Këto ditë, si dhe vitet e fundit, Mali i Zi është tronditur nga skandalet e përgjimeve, të cilat tregojnë mekanizma të dobët kontrolli, por edhe mungesë përgjegjësie për abuzimet e dukshme nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare.

 Tufik Softic

Mali i Zi këto ditë është tronditur nga zbulimi i aparateve përgjuese në zyrat e Prokurorit Special të Shtetit, të cilat i dyshuari, ish-shefi i Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), Dejan Peruniçiq, ka pranuar se i kanë instaluar gjatë mandatit të tij.

Publiku po kërkon dhe pret përgjigje për pyetjen – urdhrat e kujt ishin këto dhe për kë punonte kreu i atëhershëm i Agjencisë së Sigurisë, sepse shpjegimi se agjencia e përgjonte prokurorin special ‘për nevojat e veta’ dhe për analizat e tyre të brendshmet duket përtej naives.

E gjithë kjo ndodhi vetëm pak ditë pasi ish-shefi i shërbimit të kundërzbulimit malazez në kuadër të ASK-së, Luka Bullatoviq, kreu vetëvrasje, duke lënë një mesazh se “nuk dinte shumë gjëra që duhej të dinte”. Për këtë arsye lidhja e mundshme mes rastit të përgjimeve dhe vetëvrasjes së një agjenti të lartë të ASK-së është nën hetim.

Pas ndryshimit të qeverisë së vitit të kaluar dhe marrjes së strukturës së re të sistemit të sigurisë nga duart e Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS), është rishfaqur një tjetër aferë e madhe, e cila prej vitesh është e mbuluar me mister: ku u zhduk aparati i përgjimit i quajtur ‘jaguar’ dhe në duart e kujt është tani.

Spekulohet se sistemi “jaguar” tani mund të jetë në duart e strukturave paralele të sigurisë që PDS po përpiqet të krijojë, duke mos pranuar humbjen edhe pas tre dekadash sundimi mbi Malin e Zi.

‘Jaguar’ dikur ishte në pronësi të ish-ushtrisë së bashkimit shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi. I vetmi fakt që dihet është se sistemi është përdorur nga Qendra e Pestë e Inteligjencës Ushtarake, me seli në Podgoricë.

Që kur u shtrua çështja e zhdukjes së tij, qarqet sunduese të asaj kohe janë përpjekur të relativizojnë vlerën dhe dobinë e tij për shkak të gjoja vjetërsimit të tij.

Megjithatë, një burim i mirëinformuar pohon se pavarësisht se sa gjenerata të reja të pajisjeve përgjuese janë shfaqur ndërkohë, ‘jaguar’ mbetet konkurrues. “Jaguari” mbërriti në Mal të Zi nga Kroacia në fillim të luftës në vitet 1990, paralelisht me shpërbërjen e ish-Ushtrisë Popullore Jugosllave. Pas tërheqjes së ushtrisë jugosllave, transferohet në Podgoricë dhe vendoset në komandën e korpusit. Ushtria SCG më pas e përdori atë për të ndjekur këdo që konsiderohej si një person me interes. “Jaguari” ishte në Podgoricë deri në referendumin për pavarësi. Një bashkëbisedues i mirëinformuar beson se pajisja me siguri nuk është larguar nga territori i Malit të Zi.

Sistemi i përgjimit ‘jaguar’ mund të monitorojë pesë mijë biseda telefonike në minutë nga një distancë deri në njëqind kilometra. Ai mund të kapë të gjitha komunikimet telefonike me tela dhe pa tela, lidhjet radio, stacionet dhe sistemet, dhe e deshifron telefonin me shumë sukses. Kjo pajisje mund të lokalizojë personin që monitorohet brenda një rrezeje prej pesë metrash.

Skandalet e përgjimeve në Mal të Zi vluan që tetë vjet më parë dhe nuk mund të dallojmë më kush monitoron kë.

Gjithçka nisi me aferën e ‘listimit’, kur publiku mësoi se bosi i arratisur i drogës Darko Shariq dhe ministrat e atëhershëm të Financave dhe të Punëve të Jashtme dyshohet se ishin në kontakt me telefon.

Vazhduan listimet e bisedave të kreut të arratisur të mafies ballkanike, Naser Kelmendi, me politikanë dhe zyrtarë të lartë të ASK-së malazeze. Diplomatë të huaj gjithashtu u vëzhguan dhe përgjuan, veçanërisht ata të vendeve anëtare të NATO-s.

Në fillim të këtij viti u zbulua se ASK-ja ka përgjuar në mënyrë të paligjshme intelektualë të pavarur dhe gazetarë të mediave të pavarura, për këtë arsye është ngritur kallëzim penal kundër drejtorit të shkarkuar të ASK-së, Dejan Peruniçiç dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Skandalet e fundit në Mal të Zi vetëm sa kanë nxitur frikën dhe dyshimet se në Mal të Zi, përveç shërbimeve zyrtare të sigurisë dhe procedurave të rrepta ligjore, praktikisht kushdo mund të shkelë brutalisht të drejtat e njeriut dhe të monitorojë këdo që është ‘i papërshtatshëm’ pa asnjë kontroll dhe llogari.

 

Tufik Softiq është një gazetar investigativ nga Berane