Nuk mund të ketë një betejë efikase kundër korropsionit pa ndryshim të strukturave politike, por ajo çfarë nuk dimë akoma është nëse ndryshimet politike janë të mjaftueshme për akte të mëdha anti-korrupsion.

Stevo Muk

Kur përmendim fjalën ‘korrupsion’, shumë gjëra vijnë në mendjen e qytetarëve të Malit të Zi. Do të theksoja rastin ‘Limenka’ pasi është rasti më i dukshëm dhe i paskrupullt – një marrëveshje blerjeje ndërmjet qeverisë dhe vëllait të Presidentit të asaj kohe Milo Djukanovic. Përmes veprimeve dhe mos veprimeve të shumë Ministrave të Punëve të Brendshme, Drejtorëve të Policisë dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë, buxheti i shtetit përfundoi me shumë miliona më pak dhe Vëllai doli me miliona fitime.

 

Prokurori Special Shtetëror e zgjati hetimin për thuajse një dekadë, nën presionin e opozitës, medias, dhe sektorit jo-qeveritar; duke vendosur përfundimisht që nuk ka asnjë përgjegjësi penale në këtë rast. Mbeten dëmet e buxhetit të shtetit prej afërsisht shtatë milion euro (dhe po aq fitime për vëllain e Kryeministrit), dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi penale, disiplinore, etike, apo politike.

Sidoqoftë, korrupsioni në Malin e Zi është shumë më tepër sesa një koleksion rastesh të mirë njohura – këto janë vetëm maja e ajsbergut. Një i njohur më tregoi se korrupsioni në ndërtesën e Bashkisë gjendet kudo, nga pastruesi tek kryetari i bashkisë. Pastruesi rishet pjesën e tepërt të produkteve të pastrimit, dhe kryebashkiaku merr pjesën e tij nga tenderat publikë. Korrupsioni ka qenë ‘e vetmja lojë në qytet’ për vite dhe dekada, dhe çdokush duket se ka gjetur vendin e tij nën diell.

 

Mali i Zi po zgjedh qeverinë e tij të parë që nuk përbëhet nga parti të cilat kanë qenë në pushtet në dekadat e mëparshme. Eksperienca jonë na tregon që nuk mund të bëhet një betejë efikase kundër korrupsionit pa ndryshime në politikë, por ajo që nuk dimë akoma është nëse ndryshimet politike, megjithëse një parakusht i nevojshëm, janë të mjaftueshme për akte të mëdha anti-korrupsion. Ndaj bëjmë një pyetje të vlefshme – ‘Çfarë po planifikoni të bëni për korrupsionin dhe krimin e organizuar?’

 

Shumë premtime janë bërë, dhe pritshmëritë janë të larta. A do të ndihmojnë të provojnë atë që opozita kritike ka parë dhe pohuar për vite me radhë, për atë që shteti i “kapur” ka bërë një sy qorr? Një pjesë e publikut po pret një veprim të madh që do të ekspozojë korrupsionin dhe krimin në nivele të larta (që do të thotë zyrtarë të lartë qeveritarë, dhe manjatët e qeverisë së mëparshme). Sugjerohet lustracioni, hapja e dosjeve, vënia në pikëpyetje e pronësisë dhe origjinës së pasurisë. Megjithatë, eksperienca rajonale na tregon se shumë më thjeshtë thuhet sesa bëhet.

 

Pyetja e vërtetë është nëse do të krijohen institucione të pavarura, profesionale, të qëndrueshëm në të ardhmen e afërt – institucione që mund të rregullojnë shtetin e së drejtës, pavarësisht ndryshimeve të ardhshme politike. Sepse edhe nëse do të zgjidhim çështjet e korrupsionit të kaluar, çfarë do të bëjmë rreth korrupsionit në të ardhmen? Përpos ‘shpatës’ së represionit (policia dhe prokuroria), ne do të kemi nevojë për mekanizma parandalimi, të cilat do të ndërtojnë, fuqizojnë dhe inkurajojnë integritetin e nëpunësve publikë dhe shërbimeve publike në tërësi.

 

Ne kemi parë dhjetra mekanizma parandalimi gjatë viteve të kaluara që kanë mbetur thjesht letra të vdekura. Vullneti politik, që ka munguar për një kohë të gjatë, do të vihet në provë përsëri, duke u përballur me ‘regjimin e vjetër’ dhe pengesat e tij. Ekziston edhe tundimi për të përdorur të paktën disa nga mekanizmat e trashëguar për të ruajtur qeverinë e re. Korrupsioni çon në dobësim të përgjithshëm të shtetit dhe në varfëri në çdo rrethanë, dhe gjatë kësaj periudhe krize serioze ekonomike, Mali i Zi ka thuajse nje arsye ekzistenciale për t’i dhënë fund korrupsionit një herë e mirë. Bashkë me ndërtimin e institucioneve të pavarura, të drejtuara nga njerëz të vërtetë, kjo shoqëri ka nevojë për ata që kanë dhënë një kontribut të madh për të zbuluar korrupsionin – median e pavarur, gazetarët investigativë, dhe organizatat jo qeveritare, si edhe të brendshmit (denoncuesit e korrupsionit) – njerëzit e guximshëm brenda vetë sistemit.

 

Stevo Muk është president i Komitetit Ekzekutiv të organizatës jo qeveritare Institut alternativa, nga qendra investigative në Podgoricë. Ai merret me investigime të menaxhimit publik, korrupsionit, dhe shtetit të së drejtës.