Mbështetje e verbër e premtimeve dhe ideve të “sëmura” të liderëve ‘të gjithëfuqishëm dhe të pavdekshëm’, gati mitikë, zakonisht përfundon në gjakderdhje.  

Violeta Oroshi Berishaj

Pikërisht 43 vjet më parë, Sanije Hyseni nga Prishtina, asokohe studente e mjekësisë dhe studiuese e Fondit Tito, për herë të fundit i dorëzoi Stafetën e Rinisë Titos!    Në emër të mijëra të rinjve dhe të rejave, klasës punëtore dhe fshatarëve, qeverisë dhe partisë, ajo i uroi atij edhe shumë pranvera.  Tito nuk jetoi për të parë 25 majin e vitit të ardhshëm!   Stafeta e të Rinjve dhe tubimet në Beograd u organizuan rregullisht deri në vitin 1988.  Për disa vite pas vdekjes së tij të gjithë qytetarët duhej të qëndronin në vend nën tingullin e një sirene për të ‘kujtuar’ që Tito ishte akoma ‘gjallë mes nesh’… dhe akoma thërritej slogani ‘Rroftë vëllazëria dhe bashkimi’.

U ndërtua kulti i një presidenti të përjetshëm si një udhëheqës i guximshëm, i dashur dhe i pazëvendësueshëm, i cili i tha një ‘Jo’ historike Stalinit, themeloi Lëvizjen e Vendeve të Paangazhuara dhe futi vetëqeverisjen socialiste (fabrika për punëtorët, toka për fshatarët!). Media propagandistike shtetërore glorifikoi çdo fjalë të tij dhe qyteteve iu vunë emra të rinj – Titograd, Velesi i Titos, Korenica e Titos, Mitrovica e Titos.

U bënë filma dhe lajme (një film i shkurtër për Titon u shfaq në çdo ekran kinemaje) dhe u shkruan libra për pathyeshmërinë e Marshallit, u kënduan këngë; gjithçka ishte për Titon … Ne ishim të Titos dhe Tito ishte i yni.  Për armiqtë ‘e brendshëm’ që përfunduan në Goli Otok dhe burgjet e tjera jugosllave, si dhe për emigrimin e disidentëve dhe zhdukjen e tyre nuk flitej, sepse…, prosperiteti i pretenduar kërkonte të mbyllej një sy ndaj krimit në emër të paqes së dukshme.

Kjo çmenduri kolektive (gati fetare), shoqëruar me shallin e kuq të pionierit, simbolet me fytyrën dhe monumentet e Titos, më kujton tundjen e shamive të kuqe në Kinën e sotme … ose paradat ushtarake në Moskë … apo bunkerët në Shqipërinë e Enver Hoxhës …

Në vitet 1980, serbët ‘zbuluan’ një kult të ri të adhurimit kolektiv – Slobodan Millosheviçin.  Me një parullë populiste të mirë përgatitur “Askush nuk lejohet t’ju rrahë” dhe tubimin “e famshëm” të miliona serbëve nga të gjitha “tokat serbe” në Gazimestan (sepse, natyrisht, Serbia është vendi ku janë varrezat serbe), ai shpalli luftën për vëllazëri dhe bashkim! Simbolikisht, ai vdiq në Gjykatën e Krimeve të Luftës.

Jeta e diktatorit komunist rumun Nikolla Çaushesku gjithashtu përfundoi tragjikisht … e ekzekutuan, dhe Hitleri – kulti i adhurimit për miliona njerëz, ‘kujdestari’ i racës së pastër ariane, bëri vetëvrasje.

Jam kurioze të shoh se si do të përfundojë Putini, i cili rregullisht ndryshon Kushtetutën në mënyrë që të mund të sundojë gjithë jetën dhe eliminon çdo kritik të ‘demokracisë’ së tij, ose Erdogani që duket se zbaton recetën e provuar ruse, ose populisti i shumë diskutuar Viktor Orban, i cili po ndërton me sukses kultin e një udhëheqësi të ri hungarez,.

Duket se i ‘ashtuquajturi’ populist dhe majtist Albin Kurti e filloi dekadën e tij të qeverisjes, sepse premtoi barazi … një shtet pa të pasur apo të varfër (?!) … Ose Vuçiqi, i cili synon të mbrojë paqen serbe nga armiqtë imagjinarë me armë.

Problemet ekonomike dhe çorientimi politik janë themeli i kultit të individit, sepse ai çliron njerëzit nga përgjegjësia ose çdo nevojë për perspektivën e tyre unike. Në emër të votave elektorale popullore legjitime, një ‘shpëtimtar’ do të flasë dhe të ‘mbrojë’ popullin dhe territorin nga armiq të ndryshëm, ose humbja e pretenduar e identitetit kombëtar.

Me vdekjen e një diktatori kulti i tij duhet të zhduket, por duket se ne në Ballkan jemi të ngadaltë për të nxjerrë mësime nga historia jonë së fundmi. Që do të thotë, ajo mbështetje e verbër e premtimeve dhe ideve të “sëmura” të liderëve ‘të gjithëfuqishëm dhe të pavdekshëm’, gati mitikë, zakonisht përfundon në gjakderdhje.

 

Violeta Oroshi Berishaj, gazetare nga Prishtina, më parë ka punuar në Radio DW, Radio BBC, dhe aktualisht është korrespondente e Këlnit për Radio WDR