Shembulli i mbrojtjes së kriporeve të Ulqinit dhe Tivarit përfaqëson funksionimin e shtetit: si është kur kemi të bëjmë me një po, dhe një jo, dhe përfundimisht me një duhet.

Gjatë 30 viteve të fundit politikanët na kanë bindur se nuk ka në Europë vend aq të pasur me burime sa Mali i Zi. Të pavetëdijshëm për pasuritë e tij, po këto politikanë e deklarojnë atë si shtetin e parë ekologjik në botë. Ata nuk e dinin atëherë, për shembull, që Mali i Zi regjistron 65% të popullatës së shpendëve të Europës, që indeksi i dendësisë së foleve të zogjve është shumë mbi mesataren e Ballkanit, që Mali i Zi është vendi i 39-të në Europë nga madhësia, megjithatë mbështetur në numrin e zogjve që kanë fole, është vendi i 23-të, menjëherë poshtë Hungarisë, e cila është 7 herë më e madhe se Mali i Zi. Po kështu, Mali i Zi ka më shumë zogj me fole sesa Britania e Madhe, Republika Çeke, Portugalia, Danimarka, Sllovenia, apo Zvicra. Kur vjen puna tek pasuria bimore, vendi ynë e gllabëron Britaninë e Madhe dhe Hungarinë.

Gjithçka ndodhi 30 vjet më parë, kur ne u bëmë të parët në botë, kur Claudia Schiffer veshi veshjen tradicionale Malezeze dhe u fotografua në vargmalet tona “të gjalla” në atë kohë, të gjitha u çbënë kur Mali i Zi krenar nisi luftën kundër Kroacisë. Në vend që të valvitnim flamurin e vendit tonë, dhe të ishim krenarë për mbrojtjen e natyrës, ne zgjodhëm të mbanin flamujt e luftës.

Plumbi i parë i shkrepur sinjalizoi shkatërrimin e mjedisit tonë dhe lindjen e rendit të ri. Pyjet tona u shkatërruan. Rezervati Ornitologjik Panceva Oka në Liqenit e Shkodrës, i mbrojtur që nga viti 1968 si habitat i pelikanit, u kthye në rezervat tranzit për kontrabandën e naftës nga Shqipëria, pavarësisht ligjit që mbronte hyrjen në rezervat, madje duke mos lejuar as hyrjen për punë shkencore. Pyjet tona u kthyen në pre të lehta për gjuetarët ilegalë. Me rritjen e ndërgjegjësimit ekologjik, dhe fillimin e aktiviteteve jo-qeveritare nga fundi i viteve 90, gjërat kanë filluar të ndryshojnë. Papritur, u pranua rëndësia e pelikanëve për turizmin, si dhe rëndësia e mbrojtjes së parqeve tona natyrore, lumenjëve tanë të pastër. Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme, deri sa të njihet edhe nga autoritetet qëndrore, agjencitë shtetërore, dhe institucionet ligj zbatuese.

Shembulli i mbrojtjes së kripores së Ulqinit dhe Tivarit përfaqëson funksionimin e shtetit: si është ku kemi të bëjmë me një po, dhe një jo, dhe përfundimisht me një duhet. Procesi i mbrojtjes së kripores Mesjetare në Tivar (falë se cilës ne kemi Kotorin e bukur, sepse në kohët e shkuara kripa konsiderohej si floriri i bardhë), filloi në vitin 2007, në kulmin e investimeve ruse në Mal të Zi – kriporet shumë afër aeroportit të Tivarit, vendndodhja perfekte për çdo investim, dhe pati plane edhe për një park ujor. Bashkia e Tivarit, Morsko Dobro, dhe sektori jo qeveritar, bashkuan forcat dhe e hoqën këtë copë toke nga interesat e investitorëve dhe e mbrojtën si një rezervat ornitologjik. Sot, 12 vjet më vonë, ne mund të shohim flamingo, dhe ka fituar njohje si një ligatinë me rëndësi ndërkombëtare, dhe është një shembull pozitiv i mënyrës sesi duhen bërë gjërat.

Në jug fare, procesi i mbrojtjes së Solana Ulcinj filloi në vitin 2000, me inisiativë të Institutit të atëhershëm të Mbrojtjes Mjedisore për bashkinë e Ulqinit. Të gjithë aktorët: qeveria, bashkia Ulqin, sektori jo qeveritar (përfshirë gjuetarët), ishin pro-mbrojtjes. Dhe të gjithë flisnin për mbrojtjen, ndërsa situata reale po përkeqësohej. Ndërkohë, kripa e famshme e Ulqinit ndaloi prodhimin. Vetëm 19 vjet më vonë kjo hapësirë e vlefshme u kthye në zonë të mbrojtur, falë presionit të disa ambasadave dhe të Komisionit Europian. Nuk do të kishtë ndodhur ndryshe, pavarësisht ‘aktivizmit’. Po të mos kishte ndodhur, duke ditur që është në koridorin e migrimit të Adriatikut, miliona zogj do të kishin ngordhur çdo vit.

Dhe erëra të reja po fryjnë në Mal të Zi, ndërsa partia e Gjelbër është bërë një nga lojtarët kyç në qeverinë e re. Shumë pritet prej tyre në lidhje me përmbushjen e objektivave të Kapitullit 27 në procesin e aderimit në BE të Malit të Zi.

 

Darko Saveljić, ornitolog dhe aktivist ekologjik