Rreziku më i madh për shumicën prej nesh, nuk është se qëllimi ynë është shumë i lartë dhe nuk e mbërrijmë dot atë, porse është shumë i ulët dhe e arrijmë lehtësisht”

Shpëtim Luku

Ekonomia shqiptare e ka bujqësinë ndër sektorët prioritarë. Për mënyrën e rrugën e zhvillimit të saj, për të arritur standartet e bujqësisë së përparuar ka mjaft diskutime. Por në realitetin shqiptar ka një shembull që tregon dhe të lejon të përfytyrosh se si do të ishte bujqësia shqiptare, sikurse është shoqëria “Agro Iliria”. Është ngritur në vitin 2015 në një tokë pa asnjë vlerë nga pikëpamja e shfrytëzimit për efekte bujqësore sipas bujqësisë tradicionale shqiptare, Agro Iliria është sot ferma më e madhe bujqësore në Shqipëri e në rajon, por edhe një argument brilant që ilustron teorinë se të kultivosh tokën duhet të dish.

Ortakët Ilir Trebicka dhe Shpëtim Oseku kishin punuar së bashku në ndërtim. Po mendonin për të bërë një aktivitet që të ishte më pranë natyrës. Në vitin 2015, nisi përpjekja për konkretizimin e dëshirës dhe objektivit të tyre. Si fillim ideja ishte për sera hidroponi. Por që në hapat e para nisi vështirësia; Nuk kishte toka të lira në sipërfaqe të mëdha. Kështu u detyruan të marrin toka të kripura të ish-kënetës së Karavastasë në Lushnje. Skeptikët, por edhe miqtë  nuk e aprovuan këtë nismë. Por Shpëtim Oseku dhe partneri i tij, të bindur në idetë e veta, filluan konrektizimin e tyre. Në një takim me një agronom izraelit morën edhe konfirmimin e saktësisë së idesë së biznesit të projektuar. “Nuk ka tokë të keqe. Ka tokë që do shumë punë e investim, ka edhe tokë ku mjafton të hedhësh farën se ajo mbin vetë” -iu tha ai . Kështu “Agro Iliria” lindi në toka jo rentabël, në toka tepër të kripura.

“Agro Iliria” është një shoqëri e certifikuar si investitor strategjik kombëtar, e vetmja në bujqësinë shqiptare që e ka këtë status. Në stafin teknik të saj ka 6 personalitete të shkencave të agrokulturës, një profesor nga Izraeli, një nga Italia dhe 4 profesorë shqiptarë.

“Agro Iliria” ka mbjellë 44 mijë rrënjë goji berry dhe punëson 200 punëtorë sezonal për vjeljen e goji berry-it rreth dhjetë herë në vit. Agro Iliria ka 80 hektarë me shegë të dy varieteteve, Acco që vilet në fillim të shtatorit dhe ëonderful që vilet në fillim të tetorit. Arrin të vjelë rreth 1300 ton shegë nga shtatori deri në nëntor.

Agro Iliria duket përfaqëson një projekt që nuk ka përfunduar. Ka përgatitur për të mbjellë dhe 100 hektarë shegë dhe brenda tre viteve do të mbjellë 700 hektarë shegë dhe në fund të 5 viteve, pra deri në 2026, do ketë 180 hektarë agroturizëm, nga të cilat, 70 hektarë pyllë pishe, 26 hektarë liqen artificial ku do të organizohen të gjitha llojet e sporteve ujore. Do të ketë 3 ndërtesa hoteleri restorant, do të rindërtohet e do zmadhohet kisha 300 vjeëare e Shën Marinës, do të ndërtohen 200  shtëpi druri, 200 poste për rulota banimi dhe 3.5 kilometra rrugë që do lidhë fshatin me detin.

Në fund të projektit Agro Iliria do të prodhojë 20 trajlera me shegë në ditë për 90 ditë rrjesht, do të instalojë fabrikën e parë në Ballkan për lëng shege dhe një nga më të mëdhatë në  Europë. Do të ndërtojë laboratorin e saj dhe një katedër studentore-universitare në agrokultuurë.

Si gjithë investitorët e tjerë, sidomos në Agrokulturë, edhe Agro Iliria ka vështirësitë e saj. Është një shoqëri që punon në tokat më të kripura në rang botëror dhe të lëna djerrë prej dhjetra vitesh. Vështirësi të mëdha ka për krah pune etj. “Rreziku më i madh për shumicën prej nesh, nuk është se qëllimi ynë është shumë i lartë dhe nuk e mbërrijmë dot atë, porse është shumë i ulët dhe e arrijmë lehtësisht”- thotë Mikelanxhelo.

 

Shpëtim Luku është Drejtor i Qendrës Shqiptare për Gazetari Investiguese