnë ka mungesë të krahut të punës, veçanërisht të personave të shkolluar, përse të mos e kompensojë këtë me njerëz nga një vend ku ka tepricë; për më tepër, ku merren disa qindra mijëra euro në vlerë arsimi dhe disa miliona euro në vlerë pune ‘për hiçgjë’.
  2. Sepse bota, minimumi, ndahet në katër kategori shtetesh, dhe çdo qytetar mend në këtë botë, veçanërisht një i ri, kërkon të jetë – le të përdorim një metaforë futbolli meqë jemi në mes të europianit – ‘në një kategori më të lartë’.
  3. Sepse vendet nga të cilat po largohen nuk e kuptojnë (ose nuk duan ta kuptojnë; ose nuk u intereson) se ikja e trurit dhe ikja e fuqisë punëtore në të vërtetë do të thotë eksport falas i një kapitali që i rritet vlera vit pas viti.
  4. Sepse këtu, ku mund të qëndronin, të rinjtë nuk kanë garanci për katër shtyllat kryesore për një qëndrim të përhershëm: Punësim, Familje, Drejtësi dhe Perspektivë për Prosperitetit
  5. Sepse ‘zona’ më e madhe që zënë të rinjtë – interneti – nuk ka vërtet kufij, kështu që duket se ata nuk duan t’ia dinë.
  6. Sepse brezat e rinj votojnë me ‘këmbë: kur nuk u pëlqen vendi, shoqëria ose qeveria – ata shkojnë diku tjetër, aty ku këto gjëra janë më të mira.
  7. Sepse qeveritë e vendeve nga të cilat ata largohen nuk e ndjenë ndonjëherë nevojën për të pasur votues që do të dëshironin të bënin një ndryshim, ose që të ishin të interesuar për një të ardhme përtej një mandati të vetëm.
  8. Sepse nuk planifikon njeri të ketë nipër e mbesa në një vend ku një grup njerëzish sigurojnë dhe të ardhmen e nipërve të tyre gjatë një mandati të vetëm.
  9. Sepse një shtet, në të vërtetë, është një lloj ofruesi shërbimesh dhe të rinjtë duan shërbime më të mira, plus që ofruesit e shërbimeve më të mira gjithmonë luftojnë për të fituar përdorues të rinj.
  10. Sepse buxhetet e duhura shtetërore krijohen bazuar në idenë e taksimit të njerëzve të aftë dhe të suksesshëm (në së ardhmen), dhe jo në borxhin e qytetarëve të paaftë dhe joproduktivë (të mëparshëm dhe atyre aktualë).
  11. Sepse fuqia punëtore është një treg dhe në atë treg, rajoni ynë i përqendruar në vetvete nuk ka ofertën më të mirë; përkundrazi.
  12. Sepse është koha e nomadëve digjitalë, jo atyre analogë që qëndrojnë në një vend.
  13. Sepse shumica vendos, të rinjtë nuk janë shumicë, dhe shumica – le të themi të vërtetën – as nuk interesohet për të rinjtë.
  14. Sepse ne ende i qëndrojmë idesë që Rajoni ynë përbëhet nga vende me fuqi punëtore të lirë, sikur çmimi i punës të ishte po aq i pandryshueshëm sa ngjyra e lëkurës që mbizotëron në këto popuj.
  15. Sepse, ndër të tjera, liri do të thotë të jesh financiarisht i pavarur, dhe të rinjtë priren të duan të jetojnë aty ku mund të jenë të lirë; kështu janë ata.
  16. Sepse zgjedhjet fitohen me premtime për një jetë më të mirë dhe jo me plane për një të ardhme më të mirë.
  17. Sepse brezave të rinj nuk ju kërkua kurrë falje për botën në të cilën i kanë lënë.
  18. Meqenëse mund të merrni avionin dhe ta vizitoni familjen në fundjavë apo ti shihni ata në Skype, është shumë më e lehtë të jesh patriot nga larg.
  19. Sepse migrimi ka ekzistuar që kur ka ekzistuar varfëria, dëshira dhe shpresa – që do të thotë, që në fillim të kohëve.
  20. Sepse as brezat e vjetër nuk do të qëndronin, sikur të ishin më të rinj.
  21. Sepse ata që kanë më shumë jetë për të jetuar kanë tendencën të mendojnë më shumë për kushtet e jetesës.
  22. Sepse kur je i ri nuk i pranon shprehjet ‘kështu është’, ‘çfarë mund të bësh’, ‘për sa kohë të kemi shëndetin’ si arsyetime të forta.
  23. Sepse nuk mund ti ndihmojmë prindërit me pension mesatar me pagën mesatare të zonës tonë.
  24. Sepse bari i tjetrit është gjithmonë më i gjelbër kur ara juaj thahet.
  25. Sepse mund të shkruaja 250 sepse, por po e lë me 25, pasi është koha që kjo të marrë fund.