‘Materiali’ i vërtetë, themeli origjinal i humorit, janë njerëzit që janë aq të fortë sa e gjitha kjo u duket komike.

E qeshura që mbron shpirtin është themeli i gjithë humorit tonë.

Në fqinjësi, dhe kudo tjetër.

Voja Zanetic

 

‘Po, ju keni kaq shumë material!’

Ata që nuk janë të përfshirë në humor dhe satirë, apo ata që nuk janë bërë pak a shumë të njohur për shkak të saj, nuk e kanë dëgjuar kurrë këtë fjali të shqiptohet. Të tjerët po, përfshirë edhe autorin e këtij teksti.

Fjalia vjen zakonisht nga njerëz të dashur, të panjohur, të cilët shpesh i afrohen autorit që njohin për ta përshëndetur dhe për të biseduar pak për cilësinë dhe sasinë e potencialit humoristik / satirik të ‘situatës’ që ka ‘kjo këtu’. Dhe ‘situata’ dhe ‘këtu’ kthehen në një lloj ‘materiali’ ndihmës për humoristët dhe satiristët për të bërë punën e tyre.

Një devijim i vogël. Shkrimtari Slobodan Selenic ka thënë njëherë që vetëm në Serbi njerëzit janë ‘të përfshirë’ në gjëra, ndërsa në vendet e tjera ata ‘i kryejnë’ ato.

 

Ndaj, duket se ky ‘material’ përbën bazën e humorit dhe satirës. Dhe pa këtë ‘material’ nuk do të kishte njerëz puna e të cilëve është të bëjnë njerëzit për të qeshur, apo ti bëjnë ata të mendojnë në një mënyrë të hidhur-të ëmbël, pa logjikë apo qëllim. Në këtë sens, dhe në këtë Fqinjësi, satiristët dhe humoristët kanë shumë punë.

Për shkak se ka shumë ‘material’. Le të përpiqemi të gjejmë se çfarë është saktësisht.

 

* * * * * * *

 

 

Steve Allan, yll i hershëm i televizionit amerikan, muzikant, aktor, komedian, bëri ndoshta përkufizimin me të saktë të komikes në editorialin e tij për Cosmopolitan në vitin e largët 1957 – ‘Komedia është tragjedia plus kohën’.

 

Pra, nëse i japim kohë mjaftueshëm tragjikes, do të përfundojë në komedi. Sigurisht duhet të ketë nevojë për të qeshur. Kjo ndodh zakonisht ku ne nuk mund të harrojmë lehtë apo të tejkalojmë diçka të trishtuar. Komedia, në këtë kuptim, na tregon që ne e kuptojmë që tragjedia është e jona. Dhe ne duam të studiojmë të gjitha aspektet e këtij ‘materiali’.

 

Luftërat, pushtimet, varfëria, mungesa e agjencisë, kjo sëmundje shëndetësore-sociale tani, janë të gjitha elemente të tragjikes, e cila, ndonjëherë për dekada, ka qenë pjesë përbërëse e realitetit në këtë Fqinjësi. Përveç kësaj, si frutat dhe perimet që na jepen për t’i provuar pa para në treg – një llojshmëri Liderësh të gjallë të cilët na premtojnë të na tregojnë rrugë daljen nga tragjedia. Drejt një jete më të mirë, një të ardhme më të mirë, çfarëdo qoftë. A mund të kuptohen dhe të jetohen të gjitha këto që përmenda më lart pa qeshur? Po, përmes sklerozës apo emigrimit. Por nëse kemi mendje të shëndetshme dhe nuk ia kemi mbathur për Kanada, ne duhet të qeshim që ta durojmë këtë. Nuk ka asgjë tjetër në këtë tragjedi vetëm – komedi.

 

 

Komikja dhe satirikja mund të akuzohen se qetësojnë zemërimin, dhe pamundësojnë ndryshimin revolucionar. Që ‘hekurosin’ cepat e realitetit. Që janë një ‘valvul shkarkimi’, pa të cilat gjaku i fajtorëve do të rridhte në rrugët tona, i derdhur nga turma e zemëruar. Pasi gjithçka rebeluese ndodh kur nuk ka humor, dhe këtë duhet të përpiqemi të bëjmë që të arrijmë ndryshimin.

Si në Korenë e Veriut, për shembull.

 

* * * * * * *

 

Një ditë më parë mora një letër, quhen email-e në ditët e sotme. Dy njerëz, të dy të infektuar me Covid. Burri ka marrje mendsh, dhimbje të tmerrshme koke, nuk mund të ushqehet – më shkruan gruaja. Ata gatuajnë supë, e vetmja gjë që mund të kalojnë poshtë. Kanë ndezuar televizorin dhe po shohin PLJIZ.[1]  Pjesa tjetër e letrës thotë:

‘Ai u ngrit, hëngri paksa, dhe shikoi programin në televizor. Ai po qeshte aq shumë, ashtu i zbehur dhe i dobët. Ju i ngritët humorin.’

Duke e lexuar mu mblodh një lëmsh në fyt.

Ju mund të bëni diçka gazmore vetëm nëse dini shumë gjëra që janë të trishtuara. Ai është ‘materiali’.

Mirënjohje më e madhe u duhet dhënë atyre që vazhdojnë të qeshin edhe kur është e vështirë ta bësh ketë gjë, sesa satiristëve.

‘Materiali’ i vërtetë, themeli origjinal i humorit, janë njerëzit që janë aq të fortë sa e gjitha kjo u duket komike.

E qeshura që mbron shpirtin është themeli i gjithë humorit tonë. Në fqinjësi, dhe kudo tjetër.

 

[1] Program satirik, i prodhuar nga Voja Zanetic dhe editorialisti i kësaj jave Draza Petrovic, mes të tjerëve