Madje edhe në fusha si: ekonomia, shëndetësia, arsimi, infrastruktura, bujqësia ose turizmi, një grua në politikë i vlerëson nismat ligjore, veprimetn ose iniciativat nga një këndvështrim më njerëzor dhe me fokus kujdesin ndaj  kategorive shoqërore që kanë nevojë.

 Vasilika Hysi

Shoqëria përbëhet nga gra dhe burra, djem dhe vajza. Gratë kontribuojnë në çdo aspekt të jetës ekonomike, shoqërore, politike, përveçse në familje, por ende nuk kanë vendin që u takon në jetën ekonomike, shoqërore dhe politike.

Për më tepër, në vlerësimin tim gratë janë më të sukseshme sesa perceptohen nga publiku.  Sepse janë serioze, punoj me shpirt dhe pasion, angazhohen në çështje që lidhen jo vetëm me gratë dhe vajzat, por me çdo grup që në shoqëri është në pozita më të dobëta. Madje edhe në fusha si: ekonomia, shëndetësia, arsimi, infrastruktura, bujqësia ose turizmi, një grua në politikë i vlerëson nismat ligjore, veprimetn ose iniciativat nga një këndvështrim më njerëzor dhe me fokus kujdesin ndaj  kategorive shoqërore që kanë nevojë.

Në këtë përfundim kam arritur duke analizuar angazhimin e grave në parlament, në qeveri dhe në nivel vendor. Sipas një vlerësimi të jashtëm të punës së çdo deputeti/e në parlamentin shqiptar, të kryer nga Instituti i Studimeve Politike në vitin 2019, gratë deputete janë më aktive sesa burrat deputetë.

Falë angazhimit të grave deputeteë, sot parlamenti shqiptar ka një ndjeshmëri  më të madhe gjinore; një program pune për një parlament me ndjeshmëri gjinore është miratuar në vitin 2020.  Vetëm në legjislaturën e IX që po mbyllet janë miratuar 17 ligje me bazë gjinore.

Ligji për barazinë gjinore ka mundësuar përfshirjen jo më pas se 30 për qind të çdo gjinie më pak të përfaqësuar në listat zgjedhore dhe një në tre duhet të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar. Kjo ka mundësuar që gratë përfaqësojnë rreth 30 përqind të parlamentin; në qeveri më shumë se 50 për qind, në shumicën e këshillave bashkiakë 40 ose 50 për qind të tyre.

Angazhimi në politikë në Shqipëri nuk është i lehtë, sidomos për gratë. Për një pjesë të publikut, politikanët janë të korruptuar, të paaftë, njerëz që përfitojnë paga të larta dhe nuk bëjnë punë të mira për njerëzit. Ky perceptim lëndon shumë njerëzit me integritet dhe profesionist që mund të kenë lënë pas një karierë të suksesshme në fushën e ekspertizës së tyre dhe kanë vendosur të kontribuojnë në politikë, me zemër, integritet, profesionalizëm, duke cënuar balancën mes jetës familjare, jetës private dhe profesionit nga një anë dhe angazhimit në politikë.

Gratë ende nuk vlerësohen sa dhe si duhen. Çështja nuk është të numri i grave të angazhuara në politikë sesa të cilësia dhe vlerësimi real i rolit të tyre. Perceptimi për gratë në politikë vijon të mbetet i ndryshëm në raport me burrat. Shoqëria sheh me syze më kritike gratë, për më tepër gratë në politikë. Sipas një anketë të zhvilluar nga Instituti i Studimeve politike në vitin 2020, 42 përqind e qytetarëve shprehen në mënyrë kritike për rolin e grave deputete në cilësinë e përfaqësimi, ndaj 21 për qind që i vlerësojnë ato pozitivisht.

Gratë në politikë përballen me shumë sfida, duke filluar nga fakti që angazhimi në politikë merr shumë kohë për shkak të mungesës së stafit dhe mbështetjes që kanë gratë; etiketime dhe paraqitja e profilit në media shpesh në formë denigruese, me fokus veshja sesa [farë përfaqësojnë në realitet dhe kontributin që japin ato.

Më shumë se gjysma e grave deputete të anketuara në vitin 2019 pohuan se ndjehen të diskriminuara në fushatë, si në aspektin e retorikës politike dhe të mungesës së mjeteve financiare.

Megjithatë, mjedisi për gratë në politikë ka njohur përmirësime krahasuar me vite më parë. Gratë po mbështesin më shumë njëra tjetrën. Unë do të inkurajoja çdo grua ose vajzë të angazhohet në politikë, të luftojë për të bërë gjëra të mira për shoqërinë, të mos dorëzohet edhe atëherë kur has vështirësi.  Pavarësisht paragjykimeve për gratë, gratë dhe vajzat duhet të luftojnë për vetëm dhe shoqërinë. Shoqëria dhe politika kanë nevojë për kontributin e grave me integritet, profesionale dhe të përkushtuara dhe mesa duket beteja e grave për baraza, për një shoqëri pa diskriminim do të vijojë edhe për disa kohë në shoqërinë tonë.

 

Vasilika Hysi have been director of the Albanian Helsinki Committee, and since 2013 until 2021, she was member of albanian Parlament