Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanë humbur afërsisht 13,500 jetë si pasojë e ajrit të ndotur vetëm në Ballkanin Perëndimor. Çdo vit.

13,500.

Aleksandra Tomanic

Ajri nuk njeh kufij. Jemi të gjithë bashkë në këtë përpjekje.

Çdo dimër, kryeqytetet e rajonit tonë figurojnë dukshëm dhe rregullisht në dhjetëshen kryesuese të listave globale të qyteteve më të ndotura. Situata në qytetet më të vogla, që nuk renditen në këto klasifikime ndërkombëtare, shpesh është edhe më e përkeqësuar. Përgjithësisht, i gjithë rajoni jeton nën një re toksike, re të cilën e qarkullojmë me njëri – tjetrin dhe me vendet fqinje që janë anëtarë të BE-së, në varësi të drejtimit nga fryn era.

Falë disa inisiativave që filluan të rrisin ndërgjegjësimin për këtë çështje disa vite më parë, ndotja e ajrit është kthyer në një temë të rëndësishme në shumicën e vendeve. Megjithatë, pasojat e saj në shëndetin tonë nuk duket se janë aq të zakonshme, pasi kjo çështje nuk figuron në mesin e përparësive kryesore politike në rajon.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanë humbur afërsisht 13,500 jetë si pasojë e ajrit të ndotur vetëm në Ballkanin Perëndimor. Çdo vit.

13,500.

Vetëm një person i informuar mund të angazhohet në një betejë të përbashkët për ajër të pastër në lagjen, fshatin dhe qytetin e tij. Ndikimet e pritshme të ndryshimeve klimatike do t’a përkeqësojnë akoma më tej situatën aktuale. Gjatë muajve në vijim, ne do të adresojmë tema të tilla si: ndotja e ajrit dhe ndikimi tek shëndeti publik dhe rritja e vdekshmërisë; pasojat tek fertiliteti; ndotja e shkaktuar nga industria dhe ndotësit e mëdhenj; cilësia e ajrit dhe korrelacioni i saj me pandeminë COVID-19. Ndaj, fushata jonë “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër” synon të informojë qytetarët e Ballkanit Perëndimor mbi shkaqet dhe pasojat e ndotjes së ajrit dhe zgjidhjet e mundshme.

Fushata “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër” u iniciua nga Fondi Evropian për Ballkanin, në bashkëpunim me E drejta për Qytetin nga Beogradi, Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit nga Tirana, Ekoforum nga Zenica, Qendra për Ekologji dhe Energji nga Tuzla, Sbunker nga Prishtina, Air Care nga Shkupi, dhe OZON nga Podgorica. Shumë të tjerë na janë bashkuar ndërkohë.

Materialet e krijuara gjatë fushatës do të jenë në dispozicion të publikut për përdorim dhe shpërndarje të mëtejshme tek të gjitha organizatat, inisiativat dhe qytetarët e interesuar, të cilët i ftojmë që të marrin pjesë në mënyrë aktive.

Ndotja e ajrit figuron dukshëm në Deklaratën e Sofjes së nënshkruar së fundmi. Si pjesë të procesit të Berlinit, përfaqësuesit më të lartë qeveritarë të shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në Samitit e Nëntorit të kaluar në Sofje. Mes 5 shtyllave të saj, të cilat përfshijnë arritjen e neutralitetit të karboni deri në vitin 2050, shtylla e katërt i kushtohet luftës kundër ndotjes së ajrit. Axhenda e Gjelbër përbën një sfidë, sidomos për vendet e rajonit tonë të cilat mbështeten shumë tek qymyri dhe tek planet për ndërtimin e termocentraleve të reja me qymyr. Do të jetë e kushtueshme, por BE-ja ka shprehur angazhimin e saj për të mbështetur me instrumenta të ndryshme financiarë.

Ne kemi qenë dëshmitarë të ekzistencës së solidaritetit dhe mbështetjes rajonale. Përmbytjet, tërmetet e fundit dhe pandemia që po kalojmë e ka provuar këtë në shumë raste. Ne duhet të gjejmë mënyra për ta përkthyer më në fund këtë shprehje solidaritet edhe në kohë normale, pa katastrofa. Ne duhet të kuptojmë se pavarësisht të gjitha narrativave dhe kufijve konfliktues, ne ndajmë të njëjtat probleme, dhe ndoshta do të jemi në gjendje t’i zgjidhim më lehtë këto probleme nëse do t’a bëjmë këtë së bashku.

Kjo është një fushatë nga ne të gjithë, për ne të gjithë.

Na ndiqni: https://www.facebook.com/BalkansUnitedforCleanAir/

Dhe bashkohuni me ne: http://bit.ly/BalkansUnited