Zgjidhja e krizës ruso-ukrainase është gjithashtu zgjidhja e një dimri më të sigurt në Mal të Zi.

Goran Kapor

Norma zyrtare vjetore e inflacionit, megjithëse metodologjia e përdorur për llogaritjen e tij është e diskutueshme, është 11.7 për qind, kryesisht për shkak të rritjes prej 30 për qind të çmimeve të ushqimeve bazë dhe karburanteve.

Ulja e akcizës për karburantet me 50% ndikoi në uljen e çmimeve me 27 deri në 33 cent për litër; një kilogram miell dhe një bukë janë më të lira me rreth pesë cent, ndërkohë që nuk dihen ende efektet e kufizimit të marzheve për ushqimet bazë në 5 dhe 7%, sepse kjo masë sapo ka hyrë në fuqi. Nevojat vjetore të Malit të Zi për derivate nafte arrijnë në 320 milionë litra. Me uljen e akcizës me 50% dhe kësisoj pjesën proporcionale të TVSH-së, shteti humbet 8-9 milionë euro në muaj.

Drejtoria e të hyrave dhe doganave për gjashtë muaj arkëtuan 976 milionë taksa shtetërore, që, siç njoftuan, është 130 milionë euro më shumë se plani buxhetor. Për shkak të përpjekjeve të konsiderueshme për të luftuar kontrabandën e cigareve, arkëtimi i akcizës për produktet e duhanit u rrit me 83%, në 38.5 milionë.

Ministrja e Financave, Aleksanda Damjanoviq, ditë më parë ka bërë të ditur se buxhetit të shtetit do t’i duhet një kredi emergjente prej 170 milionë eurosh, për shkak të detyrimeve që janë për arkëtim. Ai ka thënë se nga të hyrat e rregullta buxhetore ka edhe për rritjen e paralajmëruar të pensioneve, përfitimeve sociale dhe shtesave për fëmijë.

Lajmi i mirë është se sistemi bankar është jashtëzakonisht i qëndrueshëm. Totali i depozitave në banka në fund të majit të këtij viti arrin në 4.4 miliardë lekë.

Problemi më i madh i Malit të Zi në këtë peizazh është se ai duhet të importojë 98% të grurit dhe miellit për konsum njerëzor.

Kur Serbia ndaloi eksportet në mars, furrtarët kishin 10 ditë rezerva mielli. Qeveria më vonë u mburr se kishte importuar pesë kamionë tërheqës nga Bullgaria. Nevoja totale për miell është rreth 3% e prodhimit të përgjithshëm të grurit në Serbi. Nëse eksporti i rënë dakord nga Serbia do të vazhdonte sipas kuotave aktuale, nuk do të mungonte mielli.

Në dekadat e kaluara, Mali i Zi praktikisht mbeti pa industri, kështu që tani ka një tepricë të energjisë elektrike. Bilanci energjetik për vitin e ardhshëm tregon se prodhimi total i energjisë elektrike do të arrijë në 3500 gigavat orë (GWh), ndërsa konsumi do të jetë rreth 3000, duke lënë 500 GWh për eksport. Sipas çmimeve aktuale në bursat europiane, kjo shumë do të kapte vlerën e rreth 150 milionë euro, që është rreth 3% e PBB-së së vendit.

Në tre vitet e fundit nuk ka pasur rritje të çmimit të energjisë elektrike në Mal të Zi, pavarësisht rritjes drastike të çmimeve në bursat ndërkombëtare vitin e kaluar dhe këtë vit. Nëse, për shembull, do të ndodhte diçka e paparashikuar me termocentralin në Pljevlja, Mali i Zi do të duhej të importonte gjysmën e energjisë elektrike të nevojshme me çmimet aktuale të bursës dhe në atë rast çmimi nuk do të ishte 5.2 cent, por rreth 35 cent.

Ajo që është e rëndësishme për Malin e Zi si një ekonomi kryesisht turistike është që ky sezon veror të shkojë mirë në mënyrë që dimri i vështirë dhe i pasigurt të kalojë më lehtë.

Megjithatë, sezoni turistik i këtij viti është për t’u vënë në pikëpyetje. Turistët nga Rusia dhe Ukraina kishin 3.9 milionë fjetje në vitin 2019, që është 28.2% e numrit të përgjithshëm. Mysafirët nga këto dy vende sollën rreth 310 milionë euro, që është rreth 6% e PBB-së. Sipas të dhënave aktuale, rusët dhe ukrainasit bëjnë vetëm 4% të qëndrimeve gjatë natës, dhe numri i përgjithshëm i vizitave turistike është rreth 20% më i vogël se në vitin 2019.

Ashtu si të gjithë në rajon, Mali i Zi mund të shpresojë vetëm se politikanët dhe komandantët e luftës do të gjejnë së shpejti një zgjidhje për krizën ruso-ukrainase.

 

Goran Kapor është gazetar në redaksinë ekonomike të gazetës së pavarur të përditshme Vijesti