Kosova është një rast unik i cili ka tri konfesione fetare dhe me kushtetutë është shtet laik dhe neutral në çështjen e besimit.

 Ferdi Kamberi

Kosova është shtet unitar me një demokraci parlamentare. Kosova është një rast unik i cili ka tri konfesione fetare dhe me kushtetutë është shtet laik dhe neutral në çështjen e besimit. Njeherit, është shumë e pasur me monumente me vlera të mëdha historike dhe kulturore të cilat janë të mbrojtura me ligj.

Raporti në mes të shtetit dhe religjionit në Kosovë duhet parë nga perspektiva e tre faktorëve kryesorë:

  1. Standardet dhe parimet ndërkombëtare janë të inkorporuar në Kushtetutën dhe në legjislacionin e Kosovës. Kushtetuta e Republikës së Kosovës si akti më i lartë juridiko – politik, religjionin e trajton përmes lirisë së besimit, ndërgjegjes dhe fesë, e cila është e garantuar.
  2. Kultivimi dhe ruajtja me fanatizëm e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare, është pasuri e trashëguar qysh herët dhe kjo ka dhënë inpute të rëndësishme falë Rilindjes Kombëtare dhe prijësve fetarë, e cila është ruajtur deri në ditët e sotme. Toleranca dhe bashkëjetesa janë të lidhura me vlera sublime si: respektimi i lirive individuale, tradita dhe vetëdija më e lartë kombëtare në raport me atë fetare.
  3. Dimensioni aktual i pasqyrës fetare, i cili ndërlidhet drejtpërdrejti në raportin në mes të shtetit të Kosovës dhe bashkësive fetare në Kosovë. Legjislacioni në fuqi specifikon një ndarje ndërmjet sferës fetare dhe asaj publike, por të gjitha bashkësitë fetare janë të barabarta para ligjit. Institucionet e arsimit ndalojnë ofrimin e arsimit fetar ose të veprimtarive të tjera që mbështesin ndonjë fe specifike në shkolla. Mirëpo, bashkësitë fetare kanë të drejtën e tyre që të kenë shkolla ose fakultete përkatëse në kuadër të konfesioneve të tyre fetare. Gjithashtu, komunat mund të ndihmojnë bashkësitë fetare përmes donacioneve për renovimin e monumenteve të trashëgimisë fetare dhe kulturore, si: hamamet, teqetë, tyrbet, xhamiat, kishat dhe sinagogat.

Karakteristika kryesore te aportit në mes të shtetit në Kosovë dhe religjionit jane si ne vazhdim:

  • Kosova është shtet laik me Kushtetutë dhe neutral në çështjet e besimit (neutralitet sekularizmi i fortë);
  • Shteti ka të rregulluar çështjen e lirive fetare në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve;
  • Me qëllim të rregullimit të raporteve shtet – religjion, Qeveria ka amandamentuar Projektligjin për lirinë fetare (i cili është në proces), ku të gjitha bashkësitë fetare pavarësisht numrit dhe specifikave tjera, trajtohen në mënyrë të barabartë;
  • Organizatat fetare zyrtare kanë statutet e tyre konform legjislacionit në Kosovë (përjashto Kishën Ortodokse serbe);
  • Tipologjia e organizatave fetare zyrtare është kryesisht tipa të organizatave zyrtare fetare të cilat kanë statutet e tyre dhe denominacioneve;
  • Besimet fetare praktikojnë lirshëm ritualet dhe lutjet e tyre dhe shteti nuk interferon në çështjet e brendshme të bashkësive fetare;
  • Shteti i pranon festat fetare dhe komunitetet fetare gëzojnë ditë pushimi për këto festa dhe urimet dhe vizitat nga institucionet shtetërore nuk mungojnë;
  • Institucionet arsimore fetare, iu nënshtrohen legjislacionit vendor mbi çështjet e akreditimit dhe kurrikulat zakonisht janë të kombinuara lëndë nga sfera fetare dhe ajo shkencore/laike;
  • Feja është sferë private e cila manifestohet publikisht, por jo edhe në institucionet shkollore.
  • Qeveria e Kosovës është angazhuar në fuqizimin e mëtejmë të raporteve ndër-fetare në Kosovë dhe raporteve shtet – fe mbi pikëpamjen e laicitetit.

 

Ferdi Kamberi,  anëtar i Shoqatës së Sociologëve të Kosovës