Është një tezë e rrallë që kulti i individit dhe kulti i ideve mund të prodhojnë si pasoja pozitive ashtu dhe negative për funksionimin e një shoqërie dhe të një shteti, siç ishte rasti i Josip Broz Titos.

Vladimir Pavicevic

 Në diskutimet politike shpesh mund të dëgjohen mendime negative mbi kultin e individit si dhe mendime pozitive mbi angazhimin e fortë të individëve ose grupeve ndaj një ideje, duke supozuar se ideja konsiderohet e ligjshme në një shoqëri moderne, demokratike. Sistemet e paligjshme të ideve sigurisht përfshijnë nazizmin, fashizmin, fondamentalizmin fetar dhe të gjitha variantet e totalitarizmit, ndërsa, për shembull konservatorizmi, socializmi, liberalizmi dhe madje dhe nacionalizmi konsiderohen të ligjshme.

Është një tezë e rrallë që kulti i individit dhe kulti i ideve mund të prodhojnë si pasoja pozitive ashtu dhe negative për funksionimin e një shoqërie dhe të një shteti.  Vlen të përmendet gjithashtu se kulti i individit shoqërohet shpesh nga kulti i një ideje. Ky ishte rasti i Josip Broz Titos.

Kulti i individit të Josip Broz’sishte një nga bazat e Jugosllavisë socialiste. Fjala e Titos për nga rëndësia ishte e barabartë me kushtetutën, shpesh edhe më e rëndësishme se kushtetuta, dhe çdo mendim për pluralizëm të plotë politik në atë sistem përfaqësonte një sulm ndaj jetës së presidentit si individ. Në një komunitet që karakterizohej nga mungesa e lirisë dhe monizmi partiak, kulti i individit forcoi sundimin autoritar, prandaj shpesh kritikohej si një rend jodemokratik dhe autokratik jo i lirë.

Gjithsesi, në dhjetor të vitit 2018 një monument i Titos u zbulua solemnisht në qendër të qytetit të Podgoricës, kryeqyteti i Malit të Zi, me praninë e Kryetarit të Bashkisë së Podgoricës dhe

Ministrit të Mbrojtjes. Mesazhi në atë ceremoni ishte se, ajo çfarë ka lënë pas Josip Broz Tito në Malin e Zi post-komunist duhet të interpretohet edhe si emancipuese.

Ky interpretim pranues i figurës politike të Titos dhe periudhës komuniste të Malit të Zi vinte nga administrata e qytetit dhe një prej anëtarëvetë qeverisë post-komuniste të Malit të Zi, i cili është anëtar i NATO-s dhe e cila që e ka përcaktuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian si qëllimin e tij kryesor politik. Ky mund të shërbejë si një shembull i mirë praktik në mbështetje të shumë interpretimeve të efekteve të kultit të individit dhe kultit të ideve, dhe zhvillimin e tyre brenda një komuniteti.

Është veçanërisht interesante të shikosh kultin e personalitetit brenda sistemeve të cilat janë formuar sipas vlerave demokratike. Ndërkohë që ky mund të duket si një gjë e pakonceptueshme, në të vërtetë është reale.

Zhvillimi i Republikës Federale të Gjermanisë në 40 vitet e fundit mund të merret si shembull. Gjatë kësaj periudhe vetëm tre persona janë zgjedhur kancelarë në Gjermani. Pra, që nga viti 1982, krerët e shteteve kanë qenë Helmut Kol, Gerhard Shrëder dhe Angela Merkel. Ndryshe nga Shrëder, i cili shërbeu si kancelar për dy mandate, të dy Koli dhe Merkeli kanë qenë  në pozicionin e kancelarit të Gjermanisë për katër mandate, që do të thotë plot gjashtëmbëdhjetë vjet. Zhvillimi i kultit të individit lidhet me të dy.

Koli mbahet mend si bashkuesi i Gjermanisë, pasi ishte gjatë mandatit të tij që Gjermania Perëndimore u bashkua me ish-Gjermaninë Lindore. Nga 1982 deri në 1998, ai ishte pa diskutim një figurë politike thelbësore në politikën gjermane.

Një histori e ngjashme është dhe ajo e Merkelit, edhe pse në shikim të parë pak veta do ta lidhnin atë me idenë e ndërtimit të një figure të fortë politike. Bazuar në të gjitha kriteret përkatëse ajo me të vërtetë u bë një, siç e dëshmon dhe nofka ‘Mama’, siç e quajnë shumë qytetarë gjermanë. Shqetësimi se si do të jetë pasardhësi i saj në krahasim me të, vetëm konfirmojnë faktin se sa shumë është ngritur kulti i individit rreth Kancelares Merkel.

 

Dr Vladimir Pavicevic, politikolog dhe politikan, drejtor i organizatës joqeveritare ‘Shoqëria për Kërkimin Politik dhe Teorinë Politike me seli në Tivar, Mali i Zi.