Albanci su još uvek imali u sećanju represivnu državu iz koje su želeli da izađu umesto da je pojačavaju ekspanzionističkim planom.

Ilir Kalemaj

Përgjatë tranzicionit të vështirë demokratik në Shqipëri, një nga elementët më surprizues është mungesa e partive radikale dhe ekstremiste. Edhe kur ndonjë parti nacionaliste e ekstremit të djathtë apo populiste e majtë janë krijuar, ose grupazhe radikalësh, këto nuk kanë pasur sukses elektoral dhe zakonisht janë shuar pas një cikli zgjedhor. Shqipëria ka vuajtur nga një inflacion i vërtetë partish politike, përfshirë një shumicë të të ashtuquajturave parti fantazmë. Numri i partive të regjistruara në KQZ është mbi 130 parti politike ndërkohë që rreth gjysma e tyre merr pjesë rregullisht në zgjedhjet parlamentare apo lokale.

Ka mes tyresh parti fantazëm, parti kartel, parti kadre, parti masovike. Ka mes tyre parti që kanë një linjë ideologjike, parti që janë thjesht radikale, ndërkohë që pjesa me e madhe syresh janë parti populiste. Por nëse marrim suksesin elektoral si kutin matës të efektivitetit të një partie, shumë prej tyre nuk e kanë pasur simpatinë dhe mbështetjen e publikut të gjerë. Ose jo në atë masë sa të kenë së paku përfaqësim parlamentar ose të kenë fituar të paktën një bashki.

Është një fakt interesant që Shqipëria ndryshe nga ish-republikat jugosllave, nuk ka pasur në këto 30 vjet paskomunizëm asnjë parti nacionaliste që të artikulojë hapur një agjendë irredentiste apo të avokojë hapur krijimin e një Shqipërie të Madhe. Edhe ndonjë formacion jetë-shkurtër politik si Aleanca Kuqezi e drejtuar nga Kreshnik Spahiu, e cila ishte në favor të një bashkimi eventual të Shqipërisë me Kosovën, nuk pati rezonancë popullore dhe prodhoi të ishte elektoralisht e pasuksesshme.

Arsyeja pse partitë nacionaliste të ekstremit të djathtë nuk kanë pasur sukses elektoral mund të shpjegohen me faktin që Shqipëria ka qenë sistem totalitar dhe autarkik. Rreth një e treta e shqiptarëve zgjodhën të emigronin fill pas përmbysjes së komunizmit. Një valë tjetër migratore është duke ndodhur tani. Kjo ishte krejt ndryshe nga eksperienca e vendeve të ish-Jugosllavisë të cilët kishin mobilitet lëvizje dhe pune drejt Evropës Perëndimore përgjatë regjimit të Titos, i cili zgjodhi të lundronte me kujdes me Lindjes dhe Perëndimit. Ndërkohë që pas shpërbërjes së Jugosllavisë, konflikti ndër-etnik dhe agjendat nacionaliste morën përparësi ashtu sikundër dhe gjetkë në ish-Evropën Lindore si për shembull në vendet Balltike, në Shqipëri fryma anonte nga e kundërta. Shqiptarët po përpiqeshin të iknin sa sytë këmbët nga vendi i tyre në vend që të mikloheshin nga politikanë më agjenda nacionaliste. Shqiptarët kishin ende në kujtesën e tyre një shtet represiv nga i cili donin të largoheshin në vend që ta fuqizonin me agjendë ekspansioniste.

Gjithashtu e majta shqiptare ka qenë një e majtë autarkike, vençarisht pas prishjeve konsekutive me Jugosllavinë e Titos, me Bashkimin Sovjetik të Hrushovit dhe më pas me Republikën Popullore të Kinës. Kjo ishte krejtësisht ndryshe nga tradita internacionaliste e së majtës. Natyrisht kjo ndikoi dhe në trajektoren e së majtës paskomuniste në Shqipëri, duke qenë se Partia Socialiste ishte pasardhësja e Partisë së Punës, duke ndryshuar thjesht emrin në kongresin e partisë në 1991. Kjo traditë e së majtës historike bashkë me lindjen e një të majte të re të grupuar në formacione social-demokratike, ndonëse alienoi një pjesë të mirë të trupës votuese të cilët e panë si lëvizje hipokritë dhe mos-shkëputje nga e kaluara, garantoi nga ana tjetër struktura të mirë-konsoliduara që prodhojnë rezultat të qëndrueshëm elektoral.

Pra, terreni politik nuk ka qenë pjellor për të prodhuar parti ektremiste apo radikale në Shqipëri përgjatë tranzicionit demokratik. Partitë kryesore që kanë dominuar skenën politike dhe kanë qenë dhe janë parti parlamentare janë parti të qendrës së majtë dhe parti të qendrës së djathtë. Kjo ka ndodhur për shkaqe historike dhe një tradite të kulturës politike dhe e bën Shqipërinë disi unike në mozaikun e vendeve të ish-Evropës Lindore.

Ilir Kalemaj është studjues, publicist dhe politikolog. Mban gradën Profesor i Asociuar në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe PH.D në Shkencat Politike