Tomo Luketiç, bamirës nga Budva, i la prona të mëdha shoqërisë, dhe vullneti i tij i shprehur në testament nuk u krye kurrë. Një histori e trishtuar rreth gjestit njerëzor të një bamirësi prek historinë e vetë Budvës…

Vuk Lajovic

Historia për trashëgiminë e bamirësit më të madh të Budvës, Tomo Luketiç, është për fat të keq një histori e lakmisë njerëzore, padrejtësisë, mungesës së respektit dhe grabitjes; është një histori e cila pothuajse një shekull që nga vdekja e njeriut dhe gjestit të tij njerëzor, ende nuk ka patur fund të lumtur.

Më shumë se 40,000 metra katrorë tokë në qendër të Budvës që la pas Tomo janë uzurpuar pothuajse krejtësisht sot dhe “grabiqarët e ndërtimit” ende janë në pritë për pjesën e mbetur të parcelave tërheqëse, të cilat i kanë shpëtuar mrekullisht etheve urbane.

Njeriu më i pasur i Budvës, i cili nuk kishte fëmijë me gruan e tij Stanica, la një testament, që u lexua pas vdekjes së tij në vitin 1927, dhe thoshte qartë:  “Pas vdekjes së gruas sime Stana, unë uroj që të gjitha pronat e mia të përdoren për të krijuar një fondacion të quajtur “Fondacioni i Tomas dhe gruas së tij Stana për edukimin e fëmijëve nga Budva dhe Pastrovici”.

Një histori e trishtuar rreth gjestit njerëzor të një bamirësi prek historinë e vetë Budvës…

Sipas trashëgimtarit të familjes Liketic, Dr Miroslav Miro Luketiç – historian, shkrimtar, publicist dhe bibliograf – Tomo lindi në ishullin Shën Stefan në vitin 1864.

Ai kishte një vëlla më të madh, Ilija, dhe herët të dy ata shkuan në Amerikë. Ata u vendosën në Meksikë, ku u  morën me bujqësi dhe tregti, kishin plantacione portokallesh dhe dyqane ushqimore. Duke punuar së bashku, Tomo dhe Ilija bënë shumë pasuri dhe fituan shumë para. Ilija u vra dhe vdiq në Amerikë dhe Tomo u kthye në atdhe me gruan e tij Stana, duke u vendosur në Budva. Ai ndërtoi një shtëpi shumë të bukur dhe bleu rreth 40,000 m katror tokë.

Tomo themeloi bankën e parë të kursimeve në Budva, u përfshi aktivisht në politikë dhe i përkiste rrethit të patriotëve të shquar të kohës; ai ishte bamirës i madh i Kishës, dhe ndihmoi në ndërtimin e shumë syresh.  Ai vdiq në Budvë në vitin 1927 dhe shërbesa iu bë nga nëntë priftërinj; ai la një testament, në të cilin ia la pasurinë gruas së tij, me detyrim që pas vdekjes së saj të themelohej “Fondacioni i Tomo Mirov Luketiç dhe gruas së tij Stanica për edukimin e fëmijëve nga Budva dhe Pastrovici”.

Për fat të keq, plani i tij nuk u realizua kurrë.

Vila e madhe që Tomo ndërtoi vetëm 50 metra nga qyteti i vjetër i Budvës, dikur një nga ndërtesat më të bukura, u shkatërrua pjesërisht për tërmetin të vitit 1979, pas të cilit u shemb pa asnjë arsye të dukshme, megjithëse ishte planifikuar restaurimi i saj.

U mor kompleksi i madh i tokës, i ndarë në 70 ngastra, nga marina e qytetit të vjetër deri në Autostradën e Adriatikut.

Janë ndërtuar rreth 30 shtëpi dhe ndërtesa dhe pjesa tjetër e tokës është marrë nga bashkia e Budvës.

Ndërtimi nuk duket se po ngadalësohet dhe pjesa tjetër e lirë e tokës së Fondacionit po vihet në shënjestër nga ndërmarrje të reja ndërtimi. Kanë ardhur dhe kaluar dekada, por asnjë nga autoritetet bashkiake nuk e themeloi Fondacionin.

Pasardhësit e Tomas, fëmijët e vëllait të tij, kanë zhvilluar beteja ligjore me vite për të mbrojtur pronën e tyre nga uzurpimi. Fondacioni u themelua megjithatë, thirrjet e tij për shtetin e Malit të Zi për të zbatuar vullnetin e testament të bamirësit më të madh të Budvës dhe për të kthyer të gjithë pronën që është përvetësuar në mënyre jo ligjore nga Bashkia e Budvës tre dekada më parë, mbeten pa përgjigje.

Prona e Tomas, në përputhje me vullnetin dhe testamentin e tij, është regjistruar me Fondacionin në Kadastrën e Budvës deri në vitin 1991, kur iu kalua në mënyrë magjike administrimit të qytetit të Budvës.

Dëshira e këtij heroi lokal për të ndihmuar me bursë fëmijët e Pastrovicit me fondet nga trashëgimia e tij për fat të keq mbetet e papërmbushur.

 

Vuk Lajoviç është gazetar, që jeton e punon në Budva