Në Shqipëri do të vijë një ditë kur zyrtarë të lartë të implikuara në afera korruptive, do të hetohen, gjykohen dhe dënohen por ajo ditë nuk është e afërt sa kohë që në rrjetën e drejtësisë bien vetëm “peshq të vegjël”.

 

Lutfi Dervishi

Në 125 faqe të raportit vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2020, – një material voluminoz që skanon dhe analizon gjendjen e vendit përballë 35 kapitujeve negociues, fjala “(anti)korrupsion” përmendet 90 herë!

Sipas raportit të Transparency International, (TI) Shqipëria renditet në vendin e fundit në Europë sa i përket antikorrupsionit. Me vetëm 35 pikë (nga 100 të mundshmet), Shqipëria ka “rënë” 23 vende në renditje tri vitet e fundit. TI vlerëson se korrupsioni është endemik dhe prek nivele të larta të qeverisjes.

Por nëse i referohesh vendeve që renditen në krye të listës së Transparency International dallimi është i qartë. Vendet që prirjnë këtë listë, kanë gjyqësor të fortë, qëndrueshmëri politike, media të pavarur, shoqëri civile aktive, ekonomi tregu funksionale, etj. Skandalet e mëdha kanë konsekuenca të menjëhershme politike dhe drejtësia vihet menjëherë në lëvizje.

Sipas raportit më të fundit vjetor të komisionit europian, korrupsioni në Shqipëri është i përhapur gjerësisht dhe mbetet “një shqetësim serioz”.

Prej vitesh një nga sfidat kryesore në betejën  antikorrupsion mbretet pandëshkueshmëria e zyrtarëve në nivele të larta.

Për korrupsionin shkruhet në media, bëhet ping pong akuzash në politikë, por është Drejtësia ajo që e thotë fjalën e fundit.
Sa i përket Drejtësisë Shqipëria është rast unik.

Shqipëria ka nisur një reformë të paprecedentë në sektorin e drejtësisë, që synon pastrimin e gjyqësorit, dhe riformatimin e institucioneve të drejtësisë.

Me miratimin e gjithë deputetëve Parlamenti ndryshoi kushtetutën në korrik të vitit 2016 dhe i dha një rol të qenësishëm dhe ONM (Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit).

800 prokurorë dhe gjyqtarë po i nënshtrohen vettingut një sitë e hollësishme që skanon jo vetëm pasurinë, por edhe profesionalizmin dhe integritetin e tyre. 4 vjet pas ndryshimeve kushtetuese- rezultatet janë mikse. Më shumë se 50% e gjyqtarëve dhe prokurorëve të vetuar nuk e kanë kaluar testin. Pastrimi po bëhet, por kosto e këtij operacioni unik është tejet e lartë. Gjyqtarët e nivelit të lartë nuk e kaluan vetingun.Vendi është pa Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe pa Gjykatë të Lartë. Si rezultat i vetingut  rrezikohet edhe funksionimi i gjykatave të Apelit. Entuziazmit për reformën në drejtësi po ja zë vendin realizimi dhe sot pranohet që procesi është i ndërlikuar, është pa kthim, por kërkon kohë.

Një nga kushtet prioritare që Shqipëria të hapë negociatat me Bashkimin Europian- është bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese.

Shpresa se kulturës së pandëshkueshmërisë në nivele të larta do t’i vijë fundi, është te institucionet e reja të drejtësië, konkretisht te SPAK- (Prokurorë Special Antikorrupsion) dhe Gjykatat Anti korrupsion dhe kundër krimit të organizuar. Institucionet e reja ende të paplotësuara, kanë nisur punë, por dosjet e para të gjykuara janë anekdodike: hetim dhe dënim të rasteve të korrupsionit në nivele shumë të ulta. Kapja e “Peshqve të mëdhenj” për të cilit publiku ka pritshmëri të lartë prej vitesh ende nuk ka ndodhur.

Si mund të luftohet korrupsioni kur vendi nuk ka Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese funksionale? A mund të raportojë Shqipëria “çështje korrupsioni” në nivele të larta, të hetuara, gjykuara dhe me dënime të formës prerë? Shqiptarët po i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për çështje që nuk i zgjidhin në Gjykatën e Lartë dhe politika në mungesë të Gjykatës Kushtetuese i drejtohet Komisionit të Venecias, për të marrë opionion për çështjet që ajo i gjykon se janë antikushtetuese.

Qeveria në anën tjetër lavdërohet se po kryen reformën në drejtësi, po pastron gjyqësorin! Në kushtet kur korrupsioni është i përhapur, nuk duket se ka shumë efikasitet organizimi i fushatave ndërgjegjësuese.

“Nxitja dhe formatimi i një mënyre sjellje etike dhe me integritet të lartë moral të të gjithë zyrtarëve në të gjitha nivelet, është ndër armët më efikase në luftën ndaj korrupsionit”, deklaroi në javën e integritetit Ministrja e Drejtësisë që është dhe Koordinatore Kombëtare kundër Korrupsionit.

Në raportin e Komisionit Europian- vlerësohet se “impakti i strukturave antikorrupsion për parandalimin e korrupsionit në sektorin publik, mbetet i paqartë” dhe se “dënimi përfundimtar i rasteve të korrupsionit në nivele të larta, mbetet një prioritet i rëndësishëm”.

Betaja kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon një vullnet politik të qartë dhe një drejtësi të pavarur dhe funksionale. Në Shqipëri do të vijë një ditë  kur zyrtarë të lartë të implikuara në afera korruptive, do të hetohen, gjykohen dhe dënohen por ajo ditë nuk është e afërt sa kohë që në rrjetën e drejtësisë bien vetëm “peshq të vegjël”.

 

 

Lutfi Dervishi është drejtues i emisionit të përjavshëm “Përballë” në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Është trajnues në Institutin Shqiptar të Medias. Prej vitesh është lektor i jashtëm në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës për lëndën “Gazetaria Investigative”.