Për sa kohë që në  Kosovë e Serbi, elitat politike e kanë për qëllim vetëm mbajtjen e pushtetit, dhe jo zhvillimin e shtetit, ekstremizmi etno-nacionalist apo elementet e së djathtës ekstreme  do të jetë prezent dhe aktiv në vendet tona.

Skënder Perteshi

Bota sot përballet me kërcënime dhe rreziqe në rritje  të sigurisë. Luftërat në Lindjen e Mesme, stagnimi  ekonomik, mungesa e punësimit  dhe perspektivës për të rinjët dhe migrimi i paligjshëm kanë bërë që në shumë vende të rriten pakënaqësitë me establishmentin aktual politik, si dhe forcimin e levizjeve ekstreme politike të formave të ndryshme, sidomos partive dhe levizjeve të së djathtës dhe së të majtës ekstreme. Rritjes të së djathtës ekstreme  dhe levizjeve të ndryshme  radikale nëpër botë, i ka ndihmuar edhe terrorizmi dhe levizjet e dhunshme islamiste, të cilat kanë ndërmarrë sulme të ndryshme terroriste nëpër botë.

Pra sot, një ndër format më të rrezikshme të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, janë ato të motivuara nga levizjet e të djathtës ekstreme, ku indivifd  apo organizata të ndryshme po ndërmarrin sulme terroriste duke shkaktuar numër të madh të vrasjeve. Këto grupe zakonisht motivohen nga elemntet radikale të së djathtës ekstreme, apo edhe supremacistëve të bardhe, për shkak të narrativave apo qasjes së tyre rreth temave si; migrimi i paligjshëm, refugjatët, të drejtat e migrantëve dhe tema të ngjashme.

Ekstremizmi etno-nacionalist  apo elementet radikale të së djathtës ekstreme janë prezente edhe në rajonin e Ballkanit. Për shkak të konflikteve të viteve 1990-1999, në vendet e Ish Jugosllavisë, si dhe mos adresimit të drejtë të krimeve të luftës,  reparacioneve, sidomos ato të kryera në Bosnjë e Hercegovinë e në Kosovë, janë krijuar  vështirësi të mëdha në procesin e  pajtimit ndërmjet popujve të ballkanit. Për shumë kohë në rajonin tonë këto mos pajtime, vazhdimisht kanë mbajtur gjallë ndjenjat nacionaliste ekstremiste të popujve të Ballkanit në dëm të njëri tjetrit, duke rritur urrejtjen ndërmjet kombeve sidomos ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Deri më tani, elitat politike në Kosovë e Serbi, kanë dështuar që të adresojnë sfidat bazike me të cilat përballen qytetarët e që janë: luftimi i krimit e korrupsionut, forcimi i sundimit të ligjit, krijimi i vendeve të punës, ofrimi i edukimi professional e shërbim shëndëtësor cilësor. Në mungesë të adresimit të problemeve bazike të qytetarëve, pushtetet  në të dyja vendet, zakonisht kanë sajuar kriza duke shfrytëzuar nacionalizmin si armën e tyre më të fortë, për të larguar vëmendjen nga dështimet e tyre në qeverisje. Diskursi i vazhdueshëm i elitave politike rreth nacionalizmit, luftës,, si dhe duke i keq-përdorur ato, kanë ndihmuar në forcimin e urrejtjes ndërmjet serbëve e shqiptarëve, kombet më të mëdhenjë në rajon.

Për sa kohë që në  Kosovë e Serbi, elitat politike e kanë për qëllim vetëm mbajtjen e pushtetit, dhe jo zhvillimin e shtetit, ekstremizmi etno-nacionalist apo elementet e së djathtës ekstreme  do të jetë prezent dhe aktiv në vendet tona. Qeveritë e të dyja shteteve duhet  seriozisht të adresojnë mos pajtimet dhe sfidat ndërmjet dy popujve dhe vendeve e  ku përfshihen zgjidhja e fatit të zhdukurve, pagesat për reparacionet e luftës, kërkim falja e njohja  e palëve të përfshira në konflikt,  të cilat do të bënin të mundur pajtimin ndërmjet dy popujve që ishin në konflikt për një kohë shumë të gjatë. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për pengimin e përhapjes së elementeve të ekstremizmit etno-nacionalist, e formave tejra të ekstremizmit të cilat në të kaluarën kanë treguar që janë shumë të rrezikshme, sidomos për vendet e Ballkanit.

 

Skënder Perteshi punon si studiues në KCSS dhe është udhëheqës i programit KCSS për luftën dhe parandalimin e extremist të dhunshëm