Sfida më e madhe është lufta kundër korrupsionit dhe vendosja e besimit te morali njerëzor. Mbështetje dhe inkurajim për njerzit e drejtë dhe të ndershëm.

Sherif Bundo  

Shqipëria ka çelur së fundmi negociatat për procesin e anëtarësimit në BE. Por, fillimi i procesit e vendos vendin tonë përballë sfidave edhe më delikate se sa vendimi politik për ta nisur atë. Më poshte po rendis disa nga problemet që duhet ti zgjidhim.

Së pari, është sfida e kapërcimit të vetvetes, sfida e të pranuarit të të tjerëve si partnerë me veten, sfida e gadishmërisë për të dhënë dhe pranuar konsensus, për të bashkëpunuar në grup me vënde të tjera, ndryshe nga historia e aleancave të përkohshme të derisotme. Bashkimi Evropjan është një bashkësi ku statusi i çdo vendi e vendos atë të barabartë me vëndet e tjera, pavarsisht kritereve vendimmarrëse që respektojnë popullatën dhe roli i çdo vëndi në Produktin e Brendshem Bruto të BE.

Sfida e respektimit të kulturave dhe bashkëjetesës së komuniteteve në harmoni. Ndër shekuj, shqiptarët nuk kanë pushtuar, nuk kanë sulmuar të tjerët, kanë pranuar në heshtje verdiktin e të mëdhenjve. Por kjo kërkon aftësinë për të krijuar klimë vëllazërore me të gjitha pakicat dhe për të braktisur nacionalizmat.

Sfida e respektimit të institucioneve dhe e kthimit të besimit të publikut ndaj tyre. Nga bindja e verbër ndaj shtetit për 50 vjet popullata ka kaluar për shumë vite në një lloj anarkie që nxiti kioskat, ndërtimet pa leje, privatizimet politike, shpërdorimin e tokës, dhe fenomene të tjera që i kushtuan ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Besimi te vota e lirë si institucioni suprem dhe te paprekshmëria e votës.

Sfida e kthimit të njerëzve në punë, mbështetja e mirëqënies te mentaliteti i punës si mënyrë jetese.

Sfida e kujdesit ndaj mjedisit, braktisja e sjelljes me dy standarde, ndryshe brenda dhe ndryshe jashtë, në familje me rregull, në mjediset publike të pistë. Jemi në prag të një shkatërrimi mjedisor të pakthyeshëm dhe të një ndotje të frikshme.

Sidat e zhvillimit ekonomik, ndër të cilat nxitja e inisiativës së lirë, respektimi i sipërmarrjes dhe braktisja e praktikave të kthimit të bizneseve si satelite të të mandatuarëve me pushtet publik. Barazia para ligjit dhe luftë klientelizmit.

Sfida më e madhe është lufta kundër korrupsionit dhe vendosja e besimit te morali njerëzor. Mbështetje dhe inkurajim për njerzit e drejtë dhe të ndershëm.

Sfida e ndarjes së administratës nga politika, e keqpërdprimit të saj, e trajtimit deri kriminal të administratës prej politikës, një praktikë që vazhdon ende edhe pas 30 vitesh demokracie.

Sfida e drejtësisë profesionale dhe të pavarur. Mbi të gjitha drejtësia ka nevojë të fitojë besimin e humbur në se është vërtetë e aftë të japë drejtësi. Reforma në drejtësi e nisur në vitin 2016 ende nuk po jep frutet e pritura nga opinion publik shqiptar

Sfida e një kulture tjetër në shërbimet pubike, arsim, shëndetësi, duke braktisur formalizmin, mediokritetin dhe promovimin e profesionistëve të aftë. Kontroll i fortë mbi përdorursit e fondeve publike.

Sfida e përgjegjësisë së përbashkët që buron nga bashkëjetesa në komunitet. Duhet nxitur kultura e referendumeve lokale dhe kombëtare për çështje të rëndësishme jetike, ku individi të ndihet që është i vlefshëm dhe jep kontribut të drejtëpërdrejtë.

Mbështetja dhe krijimi i një shoqërie civile, vërtetë të emancipuar, me zë të fortë, ndikuese, imponuese, dhe sutoritare.

Sfida e frenimit të emigracionit dhe e plakjes së shpejtë, artificiale të popullsisë për arsye të emigracionit të fortë dhe të zgjatur.

Sfida e rivitalizimit të fshatit, e integrimit të fshatit në treg, e frenimit të shpopullimit masiv shoqeruar me fenomene ekstreme sociale dhe ekonomike dhe varfërimit ekstrem të popullsisë që detyrohet të qëndrojë në fshat.

 

Sherif Bundo është profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, ish-politikan