Banorët e këtyre zonave kanë rreth një dekadë që ankohen për sjelljen e kompanisë private që ka fituar të drejtën për të shfrytëzuar nëntokën naftëbajtëse, Bankers Petroleum pronësia e të cilës ka kaluar nëpër disa duar.

Zylyftar Bregu

Një raport i Komitetit Shqiptar i Helsinkit i publikuar ditët e fundit të tetorit ngre alarmin se në një nga zonat naftnxjerrëse që gjendet në njërin prej qarqeve më të mëdhenj në Shqipëri, ai i Fierit, ndotja mjedisore është në nivel alarmant, duke u kthyer kështu në një rrezik për shëndetin dhe jetën e banorëve të zonës. Ekspertët e kësaj organizate kanë konstatuar se afërsia e zonave të banimit dhe serave të produkteve bujqësore me vendet ku nxirret apo shërbejnë si vendgrumbullime apo puse të vjetra, të mbetjeve të hidrokarbureve, në mungesë të masave të sigurisë dhe masave rehabilituese, është tepër shqetësuese. Sipas tyre, kjo rrethanë e “shpërndan” rrezikun përtej kufijëve administrative të zonës naftënxjerrëse duke prekur edhe konsumatiorët e këtyre produkteve anë e kënd vendit.

Ekspertët e Komitetit të Helsinkit, konstatojnë se institucionet përgjegjëse për të parandaluar ose shmangur këtë rrezik me pasoja afat gjatë dhe të trashëguesshëm jo vetëm që nuk reagojnë, por ja kalojnë “topin njëri-tjetrit”. Kjo sjellje, ka përkeqësuar situatën, duke përçuar një klimë të mungesës së iniciativës në inspektimet ex officio dhe mungesën e ndëshkimit të operatorëve që ushtrojnë veprimtari në fushën e hidrokarbureve në këtë njësi administrative, përkatësisht Albpetrol sha dhe Bankers Petroleum. “Institucionet përgjegjëse shmangin përgjegjësitë, duke referuar jo vetëm njohje jo të mirë të tyre nga pikëpamja ligjore, por njëkohësisht mungesë të mjeteve logjistike për matjen e ndotjes por edhe mbivendosje kompetencash. Institucionet përgjegjëse në përgjithësi shfaqin mungesë transparence për vendosjen në dispozicion të dokumentacionit që evidenton ushtrimin e kompetencave të tyre ligjore dhe marrjen e masave parandaluese/ndëshkuese për ndotjen në Zharrëz, edhe pse ishin njohur paraprakisht me vizitën monitoruese të ekipit të KShH-së, ndërkohë që kërkonin që ky dokumentacion të aksesohej vetëm me kërkesa zyrtare për informacion” shkruhet në raportin e organizatës të angazhuar kryesisht në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Banorët e këtyre zonave kanë rreth një dekadë që ankohen për sjelljen e kompanisë private që ka fituar të drejtën për të shfrytëzuar nëntokën naftëbajtëse, Bankers Petroleum pronësia e të cilës ka kaluar nëpër disa duar. Përgjatë viteve 2012-2016 banorët ankoheshin për shpërthime të forta, të ngjashme me tërmetin, që dëmtuan banesat e tyre. Problemi Në përgjigje të protestave dhe ankesave të banorëve, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin nr. 155, datë 01.03.2017, nga i cili, përfituan dëmshpërblim të pjesshëm 514 banorë, dhe 70 banorëve të tjerë i janë ri-ndërtuar shtëpitë e dëmtuara.

Në zonë ka një numër të lartë të puseve të fondit të ndaluar me kolona të korroduara (rreth 6000 në të gjithë zonën Patos-Marinëz), gropa në të cilat depozitohen mbetjet e prodhuara nga nxjerrja e naftës (10 të tilla). Kjo situatë prodhon një problematika akute dhe afatgjatë për banorët e kësaj zone duke ndotur mjedisin, ku përfshihet ndotja e ajrit, ajo e tokës,

Kjo është hapësira gjeografike ku ndotja merr trajtën e tragji-komikes. “Ari i zi” i nëntokës, në vend që të shërbente për zhvillimin e zonës, është kthyer në problem mbijetese për ta. Shqipëria prodhon më shumë se 1 milion ton naftë në vit. Sipas burimeve zyrtare, prodhimi maksimal i naftës është realizuar në vitin 1974 me 2. 250. 000 ton naftë /vit (ose 6165 ton naftë/ditë e barabartë me 38. 408 fuçi/ditë).

Shqipëria ka çelur negociatat me Bashkimin Evropjan dhe problemi i ndotjes së mjedisit është një nga pikat më të dobëta të saj.

 

Zylyftar Bregu është gazetar, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës