Realiteti siç e njohim i sheh gratë të pambrojtura, me praktikat e tij mizogjene dhe normat patriarkale, dhe kjo reflektohet qartë në botën digjitale dhe modelet e sjelljes që vëzhgojmë në internet.
Sofija Todorovic
Dhuna në internet ka një dimension gjinor, i cili po bëhet më i dukshëm me rritjen e numrit të viktimave. Përpara 25 Nëntorit, që tradicionalisht shënohet si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, është e rëndësishme të flasim për sfidat specifike gjinore me të cilat përballen gratë në mjedisin digjital, pavarësisht nga profesioni i tyre.
Prej disa kohësh dëgjojmë se dhuna digjitale ka një ndikim të fortë në lirinë e fjalës dhe lirinë e shprehjes, si dhe në gjendjen e përgjithshme psikologjike të atyre që synohet. Por komponenti gjinor i dhunës në internet po bëhet më se i dukshëm, dhe veçanërisht tani që po përballemi me pandeminë e koronavirusit.
Rreth kësaj kohe të vitit të kaluar, një foto e një pacienteje femër të shtruar në spital në Arena (atëherë qendra për pacientët Covid), u shfaq në mediat sociale. Pacientja është fotografuar pa autorizim pasi është shtruar në Arenë dhe teksa po ndërrohej për të kryer analizat e nevojshme mjekësore. Fotoja e trupit të saj u shpërnda me shpejtësinë e dritës dhe mbulimi mediatik ishte kryesisht sensacionalist dhe i papërshtatshëm. Ky është vetëm një nga shembujt e shumtë që tregojnë se asnjë grua nuk kursehet, edhe kur është në spital, dhe se trupi femëror trajtohet si një objekt që i përket të gjithëve dhe për të cilin publiku gëzon të drejtën, qoftë edhe thjesht për argëtim. Fotoja gjendet ende në rrjetet sociale, ndërsa identiteti i pacientit është publikuar në tabloide pasi sipas Kurir-it viktima ka kontaktuar drejtpërdrejt me ta.
Sondazhi i BIRN (Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese) thekson se në periudhën ndërmjet viteve 2016 dhe 2020, në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje janë ngritur 263 padi për shpërndarje të paautorizuar të fotove ose videove. Këto rezultuan në 35 dënime.
Vetëm në Serbi, ndërmjet viteve 2016 dhe 2019, ka pasur akuza ndaj 80 personave, 18 prej të cilëve janë paditur, sipas të dhënave të disponueshme publikisht për veprat penale të fotografimit të paautorizuar. Katër persona u dënuan. Në të njëjtën periudhë, kundër 51 personave janë ngritur padi për publikim dhe ekspozim të paautorizuar të fotografive dhe incizimeve të një personi tjetër, prej të cilëve 22 persona janë akuzuar. Përsëri, vetëm katër persona u dënuan.
Rastet që kanë të bëjnë me marrjen dhe ekspozimin e materialeve pornografike me të mitur janë rritur nga 24 në 40 në periudhën 2019-2020 dhe 12 të tjera vetëm në tre muajt e parë të këtij viti. Numri i rasteve të përndjekjes gjithashtu u rrit nga 43 në 60 midis 2019 dhe 2020, me 35 raste në tremujorin e parë të 2021.
Të dhënat e disponueshme sugjerojnë se motivimi për të raportuar dhunën që ndodh në mjedisin digjital është i ulët, po të kemi parasysh epilogët e gjykatës. Nga ana tjetër, mekanizmat mbrojtës janë pothuajse inekzistent ose nuk funksionojnë. Rrjetet sociale kanë forma standarde për raportimin e përmbajtjes që shpërndahet pa pëlqim, por pasi të jetë publikuar, është shumë e vështirë të heqësh këtë përmbajtje të dëmshme nga interneti.
Raportimi për rastet e sulmeve ndaj grave është përshtatur në gjuhën e sensacionalizmit dhe rrallë tregon parimet bazë etike të respektimit të viktimave, veçanërisht në mediat kryesore. Grupe të ndryshme feministe po përpiqen pa u lodhur t’i vënë në dukje këto probleme duke promovuar parimet e solidaritetit dhe duke shmangur viktimizimin dytësor, por reagimi institucional ende nuk është në horizont.
Trendi për të cilin po flasim nuk është specifik i Serbisë, ai vlen edhe për vendet e tjera të rajonit dhe rastet e shkeljeve të të drejtave digjitale nga gjashtë vende mund të gjenden në bazën e të dhënave rajonale të BIRN.
Realiteti siç e njohim i sheh gratë të pambrojtura, me praktikat e tij mizogjene dhe normat patriarkale, dhe kjo reflektohet qartë në botën digjitale dhe modelet e sjelljes që vëzhgojmë në internet. Në varësi të karakteristikave të tjera, gratë mund të jenë pak a shumë të ndjeshme ndaj formave të ndryshme të dhunës në internet, megjithatë, asnjë nga këto karakteristika nuk do të thotë se një grua nuk do të bëhet shënjestër e sulmeve online me motive gjinore, qoftë ajo mjeke, gazetare, shtëpiake, aktiviste, avokate, kryeministër apo arkëtare. Shoqëritë në rajon vazhdojnë të përpiqen të gjejnë lidhje midis sjelljes së grave dhe dhunës ndaj së cilës ato ekspozohen, duke mos ditur se përgjegjësia është gjithmonë dhe vetëm e atyre që ushtrojnë dhunë.
Sofija Todoroviç, menaxhere e projektit në BIRN (Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese)
Leave A Comment