Studime te ndryshme tonat dhe të ekspertëve të huaj vërejnë se në kushtet e sotme, efektet e krizës mund të zvogëlohen vetëm nëse politikat fiskale të qeverisë nxitin prodhimin vendas dhe mbështesin financiarisht njëkohësisht shtresat dhe grupet sociale në nevojë.

 Zef Preci

Për një numër arsyesh objektive dhe subjektive, zhvillimet në ekonomine tonë kombëtare në të ardhmen e afërt do të kushtëzohen dukshëm nga politikat ekonomike dhe fiskale të qeverisë, si dhe nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, sidomos në vendet e BE-së. Shqipëria ka një ekonomi të vogël, jo-konkurruese, të kontrolluar dukshëm nga një grusht oligarkësh dhe me politika qeveritare në të cilat mbizotëron propaganda dhe mediokriteti. Pavaresisht njëlloj balancimi të faktorëve të brendshëm dhe atyre të jashtëm që kushtëzojnë ritmet e këtij zhvillimi, politikat ekonomike, fiskale dhe monetare të qeverisë dhe bankës qendrore marrin një rëndësi më të madhe se zakonisht apo në situata më të qeta ekonomike.

Ajo që bie në sy ndër tiparet e ekonomisë sonë gjatë këtij viti, por ka gjasa të vazhdojë edhe vitin që vjen është rritja e pazakontë e inflacionit. Kjo rritje ka filluar në gjysmën e dytë të vitit 2021, por që për frenimin e këtij fenomeni gërryes për të ardhurat dhe kursimet familjare dhe nxitës të thellimit të polarizimit social, nuk është bërë thuajse asgjë nga qeveria. Ishin dhe janë të gjitha mundesitë për të nxitur zgjerimin e siperfaqeve të mbjella me kultura bujqësore dhe për shtimin e numrit të krereve në blegtori. Por për këto mungojnë politikat përkatëse agrare. Raportime nga burime të besueshme flasin për rritjen e varfërisë në vend. Më shumë se 90 mijë vetë janë në kushtet e varfërisë ekstreme. Gati gjysma e qytetarëve të punësuar në sektorin privat marrin paga deri në kufirin e poshtëm të pagës së punës të lejuar nga ligji (pagës minimale). Ky numër lehtësisht pritet të rritet në muajt që vijnë. Për më tepër që raportimet mbi papunësinë dhe varfërinë përjashtojnë popullsinë rurale. Gjendja e një pjese të së cilës ka prirje të përkeqesohet më tej. Programet qeveritare për të mbështetur familjet në nevojë kanë qenë të kufizuara në kohë dhe në përmasa modeste, aq sa nuk mbulojnë as ndikimet e inflacionit në gjysmën e parë të vitit në vazhdim.

Ndër sektorët më të prekur nga kriza aktuale rezulton të jetë ai energjitik. Në mënyrë paradoksale vetë kreu i qeverise z. Rama paralajmeroi në tremujorin e fundit të 2021 krizën energjitike. Por përvec disa kontratave koncesionare të diskutueshme për favoritizëm në këtë sektor qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë asnjë masë mbështetëse, sic mund të jetë rishikimi i strukturës së taksave për të lehtësuar konumatorët, nxitjen e përmirësimit të transportit publik, nxitjen e prodhimit të energjisë nga burime alternative, etj. Për më tepër që likujdimi përfundimtar i përpunimit të naftës në vend (ish-kompania ARMO) dhe dërgimi për skrap i rafinerisë së saj, si dhe krijimi i të ashtuquajturve „borde të transparencës“, dëshmon mungesë vizioni nga qeveria dhe përdorim të krizës aktuale ekonomike si një mjet për të rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit, duke varfëruar më tej qytetarët. Ndërkaq liberalizimi i furnizimit me energji të një numri biznesesh duke i nxjerrë jashtë fashës me cmim të rregulluar ka nxitur rritjen e cmimit të energjise për këto biznese e për rrjedhojë edhe të mallrave dhe të shërbimeve të lidhura me to nën nje efekt kaskade. Qeveria ka shpallur edhe disa tendera publikë në sektorin energjitik, psh për marrjen me qera të disa termo-centraleve të lundrueshme. Por sipas eksperteve të mjedisit do të shoqërohen me cmim të lartë për njësi të prodhimit të energjisë dhe me rritjen e ndotjes mjedisore në zonën bregdetare të jugut. Ekonomia shqiptare është gjerësisht e ekspozuar ndaj krizës ekonomike botërore si dhe vazhdon të shfaqë probleme serioze strukturore. Në këto rrethana, vlerësime të ndryshme flasin për ngadalësim të rritjes ekonomike gjatë vitit 2023 si dhe për ngushtim relativ të konsumit nga popullsia dhe bizneset.

Edhe disa politika ekonomike dhe fiskale të qeverisë, të cilat, edhe pse ne dukje sikur e lehtesojnë ndikimin e krizës aktuale në ekonomine shqiptare, vlerësohet se do ta rëndojnë më tej krizën. Të tilla jane e ashtuquajtura „amnisti fiskale dhe e aseteve“ dhe „legalizimi i kanabisit për qëllime mjekesore“. Parë nga kënd vështrimi makro-ekonomik, këto dy politika të qeverisë, edhe pse nuk janë ende ligje nga Kuvendi i Shqiperisë, pritet të përkeqesojnë më tej klimen e biznesit në vend, duke e bërë vendin edhe më pak tërheqës për investimet e huaja direkte, duke acaruar marrëdheniet e qeverisë me institucionet ndërkombetare, por edhe duke nxitur kultivimin e kanabisit kriminal dhe okupimin e tokës bujqesore me „bimën e vdekjes“ dhe problemet e shumta që e shoqërojnë këtë biznes.

Studime te ndryshme tonat dhe të ekspertëve të huaj vërejnë se në kushtet e sotme, efektet e krizës mund të zvogëlohen vetëm nëse politikat fiskale të qeverisë nxitin prodhimin vendas dhe mbështesin financiarisht njëkohësisht shtresat dhe grupet sociale në nevojë. Po kështu, politikat monetare mund dhe duhet të synojnë ruajtjen e ekuilibreve midis konsumatoreve dhe klienteve të sistemit bankar, me synim nxitjen e kredimit të ekonomisë reale, si rruga më e sigurtë për nxitjen e ekonomisë për të dalë nga kriza.

 

Zef Preci është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER, e themeluar në vitin 1992)