Keq-informim, mos informim, dezinformim, mbi-informim, ri-informim, dhe në fund: informim

Voja Zanetic

Ndonjëherë gjërat duken shumë të thjeshta. Le të themi, gjithë kjo sprovë informimi.

Ideja e ​​të informuarit mbështetet tek supozimi prej kohësh se ne njerëzit jemi kryesisht qënie të painformuara, derisa publikohet informacioni për diçka për të cilën nuk jemi në dijeni, dhe pastaj ne informohemi. Në thelb, e mbajmë shënim, dhe ajo që ne zgjedhim të bëjmë me këtë varet nga ne. Duhet të shtoj se të informohesh është vetëm hapi i parë në këtë proces që nënkupton se diçka, pasi përfundon procesi informues, mund të njihet, kuptohet, studiohet, zbatohet, mësohet …

Dhe mendoj se kjo është gjithçka rreth të informuarit? Epo, nuk është. Le të fillojmë nga fillimi.

Keq-informimi

Aq sa njerëzit informohen për diçka, aq informohen edhe për të kundërtën. Keq-informim është të gënjyerit, për të përdorur shpjegimin e fjalës së parë në fjalorin tonë të shkurtër. Dhe nuk ka asgjë të re që mund të themi për këtë. Përveç kësaj, nga këndvështrimi i sotëm, gënjeshtra erdhi e para, dhe vetëm pas saj erdhi e vërteta; që komunikimi të ketë kuptim, pra.

Mos informimi

Një sërë aktivitetesh që bëjnë të mundur që i informuari të harrojë gjithçka për të cilën ishte informuar më parë. Në një kontekst mediatik, kjo do të thotë përthithje e përmbajtjeve, të cilat ose nuk përmbajnë asnjë informacion, ose informacioni është absolutisht i parëndësishëm dhe i pazbatueshëm në jetën e zakonshme. Reality TV, jeta e personaliteteve, shembuj të shtëpive të njerëzve të tjerë dhe modelet e oborrit, modelet e reja të makinave me çmime të larta … Mos-informimi (apo jo-informim) është një arratisje nga të vërtetat e lodhshme, nëse është e qëllimshme. Dhe nëse jo, është një akt harrimi. Nëse duam të jemi vërtet të saktë, është një akt para -informimi.

Dezinformimi

Ridrejtimi i informacionit me informacione shtesë, të cilat ndryshojnë parakushtet, rëndësinë dhe domethënien. ‘Ata që vodhën na akuzojnë ne për vjedhje!’, ‘Kjo e ashtuquajtur lidhje e zhvendos vëmendjen nga…’ dhe fraza të ngjashme ‘kur flet dhe ti’ përdoret për të vënë në dyshim një informacion shumë të padyshimtë, jo të rehatshëm për t’u kujtuar dhe transmetuar më tej. ‘Përdridh’ është një fjalë e përdorur shpesh për shpjegimin e dezinformimit. Dhe përdredhja do ta dinte pse.

Mbi-informim

Pandemia erdhi bashkë me një pjesë infodemie, sëmundja e përdoruesit modern të medias. Ne mësojmë gjithçka për gjithçka, dhe në fund del se ne ose nuk dimë asgjë, ose dimë gjëra të cilat nuk na hyjnë në punë. Rrjetet sociale, portalet e lajmeve, motorët e kërkimit, grupet e mesazheve, e-mailet, plus të gjitha mediat e tjera që kishim, të gjithë shërbejnë për të krijuar iluzionin se ne informohemi kur në realitet ne vetëm e shohim apo e dëgjojmë këtë informacion. Asgjë tjetër. Në këtë kuptim, ajo që po lexoni tani është shumë më tepër informacion rreth informacionit. Thënë kjo, kam edhe disa gjëra të tjera për të shtuar.

Ri-infomimi

Vaksinat janë të mira, nuk po na vënë çip. Virusi nuk është krijuar që të na vrasë të gjithëve. Bill Gates është padyshim shumë i pasur, por jo shumë i fuqishëm. Avionët lëshojnë kryesisht avuj uji, nuk po na hedhin asgjë tjetër. Telefonia celulare nuk po na vret me rrezet e saj 5 g. Dhe kjo rubrikë nuk është porositur nga grupi Bilderberg.

Ri-informimi është një proces global i marrjes së informacionit rreth gjërave që ne i dimë ndërkohë, me  synimin që ato të mos vihen më në pikëpyetje nga lajme të reja jo të vërteta mbi temën. Duke pasur parasysh vërshim e të ashtuquajturit informacion, unë pres që ri-informimi të bëhet së shpejti një lëndë e detyrueshme në shkollat fillore dhe të mesme.

Dhe së fundi, informimi.

Shuma e të gjithë informimeve të lart-përmendura na jep një tablo mjaft të plotë të asaj se çfarë do të thotë sot të informohesh. Duhet të shtojmë një pjesë të rëndësishme informacioni, që është se ka shumë më pak nga ata që do të donin të na informonin me të vërtetë, dhe shumë më tepër nga ata që me kënaqësi do të përpunonin, stërhollonin, apo zhvlerësonin çdo informacion; kjo natyrisht për shkak të interesave të tyre rreth të cilave, në shumicën e rasteve, ne nuk jemi të informuar. Në këtë fqinjësi tonën, në tranzicion, informimi në kohë dhe me vërtetësi është më shumë një ideal për të cilin informohemi herë pas here se sa një aktivitet në të cilin angazhohemi rregullisht. Që sigurisht, është një informacion të cilin e dinim, por ne pretendojmë se jemi të painformuar.

Për këtë donim t’iu informonim.